Kreu i KQZ-së: Dekriminalizimi, thuajse i pamundur çertifikimi i 7 mijë kandidatëve
Zbatimi I ligjit për dekriminalizimin paraqet vështirësi serioze në përmbushjen e afateve. Të paktën këtë ka deklaruar sot gjatë një tryeze me përfaqësues të shoqërisë civile, kreu I Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba.
“Ne do të ndodhemi përpara një problemi shumë të madh objektiv, kohor për të kaluar në sitë afërsisht 7 mijë kandidatë. Dhe nëse kjo do të ndodhë paraprakisht, do dal dhe në batuta të tilla se zor do të kemi konstituim të parlamentit se ne nuk mund të arrijmë të çertifikojmë dot 7 mijë të tillë”, tha ai.
Një diskutim është hapur në tryezë edhe për propozimin e bërë për listat e hapura. Këtu ka dhënë kontributin e vet deputeti socialist Taulant Balla, sipas të cilit “në kohën që jemi, unë nuk mendoj që edhe në këto zgjedhje ne mund të kemi një sistem me listat e hapura. Nëse aplikohen listat e hapura, fleta e votimit do të ishte në Shqipëri si një libër 66 faqe. Po kështu do të penalizonte gratë”.
Edhe Biba është shprehur kundër listave të hapura apo të shqyera siç cilësoi ai idetë për lista ku edhe një anëtar partie propozon një kandidat. Nuk është e qartë se cili është interesi i KQZ-së në debatin për listat, pasi në çdo rast institucioni vetëm organizon dhe administron zgjedhjet.
Add new comment