Qeveria kërkon para në Kinë për Korridorin e Kaltër
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati ka marrë pjesë në forumin e bashkëpunimit ekonomik “Shqipëri-Kinë, miqësi e vjetër, partneritete të reja”, zhvilluar në Kinë. Me ministrin ka qenë edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jakaj, në një përpjekje për të promovuar Shqipërinë. Bushati ka folur për nevojën e investimit në atë që Programi i PS-së e quante Korridori i Kaltër, e për të cilin në katër vite qeverisje është folur vetëm dy herë.
“Sot ne kemi rënë dakord për një hartë lidhëse të të gjithë rajonit dhe e kemi të qartë se si duket dhe si do të jetë rajoni ynë deri në vitin 2020-2030 nga pikëpamja e ndërlidhshmërisë. Këtu i referohem korridoreve qendrore të infrastrukturës që do të lidhin portet, aeroportet dhe pikat kryesore të ekonomisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Për ne prioritet ka përfundimi i autostradës Adriatiko-Joniane, e quajtur ndryshe “Korridori Blu”, i cili do t'i jepte një dimension të rëndësishëm unazës së turizmit mesdhetar”, deklaroi Bushati.
Kjo ofertë e ministrit shqiptar ngjan disi paradoksale. Një vit më parë qeveria shqiptare inicioi një projektligj që legalizonte një procedurë të veçantë për ndërtimin e rrugës së Arbrit. Procedura duhet të lehtësonte investimin e palës kineze, investim i cili nuk erdhi kurrë. Sikundër nuk u mësua ndonjëherë se për cilën arsye kinezët nuk hodhën hapin që iu premtua kryeministrit Edi Rama në Samitin e Bukureshtit.
Mirëpo dje kryeministri ka deklaruar në Dibër se rruga e Arbrit nuk u bë për mungesë fondesh, edhe pse u ripremtua. Në këto kushte, kur partneriteti me kinezët, i promovuar shumë në qeverisjen e majtë, nuk ka sjellë ndonjë arritje kushedi, çfarë vlere ka kërkesa për fonde në Kinë?
Ndoshta kjo lidhet me vështirësinë për të gjetur investime për projektet infrastrukturore në Shqipëri, projekte të cilat duket se nisin që në fillesë pa analizë ekonomike.
Rruga Durrës-Kukës, u ndërtua me para të buxhetit, por kushtet e konçesionimit të saj janë me shumë kosto për qytetarët. Po kështu edhe kërkesat e palës kineze për konçesionimin e rrugës së Arbrit ishin: nën një qarkullim prej 7 mijë mjetesh në ditë, paguante qeveria shqiptare konçesionarin. Në të dyja rastet, pra nuk ka një interes privat për të kërkuar me konçesion një rrugë që në ndërtimin e saj. Dhe kjo do të thotë që tek ai projekt askush nuk sheh fitim. Praktika ndërkombëtare është që janë privatët që shprehin interes për një projekt, të cilin e financojnë, mandej fitojnë nga shfrytëzimi i tij. Nga qeveria kërkohet leja dhe miratimi për zhvillimin. Në kësi rastesh biznesi privat nuk shmang riskun që është karakteristike për të, por sheh një mundësi të cilën e financon. Ndryshe në Shqipëri, ku projektet premtohen pse duken bukur në letër, apo për llogari elektorale. Mbetet për t’u shpresuar se në rastin e Korridorit Blu, apo të Kaltër, pala kineze të shohë ndonjë fitim që mandej të zgjidhë qesen. Edhe pse teza e Buashtit se ky aks plotëson unazën Mesdhetare të turizmit është më shumë si skenar dokumentari, sesa plan pune.
Add new comment