Drogën nuk ua solla unë, atë e gjeta mes jush/Propagandë me parimin: Shqiptarët janë budallenj
“Kjo është e vërteta që nuk na kanë thënë deri tani”. Kështu e titullon kryeministri Edi Rama një video që poston në Facebook, e ku jepet një hartë e kultivimit të kanabisit në Shqipëri në vitet 2007-2013. Harta na thotë se është përpiluar mbi të dhënat sekrete të policisë të cilat nuk janë bërë publike për të lënë vetëm Lazaratin si pikë të njohur të kultivimit. Konkluzioni propagandistik: Drogën nuk e solla unë, atë e gjeta mes jush.
Kjo përpjekje vjen në një kohë kur ideja e një Shqipërie të drogës dhe të plehrave po zë vend dhe po ngulitet krahas dëshpërimit të përgjithshëm që krijon një qeveri e korruptuar dhe e dështuar. Mirëpo një pyetje është thuajse automatike kur sheh videon: Pse nuk na e kënë thënë këtë të vërtetë më parë? Pse u lejua që ne të “ngatërrohemi” sërish me lojërat e Saliut që na mbushi mendjen se droga është përhapur?
Këtë punë mund ta bënte shumë mirë policia e drejtuar nga Sajmir Tahiri, i cili në kuadër të luftës kundër drogës shpalli vetë një prioritet për përmbushjen e të cilit përdori edhe armët: Droga si ekskluzivitet i Lazaratit. Mundet që këto të dhëna t’i shërbeheshin publikut shqiptar më parë, për të bërë trasnparencë, për të bërë të kuptohet se në ç’gjendje ishim. Publikimi i tyre do të kërkonte patjetër organizimin e goditjeve, do të bënte luftën ndaj drogës një front të vërtetë, çka nuk duket se është prioritet i kësaj qeverie, e cila e ka kanabisin serum për ekonominë. Kjo është kaq e vërtetë saqë ky kryeministër që sot kërkon të shesë këtë video, nuk është në gjendje të na përgjigjet se për cilën arsye, Operative apo Politike, nuk arrihet të kapet Klement Balili.
Një propagandë postum siç ndodh me këtë video, apo edhe me rastin e ligjit të importit të mbetjeve niset nga dy premisa hipotetike: ose qeveria me kryeministrin janë karabushë dhe mëndjemëdhenj dhe nuk kuptojnë, ose këtu ka një djallëzi dhe ligësi që po kthehet në rrezik të vërtetë për lirinë dhe stabilitetin. Një djallëzi që kërkon të mbulojë duke luajtur naivin zullumin që gatuhet dhe një ligësi e cila merr ekzistencë te konstatimi se “shqiptarët janë budallenj dhe harrojnë shpejt”. Dhe nuk është se të dyja nuk kanë bazë. Vetëm se të ndërtosh politika të tilla, kriminale, duke kapitalizuar këto dy defiçenca politike është e rrezikshme, amorale dhe provon se projekti politik ka vetëm një vektor: pasurim dhe vjedhje.
Sa për videon mjerane të kryeministrit ajo është vetëm një autogol pse kanabisi është bimë me cikël vjetor, çka do të thotë se në kushtet kur të dhënat sekrete të zonave të kultivimit i ke, është e pafalshme që ky kultivim të vijojë po njësoj pa u rrudhur fare territori i shfrytëzimit.
Add new comment