Demarkacioni me Malin e Zi, qeveria e Kosovës: Nuk pranojmë asnjë kushtëzim. Do të argumentojmë qëndrimin tonë
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka deklaruar sot nga mbledhja e qeverisë se për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi nuk do të pranohen kushtëzime nga askush. Ai ka sqaruar se heqja nga rendi i ditës i saj është bërë për shkak të presioneve dhe kërcënimeve fizike ndaj deputetëve të ndryshëm, duke shtuar se qeveria do të nisë një fushatë takimesh dhe konsultimi për të sqaruar dhe argumentuar qëndrimin e saj.
“Unë nuk iu kam adresuar asnjë subjekti politik në mënyrë të veçantë për kushtëzime. Kushtëzime s’do të pranojmë nga askush. Ajo që tani konsideroj se duhet ta bëjmë, është të zhvillojmë konsulta me të gjithë aktorët.
Sot kam takime dhe me Policinë Kufitare që të na japin informata se në cilën pikë e kanë menaxhuar kufirin. Do të bisedojmë me të gjithë. Iu kisha lutur edhe juve si ministra që edhe në fushëveprimin tuaj t’i sqaroni të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me atë pjesë të kufirit. Të mos lëmë asnjë dyshim dhe kur t’i ballafaqojmë faktet atëherë mbetet çështje e vullnetit politik. Duhet të krijojmë një klimë të argumentimit”, ka thënë Mustafa, raporton “Koha Ditore”.
Kryeministri ka shtuar se kushtëzimi që i bëhet liberalizimit të vizave me demarkacionin e lë përgjegjësinë te qeveria e Kosovës dhe askush tjetër. Ndaj zgjidhja e këtij problemi është prioritar
“Çështja tani mbetet tek ne. Ne nuk mund ta fajësojmë më askënd për mosliberalizim. Mbetet që vendimin ta marrim ne me ratifikimin e demarkacionit. Do të punojmë dhe me opozitën. Do të takohemi me të gjithë ata që kanë vullnet të takohemi. Para procedimit do të dëshiroja të punojmë që çdo gjë ta argumentojmë”, ka thënë Mustafa.
Add new comment