Vëzhgim: PS-ja nuk ka me kë ta zëvendësojë Fatmir Xhafën
Partia Demokratike ka paraqitur një kërkesë për largimin nga Komisioni Parlamentar për Reformën në Drejtësi, të Fatmir Xhafës, kryetar i tij, deputet i Partisë Socialiste. Arsyeja është bërë publike: PD-ja pretendon se vëllai i Xhafës është i kërkuar për trafik droge në Venezuelë.
Por që PS-ja të tërheqë Xhafën, do t’i duhet ta zëvendësojë atë me një tjetër emër. I cili, siç na e thotë logjika, duhet të vijë nga fusha juridike. Jo më kot ishte Fatmir Xhafa i zgjedhur i PS-së deri më tani, pasi ai ka profesionin e juristit.
Mirëpo nëse i hedh një sy përbërjes së Grupit Parlamentar të PS-së(https://www.parlament.al/atribut/grupet-parlamentare/grupi-parlamentar-i-partise-socialiste/), konstaton se aty mungojnë juristët. Ose më saktë: mungojnë Parlamentarët juristë që mund të kryejnë detyrën e vështirë të drejtimit dhe negociimit për çështje si reforma në drejtësi.
Nga aq sa publikohet në faqen e mësipërme, e vemtja juriste mes deputetëve të PS-së, është Vasilika Hysi. E cila nuk ka drejtuar asnjë komision deri më sot dhe nëse i referohemi kohës së opozitarizmit socialist, nuk gëzon ndonjë farë reputacioni. Por kjo nuk e përjashton apriori.
I dyti është Vexhi Muçmata, një profesionist i fushës, por që ka qëndruar përherë larg protagonizmit politik, i cili në një proces si reforma në drejtësi, është i pashmangshëm. Rrjedhimisht Muçmata është për nga qëndrimi i deritanishëm, por edhe për nga karriera profesionale, larg të qenit një kandidaturë eventuale për zëvendësimin e Xhafës.
PS-ja fillimisht kishte dy juristë të tjerë: Sajmir Tahirin dhe Damian Gjiknurin, të dy kanë dorëzuar mandatin për shkak të pozicionit të ministrit. Si do bëjë vallë PS-ja nëse Xhafa duhet të bëjë gati valixhen? Me siguri që vendi i hapet Taulant Ballës, i vetmi që ja thotë të paktën nga zhurma parlamentare.
Add new comment