Alarm në Shtabin grek, helikopteri turk ulet në Greqi, 8 ushtarakë kërkojnë azil
Tetë pjesëtarë të forcave ajrore turke kanë këkuar strehim politik në Greqi. Ata u futën rreth orës 12,00 në hapësirën ajrore greke dhe kërkuan të uleshin në një prej aeroporteve të afërta, për arsye të një defekti teknik.
Përpara kësaj, avionë luftarakë grekë, të tipit F-16 u ngritën nga baza e Limnos dhe shoqëruan helikopterin, që nuk kishte paraqitur plan fluturimi. Përfundimisht, helikopteri i tipit Black Haëk, u ul në aeroportin e Aleksandropolit, qytet grek, rreth 300 km larg nga Stambolli.
Shtatë prej tetë personave që ndodheshin në bord, kishin uniforma të forcave ajrore turke. Sipas agjencisë greke të lajmeve, ANA-MPA, ata ishin 3 majorë, 3 kapitenë dhe 2 rreshterë. Menjëherë pas uljes së helikopterit, ata u dërguan në drejtorinë policore të Aleksandropilit, ku po mbahen. Aty, ata kërkuan azil politik në Greqi.
Shtabi i përgjithëm i forcave të armatosura greke, lëshoi një njoftim për shtyp, ku thuhet se helikopteri do të kthehet mbrapsht, në Turqi. Sa i përket kërkesës së tetë personave për azil politik, shtatmadhoria greke thotë se kërkesa e tyre do të shqyrtohet nga autoritetet kompetente. Sipas mediave greke, ata janë pjesëtarë të grupit që kreu tentativën për grusht shteti, mbrëmjen e të premtes, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Add new comment