Ligji i ri për importin e mbetjeve: A ka ndryshuar vërtet ndonjë gjë reale nga ligji i mëparshëm?

Postuar në 01 Tetor, 2016 21:34

A humbi apo fitoi shoqëria me atë që ndodhi me protestën e sotme? Kjo mbetet për t’u parë, por protesta nuk quhet e arritur kur nuk arrin si objektiv minimal uljen në tryezë të vendimmarrësve që sot luajnë me lloj lloj lodra fjalësh. Përpara është dekreti i Presidentit, ga i cili shumëkush pret që t’i thotë “jo” këtij ligji që po fsheh shumë gjëra.

Meqenëse deputetët e Partisë Socialiste bashkë me kryeministrin thonë se shumëkush është i painformuar mbi atë që parashikojnë ndryshimet ligjore që janë realizuar së fundmi, po sjellim këtu paragraf pas paragrafi si ka qenë ligji dhe si është bërë. Kjo për të kuptuar çfarë ka ndryshuar realisht ky amendim që thjesht po imponon një lojë interesash:

Neni 22, pika 3(shfuqizohet me ndryshimet e reja)

“3. Këshilli i Ministrave ndalon ose kufizon importin e mbetjeve, që destinohet për incinerim, kur ky operacion klasifikohet si rikuperim dhe vlerësohet se:

a) një gjë e tillë është e nevojshme për të mbrojtur rrjetin e impianteve të trajtimit të mbetjeve;

b) importe të tilla mundësojnë trajtimin ose asgjësimin e mbetjeve të vendit me mënyra që nuk përputhen me planet përkatëse të menaxhimit të integruar të mbetjeve”.

Neni 48 në ligjin e vitit 2011 është i formuluar si më poshtë:

Ndalimi i importeve dhe kalimeve transit të mbetjeve

1. Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.

2. Ndalohet në të gjitha rastet kalimi transit ndërkufitar i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.

3. Ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme për qëllim ruajtjeje ose asgjësimi në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas ndryshimeve të tanishme ky nen riformulohet:

“a) Pika 1 riformulohet si më poshtë:

“1. Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë”.

b) Pas pikës 2 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:

“3. Ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme, për qëllim ruajtjeje, asgjësimi ose incenerimi në  Republikën e Shqipërisë”.

Ndryshimet nuk prekin nenin 47 që flet për incinerimin e mbetjeve në Shqipëri, gjithnjë një dispozitë që flet për kapacitetin ekzistues të industrisë në realizimin e këtij procesi që nesër i hap rrugën heqjes edhe të këtij ndalimi.

Neni 48 shtohet me një pikë tjetër që është edhe kryesorja në debatin që ka nisur:

Importi i mbetjeve jo të rrezikshme

1. Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet e ngurta jo të rrezikshme, të listës së gjelbër, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit, për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvendësues, të lëndëve të tjera nga burime jo të rinovueshme, që përdoren nga industria, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3, të nenit 48, të këtij ligji.

2. Procesi i kontrollit dhe zhdoganimit përfundimtar të mbetjeve, sipas pikës 1, të këtij neni, kryhet në jo më shumë se tre pika doganore që kanë kapacitetet teknike dhe njerëzore për monitorimin e tyre. Këto pika caktohen nga ministri përgjegjës për financat dhe ministri përgjegjës për mjedisin.

3. Organizatat e shoqërisë civile kanë të drejtën e monitorimit në pikat doganore të caktuara për kontrollin dhe zhdoganimin e mbetjeve. Ato paraqesin kërkesë me shkrim për pajisjen me autorizimin nga ministri përgjegjës për mjedisin, që lejon kryerjen e këtij monitorimi. Drejtuesit e pikave doganore kanë detyrimin e lejimit të kryerjes së monitorimit pa kufizim.

4. Importimi mbetjeve, sipas pikës 1, të këtij neni, është i mundur vetëm me autorizim të ministrit.

5. Kërkesa për autorizimin e importit paraqitet në ministri.

6. Autorizimi i importit të mbetjeve jo të rrezikshme, sipas pikës 1, të këtij neni, lëshohet vetëm në përputhje të plotë me këtë ligj dhe akte të tjera në fuqi.

7. Autorizimi për importin e mbetjeve jo të rrezikshme, sipas pikës 1, të këtij neni, është i vlefshëm për një periudhë kohe deri në dy vjet dhe i jepet vetëm atyre subjekteve, të cilat janë licencuar për ushtrimin e veprimtarisë së riciklimit dhe që posedojnë infrastrukturë riciklimi. Autorizimi i nënshtrohet kushteve të përgjithshme, të përcaktuara në rregulloret e miratuara në zbatim të këtij ligji, si dhe çdo kushti specifik që lidhet me rastin konkret.

8. Në autorizimin e importimit të mbetjeve, sipas pikës 1, të këtij neni, përcaktohen:

a) lloji i mbetjeve për importin e të cilave lëshohet;

b) standardet që lidhen me ambalazhimin dhe etiketimin e mbetjeve dhe dokumentet

shoqëruese gjatë transportit të tyre;

c) kërkesat për monitorimin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve.

9. Kërkuesi i autorizimit të importit të mbetjeve jo të rrezikshme duhet të provojë se janë shfrytëzuar të gjitha mbetjet, sipas llojit dhe kodit.

10. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton listën e mbetjeve, sipas pikës 1, të këtij neni, që lejohen të importohen dhe rregullat për zbatimin e këtij neni, si dhe rregullat e transparencës në lidhje me këtë import.

11. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton rregullat dhe procedurat për importimin mbetjeve për përdorim, përpunim, riciklim dhe si zëvendësues, për zbatimin e këtij neni”(https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2016/09/ligj-nr.-92-dt.-22.9.2016.pdf).

Ndërkohë importi i mbetjeve jo të rrezikshme është në fuqi me ligjin e vitit 2011 në nenin 49 që mbetet në fuqi. Pra nga ligji i vjetër, në kreun “Importi dhe eksporti i mbetjeve”, ndryshimet e tanishme bëjnë një riformulim të nenit 48, pika 1, që është në thelb e njëjta gjë dhe shtojnë nenin 48/1. Të gjitha dispozitat e tjera mbeten në fuqi dhe aty kurrkund nuk flitet për import mbetjesh për qëllime incinerimi apo asgjësimi. Madhe ky i fundit ndalohet në pikë 3 të nenit 48.

Thjesht ndryshimet janë artifica “etike” për të hapur importin të cilin Edi Rama e bllokoi në vitin 2013 për interesa dhe qëllime populiste. Ligji i vitit 2011 mund të lexohet këtu: http://www.mjedisi.gov.al/al/programi/mbetje-dhe-ndotje-industriale/mbetje"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.