Populizmi dhe polarizimi ekonomik kanë rritur ankthin politik e social, premisa për protesta dhe tensione
Stresi politik dhe ekonomik të cilin po kalojnë vendet e Ballkanit po gjen reflektim tashmë edhe në raportet e Bankës Botërore, e cila duket se i ka bërë një lexim jo vetëm ekonomik situatës aktuale. Në një dokument të prezantuar sot në Bukuresht shprehet shqetësimi për perspektivën ekonomike dhe tensionin politik e social që po dominon shoqëritë e rajonit.
Raporti thotë se ulja e ritmeve të investimeve në Bashkimin Evropian dhe vështirësitë strukturore në vazhdim në të gjitha vendet, po pengojnë rritjen në rajon dhe po kontribuojnë për një ngritje të populizmit dhe polarizimit.
“Mosarritja në të gjithë rajonin për të çliruar burime të reja zhvillimi po kontribuon për një rritje të populizmit dhe polarizimit, si dhe në mosbesimin tek institucionet”-thuhet në raport. Më tej nënvizohet se sondazhet tregojnë se shqetësimet lidhur me peizazhin ekonomik në ndryshim dhe, veçanërisht, mungesa e sigurisë së punës po ushqejnë një rritje të polarizimit politik. Po ashtu rritja e shpejtë e punës së përkohshme dhe me kohë të pjesshme, si dhe ndryshimet në kërkesat për kualifikime, të nxitura nga teknologjitë e reja digjitale, po shtojnë shqetësimet te qytetarët e rajonit dhe po e zhvendosin mbështetjen nga qendra e spektrit politik", vlerëson dokumenti.
Sipas raportit të Bankës Botërore, rajoni pritet të shënojë një rritje modeste prej 1,6 përqindësh për vitin 2016 – me një rritje të lehtë nga 1,4 për qind që ishte në vitin 2015 – por rënia e të ardhurave dhe konsumit, me gjasë, do ta zbehin këtë rritje modeste. Kjo prirje parashikohet të vazhdojë në vitin 2017 dhe 2018.
Add new comment