Shqipëria "model" i çmilitarizimit në rajon, 160 ton napalm nisen drejt Francës
Reformimi i ushtrisë shqiptare këto vite është shoqëruar edhe çmilitarizimin e saj. Që prej vitit 2008 Shqipëria ka nisur shkatërrimin e armatimeve të tepërta dhe lëndëve kimike të rrezikshme. Në maj 2015, OSBE ndihmoi në shkatërrimin 116 tonëve kimikatesh të rrezikshme. Më parë, ajo kishte ndihmuar në shkatërrimin e 60 tonëve melanzh – një përbërës toksik i karburantit të raketave – dhe të 120 tonëve diklorometan.
Në Portin e Durrësit u zhvillua këtëvtë martë një ceremoni për të shënuar fundin e projektit të përbashkët mes OSBE-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes për shkatërrimin e kimikateve të rrezikshme ushtarake.
Në fazën e fundin të projektit, do të dërgohen për shkatërrim në Francë rreth 160 tonë napalm, që ndodhen tani të paketuara në mënyrë të sigurt në portin e Durrësit, gati për t’u transportuar.
Siç njoftoi prezenca e OSBE, Ambasadori Bernd Borchardt falënderoi Shtetet pjesëmarrëse që e kanë mbështetur financiarisht procesin e çmilitarizimit, duke veçuar Austrinë, Republikën Çeke, Gjermaninë, Norvegjinë dhe Turqinë.
“Teksa vlerësojmë punën që po bëhet nga shumë aktorë në rajon për asgjësimin e sigurt të municioneve të vjetra ushtarake, gjithashtu nxisim që modeli i çmilitarizimit i Shqipërisë të shtrihet edhe në rajon, jo vetëm për ta bërë rajonin më të sigurt, por edhe për të shfrytëzuar sa më mirë infrastrukturën ekzistuese dhe përvojën e fuqisë punëtore.”
Add new comment