Kodi i ri Zgjedhor, një negociatë përmes kërcënimit
Mazhoranca nuk ka ndërmend të angazhohet për një Kod të ri Zgjedhor. Të paktën kështu është shprehur kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp në Bruksel me Federica Mogherinin.
“Nuk kemi në plan për të miratuar një Kod të ri në parlament, por kemi diçka të bazuar në raportet e Misionit të OSBE-ODIHR dhe jemi të gatshëm për ta bërë këtë në mënyrë të hapur dhe dialog konstruktiv me opozitën”, tha ai.
Ndërkohë opozita parlamentare ka kërkuar ndërhyrje thelbësore për të garantuar siç thotë ajo “zgjedhje të lira e të ndershme”.
Opsionet politike në këtë kuadër janë ato që tërheqin pse godasin parti si LSI-ja që po merr nga të dy krahët mesazhe bashkëpunimi. Nëse kjo që thotë Rama është qëndrim real, ajo do lexuar si ofertë e hapur për bashkëpunim dhe koalicion me Ilir Metën të cilit i ofrohen kështu të njëjta kushte si në vitin 2013.
Por këto ditë kanë qarkulluar disa “teza” për ndryshimin e sistemit gjoja në emër të mbrojtjes së parlamentit nga depërtimi i elementëve kriminalë. Një sistem me prim si ai grek, që do të thotë se partia e parë automatikisht merr shumicën dhe krijon qeverinë, ose lista preferenciale ku ata që votohen më shumë edhe hyjnë në Parlament.
Në të dyja rastet kërcënimi është i hapur për LSI-në dhe PD-në, pasi statistikisht si parti, PS-ja del përherë parti e parë. Kjo çon në krizë, për më tepër që Parlamenti të miratonte këtë gjë, do të duhet që PD-ja të jepte konsensusin. Diçka e pagjasë. Nga ana tjetër sistemi e prim e kushtëzon koalicionin eventual me një marrëveshje paraelektorale, por për ata që e ndjekin politikën ka vetëm një garanci absolute: Pabesia e Edi Ramës dhe cinizmi i tij ndaj termit Marrëveshje. Pra të besosh në kësi marrëveshjesh pa asnjë instrument kushtëzues është të bësh vetëvrasje politike.
Listat preferenciale janë një demagogji kur lidhen me dekriminalizimin, pasi shumë prej deputetëve që sot cilësohen si subjekte të ligjit për dekriminalizimin janë të votuar.
Ky mekanizëm thjesht do të bënte që Edi Rama që deri më sot u mbrojt duke nxjerrë përpara Dëshminë e Penalitetit, nesër të sigurojë të njëjtën mbështetje në zona të vështira, por duke thënë se “i votoi populli”.
Në çdo rast mesazhi i sotshëm i kryeministrit ka rëndësi pse është në vetvete një negociatë për zgjedhje duke kërcënuar.
Add new comment