Milionerët Clinton/Para, politikë dhe bamirësi. Fondacioni i familjes, një burim të ardhurash kolosale dhe mbulim për marketingun politik
Një tjetër panoramë zbulohet nga WikiLeaks rreth aktiviteteve të familjes Clinton. Ndërkohë që zgjedhjet në SHBA po kultivohen si një garë mes një miliarderi të papërgjegjshëm si Donald Trump dhe një zyrtareje që vjen nga një familje që i “ka dhënë Amerikës”, të dhënat flasin disi më ndryshe. E-mailet zbulojnë se në vitin 2014 të ardhurat e Fondacionit Clinton ishin 337 99 000 dollarë, prej të cilëve vetëm 64% u shpenzuan për bamirësi. Pjesa tjetër shkuan për paga, llogari dhe shpërblime. Bill O’Reilly i “Fox News” deklaroi në studion e tij se familja Clinton përdori avionë privatë për të udhëtuar për punët dhe aktivitetet e fondacionit, duke shtuar jo pa nënkuptim se:
“Kjo është e ligjshme, por e rrallë. Bamirësit zakonisht përdorin linjat e zakonshme për të kursyer para”.
O’Reilly shkon më tej me një tezë morale dhe etike, kur përmes shifrave e paraqet Fondacionin Clinton si një sipërmarrje që bashkon interesa biznesi, politike dhe bamirësi, një lloj platforme në pararojë të partisë dhe e çlirët në lojën e parasë.
“Është në dorën tuaj, të votuesve të vendosni nëse kjo është etike”, shton gazetari i “Fox”, në një apel që sugjerohet teksa virtytet e Clinton përballë të keqit Donald po dalin përherë e më shumë si sythe demagogjie.
Add new comment