Tre kokat e vonuara të dekriminalizimit, Rroshi bie në grackën e LSI-së
Prokuroria e Përgjithshme pas verifikimeve te thelluara, ka konkluduar, se dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe një kryetar Bashkie janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, në bazë të ligjit per “Verifikimin e Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ose te njohur ndryshe si Ligji I “Për Dekriminalizimin”.
Ata janë:
Dashamir Tahiri, me funksion “Deputet”
Shkëlqim Selami, me funksion “Deputet” i LSI
Elvis Rroshi, me funksion Kryetar i Bashkisë Kavajë
Në mënyrë të përmbledhur, Sektori i “Dekriminalizimit” në Prokuroria e Përgjithshme ka siguruar të dhëna se:
1. Dashamir Tahiri, me funksion “Deputet” rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” të dhëna:
-Në vitin 1995 është raportuar nga policia në Foggia për krime lidhur me falsifikimin e parave;
-Në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata në Ravena (për të vuajtur 9 muaj burgim) për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar.
-Subjekti është kontrolluar disa herë nga policia
2. Shkëlqim Selami, me funksion “Deputet”, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” të dhëna për një masë sigurimi “arrest me burg”, nxjerrë ndaj tij nga ana e gjykatës së Brindizit, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me “Trafikim të qënieve njerëzore”. Masa ndaj tij është dhënë në vitin 1994 dhe është ekzekutuar në vitin 2006. Në kuadër të kësaj mase, ai ka qëndruar një javë në paraburgim në Brindizi dhe më pas është lënë i lirë, në vijim të hetimit.
3. Elvis Rroshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin “Për Dekriminalizimin”, si vijon:
-Një dënim për veprën penale të “Përdhunimit” në grup, në vitin 1995 në Itali
-Nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër
-Në prill 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil, 14 maj 1993, është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë.
-Në korrik 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në gusht 1997 është dëbuar sërish.
-Në vitin 2015 DEA/US , ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash.
A e shiti vetë LSI Shkëlqim Selamin?
Dekriminmalizimi, një kauzë e e fituar teorikisht por ende jo praktikisht nga opozita nuk ka qenë një temë fort e pëlqyeshme as nga ambasadori amerikan që ka denoncuar fort krimin në gjyqësor dhe politikë, duke përzgjedhur raste të veçanta, si psh Tom Doshi, Koço Kokëdhima, Emiljano Shullazi, apo Lulzim Berisha por asnjëherë Elvis Roshin, kryebashkiakun atipik të socialistëve të përzgjedhur nga vetë Edi Rama.
Gjithçka nisi pak ditë më parë me deputetin e LSI-së, Shkëlqim Selami për të cilin Prokuroria i kishte dërguar një shkresë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve se ai kishte fshehur rekorde kriminale në formularin e dekriminalizimit. LSI nuk reagoi pas daljes së lajmit, dhe i la fushë të lirë deputetit të saj të mbrohej individualisht. Burime pranë LSI-së thanë për Respublica se ka qenë Ilir Meta që ka nxitur Prokurorinë të veprojë për Shkëlqim Selamin, deputet që së fundmi flirtonte me Partinë Socialiste. Është qesharak qëndrim i sotshëm i Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së që përshëndet dekriminalizilin me moralin se të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit.
Mbështetje të plotë për zbatimin e dekriminalizimit, përpara ligjit të gjithë të barabartë. Dekriminalizimi standard i panegociueshëm për LSI-në, pasi jep garanci për reformën në drejtësi. Dekriminalizimi është premisë për zgjedhje të lira e të ndershme -ka theksuar Vasili që edhe në këtë rast ka bërë rolin e prestigjatorit, duke folur për standardet morale të LSI-së.
Në befasi duket se është kapur edhe Edi Rama dhe Partia Socialiste që kanë mbrojtur me fanatizëm Elvis Roshin, por që tani do u duhet të distancohen. PS nuk ka ende një qëndrim zyrtar për njoftimin e Prokurorisë mbi Elvis Rroshin.
Add new comment