PS-ja, e interesuar për alibi/Nuk ka nevojë për Pazar për Vettingun – rasti i numrave IMEI flet qartë

Postuar në 30 Nëntor, 2016 11:45

Për ata që duan të kuptojnë hallin ku e fut veten Edi Rama dhe mënyrën sesi do të dalë prej tij, lexoni atë që thotë Taulant Balla, ose Fatmir Xhafaj. I pari të bën edhe të qeshësh, kurse i dyti, të vdesësh së qeshuri. Pasi si jurist, ish-ministër I Drejtësisë dhe kryetar i Komisionit të Ligjeve, disa kapërcime nuk gëlltiten kaq kollaj kur i thotë z. Xhafaj që "i di gjërat mirë". 

Një ballafaqim hipokrizie po merr udhë këto dy ditë lidhur me ligjin e Vettingut. Kryeministri Edi Rama e ka shpallur Vettingun si arsye bllokuese për hapjen e negociatave me BE-në, duke i bërë thirrje Lulzim Bashës, kryetarit të Partisë Demokratike, që “të zhbllokojë Vettingun”. Edi Rama cilëson bllokim “shqyrtimin në Kushtetuese të ligjit”, ndërkohë që ai ka kaluar me miratim seancën plenare. Bllokim do të kishim formalisht nëse ligji nuk do të kalonte në Kuvend për shkak të votës kundër të opozitës, njësoj si në rastin e tre ligjeve të famshme, por ky nuk është rasti.

Dje kreu i PD-së, Lulzim Basha ofroi që ligji për Vettingun të amendohet. Duke e diskutuar atë në parlament. Por përkundrejt kësaj oferte që parimisht zhbën “blllokimin” e integrimit për të cilin punon natë e ditë kryeministri, ynë Fatmir Xhafaj mori sot këtë qëndrim:

"Kërkesa e Bashës për Vettingun është gjëja më absurde në jetën parlamentare. Partitë paskan mundësi të zhbëjnë Gjykatën Kushtetuese, kanë me të rëndësishme pazaret se Kushtetutën, nuk e kuptoj PD dhe Bashën që bojkotuan Vettingun. PD ë bëri kauzë Gjykatën Kushtetuese me të vetmin qëllim për të shtyrë procesin. Asnjë forcë politike serioze nuk mund ta kërkojë këtë tani, që Kushtetuesja të ndërpresë shqyrtimin se do të mblidhen partitë politike. Duhet të presim vendimin e Komisionit të Venecias për opinionin për Vettingun”(http://www.gazetatema.net/web/2016/11/30/xhafaj-kerkesa-e-bashes-per-rin...).

Që do të thotë: Të sigurt se KE-ja në dhjetor do thotë jo për negociatat, duhet që debati për vettingun të mbahet i hapur si alibi. 

Por ka një precedent – TË PAKTËN NJË – përmes të cilit mund të operohet shumë mirë.

Ky është precedent me regjistrimin e Numrave IMEI.

Më poshtë kronologjia e kësaj çështjeje:

VKM-ja nr. 354, e 4 qershorit 2014, “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI për regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme”, u kundërshtua nga opozita e cila përmes Grupit Parlamentar e çoi atë në Gjykatën Kushtetuese, shoqëruar me dy kërkesa: Shfuqizimin si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe 2. Pezullimin e vendimit nr.354, datë 04.06.2014Ndërkohë që kjo ndodhi dhe Gjykata u shpreh PRO (http://www.gjk.gov.al/web/NJOFTIM_P_R_MEDIAN_871_1.php),  qeveria bëri një manovër e cila e lë çështjen të hapur. Më 1 tetor 2014, me VKM nr. 642, ajo e shufizoi VKM-në nr. 354, e cila ishte ndërkohë objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese. Duke bërë këtë, qeveria e vuri gjykatën para një fakti të kryer, që për pasojë solli moshqyrtimin e përputhmërisë kushtetuese të VKM nr. 354 por vetëm pezullimi e tij.

Pas kësaj Gjykata ka dhënë këtë argumentim në vendimin e saj, nr. 57, datë 5 dhjetor 2014: 

Pas pezullimit të çështjes, gjatë shqyrtimit në themel të saj, Gjykata konstatoi se Këshilli i Ministrave, në datën 01.10.2014, ka miratuar vendimin nr. 642 (më poshtë “VKM nr. 642/2014”) me anë të të cilit ka shfuqizuar VKM nr.354/2014 “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI për regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme”, objekt shqyrtimi.

            13. VKM-ja nr. 642/2014 e lartpërmendur, që parashikon se hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, është publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 154, datë 08.10.2014. Pra, ka hyrë në fuqi në datën 08.10.2014. Kjo rrethanë u parashtrua edhe nga subjekti i interesuar, Këshilli i Ministrave.

           14. Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se në rastin konkret ndodhet në kushtet kur VKM-ja nr. 354/2014, objekt shqyrtimi, i ka përfunduar efektet e saj. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se çështja mbetet pa objekt dhe se gjykimi i saj duhet të pushohet.

 

***

Ky shembull zhbën qartë atë pretendimin e Xhafajt për “Pazar” duke referuar një praktikë juridike dhe kushtetuese që nuk ka sesi të kontestohet. Çka do të thotë se nëse sot Parlamenti miraton një ligj për Vettingun, duke amenduar ligjin që po shqyrton Gjykata Kushtetuese, vetë kjo e fundit humbet objektin që ka në shqyrtim dhe nuk ka sesi të veprojë ndryshë, pos si në rastin e numrave IMEI. Dhe kështu kalon Vettingu e bashkë me të provohet edhe pretendim nëse ai përbën bllokim apo ka edhe arsye të tjera që e mbajnë Shqipërinë jashtë BE-së. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.