Nasho Jorgaqi në Zululand: Kleri katolik ka bashkëpunuar me pushtuesin; ndërsa Mjeda është më i madh se Fishta (Video)

Postuar në 11 Tetor, 2016 21:48

Në Zululandin e sotëm ishte i ftuar Nasho Jorgaqi, me të cilin Nano bisedoi lidhur mbi polemikën që ka shkaktuar një letër e Gjergj Fishtës dërguar në vitin 1939 një koloneli të ushtrisë italiane, të cilën ka qenë Jorgaqi që e ka publikuar, dhe e ka komentuar. Në shkrimin e tij, Jorgaqi thoshte në thelb se kjo letër është në provë tjetër e qëndrimit mirëkuptues me fashizmin që ka pasur Gjergj Fishta.

Dhe me këtë rast përmendte edhe faktin që Fishta ka pranuar të bëhet anëtar i Akademisë italiane të kohës së fashizmit. Iu përgjigj në mënyrë polemike Romeo Gurakuqi, pastaj u futën në valle edhe Emil Lafe e Mustafa Nano.

Në bisedën në studio, Jorgaqi iu mbajt të njëjtit qëndrim. Për të, kisha katolike shqiptare është dalluar për bashkëpunimin me fashizmin, dhe një pjesë e anëtarëve të elitës kulturore e politike të kohës kanë bërë akte të mmëdha antikombëtare duke bashkëpunuar me fashizmin.

 Ai tha mes të tjerash se e çmonte më shumë Mjedën se sa Fishtën në planin artistik e gjuhësor. Ndërsa Mustafa Krujën e çmonte si intelektual dhe si njeri të kulturës, por e konsideronte toskofob.

Ndërsa ishte Romeo Gurakuqi që pak ditë më parë, në shkrimin e tij, e kish quajtur Nasho Jorgaqin gegofob. “Unë jam gegë vetë, jam nga Elbasani, gruan e kam gjithashtu gege, si mund të jejm unë gegofob?”, tha ai mes të tjerash. Kur Nano i kërkoi të thoshte se cili ishte personaliteti më i madh i kulturës së Shqipërisë, ai u përgjigj: Fan Noli e Faik Konica. “Që të dy toskë”, tha Nano me shaka. “Do të gjejnë shkak për t’ju quajtur gegofob”. “Janë që të dy shqiptarë”, tha Jorgaqi.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.