Ndahet nga jeta Arben Puto
Ka ndërruar jetë në moshën 92 vjeçare historiani Arben Puto. I lindur në Gjirokastër në vitin 1924, Puto përfundoi Liceun e Korçës në vitet 1935-39. Ai u diplomua në Universitetin e Moskës për Drejtësi në vitin 1951 dhe mandej nis karrierën si profesor dhe historian i çështjeve të diplomacisë. Në periudhën e para viteve ’90, ishte i njohur libri i tij “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha”, i cili trajtonte pavarësimin e Shqipërisë në kontekstin e shthurjes së Perandorisë Osmane dhe antagonizmit të fuqive imperialiste, siç quheshin askohe. Libri jep një panoramë mbi atë kohë dhe nuk ia mohon lexuesit shqiptar burimet bibliografike të plota disa herë.
Libra të tjerë të njohur janë “Nëpër analet e diplomacisë angleze”, “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare pas Luftës I Botërore” etj.. Puto është ndër të vetmit që ka trajtuar në një monografi luftën italo-greke parë nga perspektiva shqiptare.
Një historian që ka kontribute, por me një vepër të kushtëzuar nga përputhja me linjat e regjimit të Enver Hoxhës. Një meritë e veçantë e Putos ishte shqipja e tij brilante në punime të këtij karakteri.
Add new comment