Kampet verore të PS-LSI me shkuma-party, ku rritet idhulli ndaj liderit
Dy partitë e koalicionit qeveritar, PS dhe LSI, po mbledhin sërish këtë vit në bregdetin e Jugut qindra mijëra të rinj e të reja në “Universitetet” politike të verës, që siç e kemi parë janë ndërkohë pushime dhe argëtime gratis për pjesëmarrësit, anëtarë të FRESH-it dhe LRI-së. Sa kushtojnë? Kush paguan për këto kampingje masive? Pyetjet janë në etër, por vëmendja e publikut rinor shqiptar shkon diku tjetër kësaj radhe.
A peshon në kampingjet eurosocialiste të bregdetit jonian tragjedia e të riut shtatëmbëdhjetë vjeçar, Ardit Gjoklaj, që humbi jetën në landfillin e Sharrës ku kishte shkuar për të punuar turn i tretë në seleksionimin e mbeturinave për të nxjerrë lekët e librave dhe veshjeve të shkollës?
A do të mbahet një minutë heshtje për Arditin, a do të diskutohet problematika e mprehtë që ngërthen tragjedia e tij, mbrojtja në punë e të rinjve dhe të rejave, kostot e shkollimit të tyre, varfëria që i detyron të bëjnë punë të papërshtashme, koncensionet vrasëse ku etja e padronëve për fitime shkel pa mëshirë deri mbi jetën e të rinjve….
Vështirë. Vështirë se do të debatohet për çështje të tilla. Urojmë që zhvillimet të na përgënjeshtrojnë. Të gjitha këto problematika shumë të mprehta për brezin e ri të akuzojnë pikë së pari qeverinë dhe partitë që kanë organizuar e paguajnë shkollat verore me rroba banjo.
Deri më sot publiku as ka parë as ka dëgjuar që pjesëmarrësit në to të ngrënë probleme, të debatojnë, të venë gishtin në plagë, të kundërshtojnë fjala vjen tarifat e arsimit të lartë, të kritikojnë, të akuzojnë, të indinjohen për këtë që po ndodh me drogën nën hundën e qeverisë dhe policisë.
I ka parë duke u argëtuar në shkuma-party e mbrëmje të ndezura. I ka parë duke brohoritur liderët kur këta shkojnë t’i përshëndesin, dhe ky është me sa duket çmimi i pushimeve gratis. Nëse këto skena të shëmtuara përsëriten këtë vit, shëmtimit do ti shtohet cinizmi, pashpirtësia e skajshme.
Kur nuk debatohet për problemet e brezit në kontekstin shqiptar të vështirësive që kanë familjet e thjeshta dhe shtresat në nevojë këto organizime kot që quhen shkolla vere të rinisë së majtë në pushtet.
Ato rrezikojnë të degradojnë në fidanishte të vesit ku kultivohet idhujtaria e verbër ndaj liderëve, qyli, ëndrra e jetuarit mirë dhe pasurimit përmes politikës. Domethënë abuzimit me të.
"Panorama"
Add new comment