Landfilli i Sharrës, çfarë fshehin Bashkia e Tiranës dhe Erjon Veliaj?

Postuar në 25 Gusht, 2016 15:20

Faqja pranë qeverisë shqiptare, apo më saktë kabinetit të kryeministri Edi Rama, “lexo.al”, ka dalë sot me një version të vetin për çështjen e gazetares Alida Tota dhe investigimit për landfillin e Sharrës. Pasi e vendos të gjithë problemin mbi kontesktin e një hakmarrjeje të Koço Kokëdhimës ndaj Erjon Veliajt për shkarkimin nga ky i fundit të drejtorit të Ujësjellësit të Tiranës, Neritan Gjodeshi, “lexo.al” jep këtë konkluzion:

Kokëdhima dhe Gjodeshi kanë shfrytëzuar vdekjen aksidentale të një të riu në fushën e plehrave dhe kanë urdhëruar gazetaren e PD-së Alida Tota për të investiguar çështjen, me shpresën se do të gjenin mjaftueshëm informacion, prova e fakte, për të sulmuar më pas armikun e tyre të vërtetë, Erion Veliaj. Por kur gazetarja Tota nuk ka mundur të gjejë asnjë fakt kompromentues për Bashkinë apo Kryetarin Veliaj dhe kur të gjitha pretendimet e saj shkonin në adresë të drejtuesve të tjerë të bashkisë, të partive të tjera të koalicionit të majtë, parti pranë të cilave Kokëdhima sot është shumë pranë, Gjodeshi është urdhëruar nga ish -deputeti socialist për të pushuar nga puna gazetaren e televizionit A1Neës.

 Andaj, historia është e thjeshtë. Alida Tota është bërë kokë turku e Koço Kokëdhimës dhe Neritan Gjodeshit. Të cilët e punësuan të vetëdijshëm se ajo ishte gazetare pranë PD-së, madje kishte kandiduar edhe në forumet e demokrateve, me shpresën se gazetarja do ishte e etur për të investiguar skandalet e maxhorancës e sidomos Veliajt. E kur gazetarja nuk arriti të nxirrte në pah asgjë që i shërbente Koços, ky i fundit e flaku në rrugë, njësoj sic ka bërë me të gjithë gazetarët e tjerë të punesuar në gazetat, radiot, apo televizionet e tij”. 

Ky lloj konkluzioni kuptohet që nuk i mbush mendjen askujt, ndonëse hedh dritë mbi faktin pozitiv se çështja e landfillit të Sharrës ka shqetësuar jo pak, Erjon Veliajn, që e ka mbyllur gojën dhe nuk flet, por edhe kryeministrin që duhet të mbrojë beniaminin e vet. Kjo është një çështje nga e cila Kokëdhima mund të nxjerrë përfitime, por ajo nuk është një çështje mes Bashkisë dhe ish-deputetit socialist. Ajo i përket të gjithëve.Faktet janë të thjeshta, qoftë edhe duke nisur nga kjo analizë kafeneje që na përcjell indirekt kryeministri.

Së pari, nëse investigimi nuk do të ishte i qëlluar, apo do të adresonte akuza e implikime drejt këshilltarëve të LSI-së me të cilët sot Kokëdhima është afërt, ky i fundit nuk e publikonte fare. Por edhe sikur këto akuza të çojnë drejt LSI-së, sa e largon kjo përgjegjësinë e kryetarit të Bashkisë, i cili u lodh duke na deklaruar se u shërben qytetarëve, e jo stabilitetit të koalicionit. Ky konkluzion ka rëndësinë e vet sepse merret me një interpretim që nuk vjen nga një media, por nga një zyrë pranë kreut të qeverisë, që sot përdor Kokëdhimën si rrufepritës.

Së dyti, shkrimi përpiqet të rrëzojë skandalin duke e relativizuar atë me banalizimin e shkarkimit të një gazetareje. Mirëpo çështja në tërësi ka nxjerrë emra kompanish, implikim të bashkisë së Tiranës, kryetarit të saj, bordero etj.. Investigimi tjetër, ai i BIRN-it i cili akuzonte hapur Erjon Veliajn, nuk u publikua nga gazeta “Shekulli”, e cila kishte kështu një rast të mirë që t’i tregonte gazetares Tota sesi punohet, po të përdorim metrin e faqes pranë qeverisë shqiptare. Heshtja me të cilën u mbulua investigimi i BIRN flet për të kundërtën, pra që Veliaj dhe qeveria kanë nxituar të blejnë drynin në media.

Ky është një shqetësim më vete, njësoj si shqetësimi se përpjekje si këto të sjella nga “lexo.al” e nxjerrin ekzekutivin në dritën e përgënjeshtrimit të “transaprenca.al”, të cilën e ka bërë në “turbullira.al”.

Sot që flasim Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj nuk kanë një sqarim për atë që ka ndodhur, pa folur për projekte të tjera për landfillin, që ose nuk janë miratuar, ose presin një kohë të dytë.  Dhe është një i vdekur në mes.

Në një ngjarje kaq të rëndë dhe me kaq pikëpyetje, kërkohen përgjegjësitë, por edhe zbardhja e së vërtetës. E cila duhet të vijë sa nga dyshimi dhe investigimi gazetaresk, aq edhe nga angazhimi i opozitës, organeve ligjzbatuese, por edhe prononcimit të Bashkisë. Janë palë në këtë proces që është interes publik. Dhe ky interes publik mundet të ketë si premisë shumë të mirë, disa pyetje që as “lexo” dhe as Bashkia nuk preferojnë t’i marrin në konsideratë:

Së pari, akoma nuk kemi asnjë sqarim nga Bashkia e Tiranës (apo nga Lexo.al) mbi statusin ligjor "të të riut" që humbi jetën në Sharrë. A ishte i punësuar jolegal në atë landfill? Ka disa dëshmi që thonë se po, Arditi punonte në shoqërinë “3R” në formë të paligjshme.

v  Që këtej edhe pyetja e dytë:  A ka patur të tjerë të punësuar të shoqërisë “3R” të pasiguruar në landfillin e Sharrës? Sa e vështirë është për këdo që jep verdiktin se “fajin e ka Kokëdhima” të sigurojë deklaratën e të punësuarve të kësaj shoqërie?

v  Cila ka qenë forma kontraktuale e bashkëpunimit “3R” me Bashkinë e Tiranës: Prokurim në bazë të ligjit të prokurimeve publike? Investim strategjik? Koncesion apo PPP? Përse Bashkia nuk sqaron asgjë në këtë drejtim?

v  Cili ka qenë modeli i shpërblimit financiar të shoqërisë “3R” për shërbimin e kryer? D.m.th, e thënë troç: sa ka fituar në një muaj shoqëria “3R” dhe sa ka investuar ajo, nëse ka investuar?

v  A ka pasur (deri dje) interesime nga palë private për landfillin e Sharrës, në çdo formë biznesi qofshin këto?

v  A ka realizuar Bashkia studime fizibiliteti mbi landfillin e Sharrës dhe a ka ndonjë ide mbi formën e vënies në përdorim e shfrytëzim të këtij landfilli?

v  A ka studim të impaktit mjedisor për çdo formë të mundshme operimi që njihen qoftë dhe në praktikat ndërkombëtare për një landfill si ky i Sharrës?

v  A ka studim strategjik për çështjen e mbetjeve në qarkun Tiranë? Çfarë planifikon të bëjë Bashkia në vitet e qeverisjes vendore të Veliaj?

 

Nga trajtimi i këtyre pyetjeve merr një përgjigje pyetja sesi ishte ndërtuar ky aktivitet ekonomik. Të cilit deri më sot i mungon çdo e dhënë ligjore për ta justifikuar atë. Kjo ka rëndësi si për qytetarët, ashtu edhe për Bashkinë, pasi nëse procesi ligjor do të ishte shteruar normalisht, çdo aksident si ai me Arditin, do të trajtohej konform rregullave dhe protokolleve që ndiqen në kësi rastesh.

Është pikërisht mungesa e transparencës, teknika e përqendrimit të vendimmarrjes në një dorë, preferenca dhe shmangia e procedurave, ajo që zë mat shpesh drejtues si Erjon Veliaj. I cili po ndjek praktikën e shefit të tij me mbulim dhe fshehje të projekteve, që mandej mbrohen e shpallen si të dobishme sapo media i vë në dukje. Rasti i sheshit “Skënderbej”, një projekt i miratuar ku kryeministri shton ndonjë parkim në Facebook, është vetëm një. Tjetër është ai i Ujësjellësit, i cili njoftohet në media se do të privatizohet, se një lumë ofertash na qenkan paraqitur në Bashki. Edhe sikur të jetë vërtet kështu, informimi i qytetarëve nuk është më gusto dhe dëshirë e mirë e Veliajt, por detyrim ligjor.

Në vitin 2014 qeveria Rama kaloi ligjin 146/2014 "Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik". Neni 1 i këtij ligji shpreh qartë motivin në pikën 3:

"Ky ligj synon nxitjen e transparencës, të përgjegjshmërisë dhe integritetit të autoriteteve publike." Ndërkohë që neni 6 shpreh detyrimet për një ent shtetëror për të bërë publike në kohën e duhur një projektakt ndaj një publiku të gjerë mbi principet e gjithëpërfshirjes dhe mosdiskrinimit.

Në kontesktin e këtij detyrimi ligjor le të na thotë z. Veliaj, apo Bashkia, si qëndron e vërteta e privatizimit të Ujësjellësit të Tiranës:

a) Kur u dorëzuan këto oferta që shpallen se janë shumë?

b) Kur u bë publike nga ana e Bashkisë që UKT do të privatizohet? D.m.th, kush i njoftoi këta privatë që të sillnin oferta?

c) A ka realizuar Bashkia Tiranë një studim fizibiliteti për modelin e biznesit të UKT-së, vlerësimin e vlerës së UKT-së sot në treg, modelin e vlerësimit financiar, modelin e procedurës ligjore për të ndjekur në privatizim?

d) Kur do të bëhet gara për blerjen e UKT-së?

e) A ka akoma afat për të dorëzuar oferta të tjerë biznese?

Këto pyetje as që do të lindnin nëse z. Veliaj do të zbatonte ligjet që i ka miratuar qeveria ku ai bënte pjesë në vitin 2014. Janë ligje shumë të mira, që i lejojnë zotërisë që të iniciojë çdo projekt për ndërmarrjet publike, privatizim, konçesion, PPP etj., sepse ka edhe një mandat për këtë. Do të kishte shumë pak dhimbje koke për gjithkënd nëse këto ligje do të zbatoheshin ashtu siç janë shkruar.  Natyrisht edhe Bashkia do të kishte gojë të fliste sot që akuzohet se me veprimet e veta ka krijuar kushte që të vdesë një njeri në Sharrë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.