Rilindja, ose Rrumpalla 2.0
Gazeta “Shekulli” publikon sot një fjalë të ministrit aktual të Rinisë dhe Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, mbajtur më 3 tetor 2013 në Parlament. Pra pasi socialistët kishin ardhur në pushtet e po bëheshin gati të nisnin jetësimin e Rilindjes së Shqipërisë. Siç mund të lexohet këtu: http://www.shekulli.com.al/p.php?id=496392&importimi-i-mbetjeve-nje-aksion-thellesisht-antidemokratik, ministri Klosi, asokohe vetëm një deputet, e cilëson importimin e mbetjeve një “aksion thellësisht antidemoratik”. Duke lënë mënjanë idiotizmin e një teze të tillë që gjykon një çështje me karakter tregëtar në prizmin e funksionimit të sistemit politik, theksojmë faktin se rëndësi ka qëndrimi “jo” i Klosit sesa argumentimi. Sepse aty dekonspirohet edhe ajo etika e fasadës për të cilën shkruan zyrtari socialist.
Çështja pra nuk është edhe aq a duhet lejuar apo jo importi i mbetjeve, por ndryshimi i qëndrimeve të një force politike që na vjen kështu nga dossieri i “Shekulli” përmes shpërfytyrimit të deputetëve, mnistrave dhe vetë kryeministrit Edi Rama. Sepse tjetër votojmë e tjetër shohim rrugës. Dhe kjo na provon se asgjë nuk e kushtëzon pushtetin/et në Shqipëri, as kundërshtimi i njerëzve, as fjala dhe as protesta, se ne nuk jemi pjesë e asaj që quhet kontratë politke. Pushteti e ka votën artificë që plotëson lloj lloj pazaresh të cilat janë në fakt edhe premisa e vërtetë ku mbahet ekuilibri politik. Kjo që po bëjnë sot socialistët është një leksion shumë i hidhur për të gjithë, sepse provon fare në mënyrë arrogante se gënjeshtra dhe mashtrimi po kërkohen të legalizohen si normë. Mundet të shihet edhe “teknikisht” sesi supa e radhës po shërbehet në mënyrë cinike: kryeministri nuk doli vetë të sqaronte qytetarët se përse ka ndryshuar mendim. Jo. Ai preferoi të nxirrte një personazh fare pa relevancë politike si Eduard Shalësi për të lëshuar mufkën e cila mandej në kohë rekord gjeti konsensus nga të gjitha palët. Përfshirë edhe LSI-në që në një shfaqje tragjikomedie po bën së fundmi “filtruesin e plehrave” duke kërkuar ndryshimin e ligjit përkatës.
Nëse do të kërkohej një metaforë e boshtit moral politik të kësaj mazhorance ky hap i marrë së fundmi do të ishte më ideali. Sepse ai nuk ka ardhur si pasojë e nevojave, ai nuk është modifikim programor nisur nga kontakti i ri i ish-opozitës me realitetin, as nuk përbën një masë të përkohshme. Jo. Ligji për importin e mbetjeve është Ndryshim Politike, kuptohet nëse me politikë kemi parasysh atë që na është thënë zyrtarisht si në rastin e Klosit.
Kurajua për të ndërmarrë këtë akt na flet sesa shumë është konsumuar vlera jonë si qytetarë në sytë e politikës dhe në llogaritë e saj. Jo vetëm për shkak të një vote “të pakushtëzuar” si në rastin e Dibrës, por edhe sepse aktualisht mazhoranca dhe Kryeministri, po kanë sukses të plotë në neogociimin e çdo gjëje dhe të çdo pazari edhe me opozitën parlamentare. Kaq i mjafton pushtetit për të shpërfillur çdo reagim dhe ndjeshmëri, për të shtyrë me heshtje çdo pakënaqësi pasi siç po shihet në finale tregu i votave nuk ndryshon.
Në një plan më të përgjithshëm, qeverisja e sotme ka nisur t’i ngjajë përherë e më shumë 8 vjeçarit të qeverisë Berisha. Arrogancë dhe shkelje ligjesh, probleme të prodhuara vetë me pronat, një polici selektive dhe pa etikë, gënjeshtra me statistikat, një ekonomi që është pre e eksperimenteve gjithfarëshe për të ardhur te konsensusi i pathyeshëm i përdorimit të pasurisë publike për klientë preferencialë.
Ndryshimi i vërtetë i kësaj gjendjeje do të dukej te vullneti për të zbardhur shumë gjëra dhe për të goditur shfaqje të ngjashme brenda vetë qeverisë. Këtë na tha Sali Berisha me “duart e pastra” në vitin 2004, këtë edhe Edi Rama me Rilindjen në vitin 2013. Në fakt asgjë nuk ndryshon përpos njerëzve dhe drejtorëve: kjo është qeveria e vazhdimësisë së tranzicionit që nuk njeh as din e as iman përveç interesave personalë të një grupi, që shtetin e ka hambarin e vet të pasurimit.
Dikur këtë situatë Edi Rama e përkufizoi me një fjalë: Rrumpalla. Madje dikur edhe Sali Berishës i fliste Doktor Rrumpalla. Ia njohën për neologjizëm të gjetur dhe me siguri e ka ditur që do të ngjiste. Sepse një nga defiçencat demokratike tonat është edhe rendja pas fjalëve e jo veprave, pas dukjes e jo punës. A nuk ka sukses ende sot Ed Batutaxhiu që ka si punë të dytë atë të Kryeministrit?!
Rrumpalla vazhdon e do të vazhdojë derisa ajo shkëndijë që lindi me protestën kundër armëve kimike (pavarësisht sesa dakord jemi me qëndrimin dhe kërkesat e saj) të kristalizohet si model i qëndrueshëm në sjelljen tonë. Përndryshe do të na tërheqin zvarrë e do të na tallin pas perdeve ku ndajnë paratë publike.
Add new comment