Fotoja me Obamën, ja argumentat ligjorë të PD-së për kallëzimin ndaj Ramës
"Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në vitin 2012, ka përdorur 80 mijë dollarë, për të bërë një financim të paligjshëm në fushatën elektorale në SHBA, nëpërmjet të cilës ka synuar të përfitonte një pjesëmarrje në aktivitetin që organizonte Presidenti i SHBA-së, dhe eventualisht të siguronte foto gjatë takimit me të.
Edhe pse legjislacioni amerikan, ndalon pjesëmarrjen e shtetasve të huaj në aktivitete të këtij lloji, përsëri Edi Rama, nëpërmjet veprimeve të tij, jo vetëm ka paguar 80 mijë dollar, por edhe ka tentuar të futet në një aktivitet të tillë, duke arritur të siguronte një foto spontane me Presidentin Obama. Veprime të tilla, passjellin nevojën e hetimit penal mbi këto aspekte:
a) Duke qenë e ndaluar pjesëmarrja në këtë aktivitet, pagimi i një shume të hollash (80 mijë dollarë), a përbën dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i një përfitimi financiar të parregullt, për një person (Bilal Shehu) që premton është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës nga personat të huaj që ushtrojnë funksione publike (Komisioni i Përbashkët për Mbledhje Fondesh)?
b) A është deklaruar ligjërisht disponimi i shumës prej 80 mijë dollar nga shtetasi Edi Rama, në kuadër të detyrimit të tij për deklarimin e pasurisë për vitin 2011, si Kreytar i Bashkisë Tiranë? A janë paguar taksat dhe detyrimet e tjera financiare ndaj shtetit shqiptar, për këtë shumë,
c) Si është siguruar shuma prej 80 mijë dollar nga shtetasi Edi Rama dhe a është ajo ligjërisht e justifikuar?
d) Nëse shuma prej 80 mijë dollarë nuk është deklaruar dhe nuk është ligjërisht e jusitifikuar, a është kjo shumë produkt i një vepre penale a veprimtarie kriminale të kryer nga shtetasi Edi Rama?
Qartësisht Edi Rama, ka konsumuar të paktën 3 vepra penale, nga veprimet e tij të kundërligjshme. Subjekt i veprës penale është i kallëzuari nga ana jonë, që ushtron atributet e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë. Subjekti i veprës penale për shkak të pozicionit të lartë publik dhe përgjegjësive që gëzon, jo vetëm duhet të zotërojë një njohje perfekte të legjislacionit por duhet që me anë të sjelljes së tij, e materializuar kjo në urdhra, akte ,veprime, të bëhet promotor i zbatimit model të ligjit për shkak edhe të influencës mbi masën e gjerë të kolektivitetit. Kryeministri në një vend demokratik duhet të jetë asgjë më pak se promotori dhe garanti i parë i Kushtetutës dhe i ligjeve të vendit dhe jo shkelësi i parë i tyre.
Marrja në përgjegjësi penale e Kryeministrit të një vendi, për veprime të kryera përapra marrjes së funksionit, nuk do të ndodhte për herë të parë në Shqipëri. Gjithashtu, edhe procedimi penal i një Kryeministri në detyrë, për akuzën e mashtrimit dhe pastrimit të parave, nuk do të ndodhte për herë të parë në Shqipëri.
BBC Neës, më 13 Korrik 2015 dhe 17 Shtator 2015, do të raportonte se për dyshime të ngashme, që kishin të bënin me mashtrim dhe pastrim parash në vlerën 55 mijë Euro, është proceduar penalisht dhe është në gjykim, edhe Kryeministri i Rumanisë z. Victor Ponta. Veprimet e dyshuara si kriminale edhe në atë rast kishin ndodhur përpara vitit 2012, kohë në të cilin ishte zgjedhur Kryeministër i Rumanisë. Pozita e posacme shoqërore nuk pengoi prokurorinë speciale antikorrupsion në Rumani, që ta merrte Kryeministrin Victor Ponta nën përgjegjësi penale dhe ta dërgonte për gjykim me akuzën e mashtrimit dhe pastrimit të parave.
Për këtë arsye, ne besojmë se me të njëjtën pavarësi dhe profesionalizëm, duhet të veprojë edhe Prokuroria Shqiptare, duke marrë nën përgjegjësi penale, Kryeministrin Edi Rama, për veprën penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, fshehjen e pasurisë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale (pastrim parash), të kryer në rrethanat si më poshtë:
A. Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike
Pagimi i shumës prej 80 mijë dollar, me qëllim sigurimin e pjesëmarrjes në një aktivitet të ndaluar për shtetasin Edi Rama, përbën ekzaktësisht ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe tentativë për mashtrim ndaj funksionarëve publik të huaj. I vetëdijshëm se e ka të ndaluar pjesëmarrjen në një aktivitet elektoral të Presidentit të SHBA Barack Obama, shtetasi Edi Rama, rezulton se i ka paguar shtetasit shqiptaro-amerikan Bilal Shehu, shumën prej 80 mijë Dollar, duke marrë premtimin nga ky i fundit, se ai do të arrinte të ushtronte ndikim të paligjshëm ndaj Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh, me qëllim lejimin e Edi Ramës për të marrë pjesë në këtë aktivitet. Me parat e paguara nga Edi Rama, dhe në bashkëpunim me të, shtetasi Bilal Shehu, ka arritur të sigurojë dy ftesa hyrjeje në eventin për mbledhjen e fondeve. Mirëpo, duke qenë se ftesa nuk mund të jepej në emrin e Edi Ramës, ka patur të shënuar emrin e bashkëshortes së Bilal Shehut. Kjo ka qenë arsyeje se përse shtetasi Edi Rama nuk është lejuar të futej në këtë event, duke i pamundësuar kësaj realizimin deri në fund të veprimtarisë së tij kriminale.
Pavarësisht se veprimtaria kriminale e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm me qëllim pjesëmarrjen në aktivitet, nuk është mundësuar, ky fakt nuk e përjashton Edi Ramën nga përgjegjësia penale, për konsumimin e veprës penale të parashikuar në nenin 245/1 të Kodit Penal “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Kjo për faktin se, sipas nenin 245/1 të Kodit Penal, vepra penale konsiderohet e kryer, pavarësisht nëse është realizuar ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara".
Add new comment