Mark Marku: 90 për qind e veprës së Dritëro Agollit është banale
Dritëro Agolli ka rimarrë vëmendjen e një pjese të shtypit që i rikthehet periodikisht intervistave më të ose me gruan Sadijen, si një model frymëzimi për të majtën politike, bazuar jo vetëm në përkatësinë e tij ideologjike, por edhe suksesin si shkrimtar i popullit. Mediat kryesisht të majta, janë bazuar mbi këtë kriter për ta vlerësuar a priori si një nga korifejtë e letrave shqipe. Ky lloj apogjeu ka nisur të shkaktojë edhe reagime, nisur nga këndvështrimi për vlerën e Agollit si shkrimtar.
Në një analizë për ricikiklimin e figurave që i shërbyen regjimit të kaluar edhe në fushën e letrave, pedagogu Mark Marku thotë se Agolli nuk meriton atë vlerësim që i bëhet, për cilësinë e veprës letrare, 90 për qind e së cilës sipas tij është banale.
"Kemi dëgjuar të flitet gjithë këto ditë për Dritëro Agollin, dhe të flitet për të njëlloj si në kohën kur ai ishte shkrimtari më i promovuar i regjimit. Ashtu siç po shfaqet prej më se një muaji Dritëro Agolli si patriark i letërsisë shqipe prej Akademisë së Shkencave. Askush nuk e tha një fjalë se Dritëro Agolli qe një talent i madh i letërsisë, por që 90 për qind të veprës së tij e ka banale, sepse e vuri në shërbim të propagandës së regjimit komunist. Askush nuk e tha një fjalë për angazhimin e tij në mitizimin e një diktatori dhe të shtetit të tij kriminal. Dritëro Agolli mund të ketë qenë burrë i këndshëm, e madje edhe zemërmirë si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, por ai ka qenë kryetar i një institucioni që në piramidën e krimeve të kryera nga komunizmi ka pjesën e vet. Kjo nuk do të përbënte asnjë pengesë që ajo pjesë e veprës që i mbetet, të promovohet", - thekson Marku.
Add new comment