Plehra kemi, duhen kazanë

Postuar në 02 Tetor, 2016 15:29

Sot dita u hap me një lajm nga gazeta “Shekulli”, e cila na informonte se dy baxhanakë, që janë drejtorë policie në nivel qarku merren me drogë. D.m.th që mbikëqyrin që çdo gjë të shkojë vaj në parcela derisa bima të bëhet gati për t’u trafikuar. Për shumëkënd që jeton e shëtit nëpër Shqipëri, kjo nuk është akuzë, por një gjë që dihet. Por kur e thotë këtë një gazetë që posedohet nga Koço Kokëdhima, ish-deputet dhe ushë-heqës i kryeministrit, ndryshon puna. Policisë së drejtuar nga Sajmir Tahiri i duhet të dalë e të reagojë, siç ka bërë sot kur e ka quajtur lajmin të pavërtetë dhe të motivuar nga interesa personale e kriminale. Cilat janë këto interesa të cilat Tahiri nuk na i thotë por i mban për vete? Sepse në një qëndrim zyrtar duhen zbardhur edhe akuzat.

Ministri zgjedh të mos na thotë gjë. Dhe e bën këtë mu për atë arsye për të cilën e sulmon edhe Kokëdhima: njëri bën presion dhe shantazh duke aluduar se diçka ka në dorë, tjetri ia kthen me përgjigjen se: e di ku fle lepuri dhe nuk tërhiqem.

Pra këta të dy pjesëtarë të Kazanit socialist, kazani më i ndotur në Shqipëri, po flasin me njëri-tjetrin duke kërkuar dëshminë tonë që shërben si kredi për imazhin e mirë apo të keq. Ne kemi në dorë imazhin e tyre, mendimin dhe perceptimin, kurse këta kodoshë të politikë mbyllin punë biznesi me njëri – tjetrin.

Këtë procedurë që e di edhe bufi, siç thotë ajo fjala, nuk ka asnjë rëndësi ta sjellësh në vëmendje po të mos qe për sulmet e kryeminsitrit ndaj medias, të cilën e ka cilësuar si kazan shpifjesh. E paralel me këtë qasje etike të kreut të qeverisë, dje u miratua edhe një Kod Etike në Asamblenë e PS-së, një kod që sot, po t’i besojmë Tahirit është thyer nga një prej drejtuesve të kësaj partie, Kokëdhima. I cili hapi pusetën e lajmeve me drogë që ka mbuluar Shqipërinë, por pa dashje ka prekur edhe kapakun e Etikës së Punëve të Brendshme të partisë.

Sa herë e kemi parë e dëshmuar këtë mekanizëm shantazhi? Dhjetëra herë. Çështja “Doshi”, çështja “CEZ”, çështja e pajisjes përgjuese, ndonjë ministri që vihet në akuzë e pastaj befas askush nuk merret me të, pa harruar parkimet që mbijnë aty këtu, apo edhe ujësjellësin e Tiranës. Kuptohet, nuk kemi lajthitur akoma sa të mos e dimë se në krye qëndron Bleta Punëtore e OSHEE-së.

 Të gjitha çështje që janë në rrugën e zgjidhjes, pasi janë hapur me zhurmë të madhe. E natyrisht, paralel me negociimin pas perdeve, ku ndahen tenderat e ku jepet ndonjë dorovitje për “ta lënë ca kohë këtë punë”, mbrojtja më e mirë është të akuzosh median për shpifje. Se është kazan dhe keqinformon. D.m.th, “nuk është tamam ashtu”, sepse ligji...

Skema funksionon. Sa kohë të gjithë e dinë të vërtetën, ça rëndësie ka se del në media? Mjafton të lexosh interesat dhe të bësh ofertën. Ah...Se desh harruam. Ndonjëherë bëhet i gjallë edhe Prokurori i Përgjithshëm dhe aty mund të komplikohet pak puna. Por nga sa thuhet, pasi në Shqipëri nuk ka sekrete, Llalla iu mban dy dosje ministrash në tavolinë e nuk i hap, pasi “për të ikur është”, pse ta prishë e të bëjë armiq? Thonë se këtë filozofi ndjek edhe Guvarnatori i Bankës, që ka zënë një qoshe jo të keqe.

Ku e kishim? Te Kodi i Etikës dhe i kazanit socialist. Do duhet thënë se këtij kazani i kemi rënë në qafë kot. Ndoshta sepse është tejmbushur e po derdhet për të qelbur edhe atë pak që ka mbetur pa u prekur. Sa për akuzat lart e poshtë dhe erën prej kërme që vjen, kjo nuk është ndonjë gjë e re. Kjo është si puna e atyre fshatrave që janë mësuar të jetojnë me erën e gazit dhe të naftës. Thjesht është acaruese kur papritur nga kazani del ndonjë i krehur i kollarisur e të mburret se vjen erë të mirë e se atë erë e gjeti brenda në kazan.

Mbase është kjo zhgërryerje profesionistësh, që janë shtuar kaq shumë, sa duhen kazanë të rinj, që nuk e vë në lëvizje atë Kodin e Etikës që na u shpall dje në asamble e që iu var kazanit të Rilindjes me mburrje. Fundja Koço nuk është si Blushi që doli nga kazani me qëllimin dashakeq se do linte vend bosh. 

Nuk jeni edhe ju dakord që heqja e incinerimit ishte e nxituar se ai është i domosdoshëm? Ka kaq shumë mbetje, skorje, llozhra, plehra saqë nuk ka kazanë t'i nxëjë. 

 

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.