Kërkimet për gazin e Divjakës i janë dhënë një kompanie në vështirësi financiare?
Në 14 maj të këtij viti qeveria njoftoi zyrtarisht kompaninë kanadeze Zenith Energy Ltd si fituese e koncesionit për kërkimit të naftës dhe gazit në “Bllokun C” që përfshin fushën e pasur të gazit në Divjakë-Ballaj, me rreth 2.2 miliardë metra kub gaz (Burimi: Albpetrol sha). Një tjetër konçesion si “Blloku 4”, iu dha degës në Shqipëri të kompanisë “Shell”, që është tërësisht në pronësi të familjes mbretërore të Holandës, e cila gjithashtu, së fundmi ka marrë një tjetër vendburim të naftës shqiptare bashkë me kompaninë e vogël kanadeze “Petromanas Energy Inc.”.
Letra zyrtare i shkoi kompanisë nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), e cila varet nga Ministria e Energjisë, institucioni përgjegjës për zhvillimin dhe kontrollin e industrisë nxjerrëse. Por kushë është kompania kanadeze Zenith Energy Ltd me qendër në Alberta. Citiy News raporton se Zenith Energy Ltd rezulton të ketë një performancë negative financiare, veçanërisht para shpalljes si fituese për kërkimin e naftës në Bllokun C në Shqipëri. Është vetë kompania që një vit më parë pranon se është në vështirësi financiare, duke përsëritur të njëjtën deklaratë në tre deklaratat financiare (qershor, shtator, dhjetor 2015). http://www.citynews.al/2016/06/megaskandali-kompania-fituese-per-kerkimi...
Në deklaratën financiare të kompanisë thuhet se “Më 30 Qershor 2015, kompania ka një defiçit kapital prej $3,083,477 (31 Mars 2015 – $3,407,115) dhe një defiçit të akumuluar prej $6,319,493 (31 Mars 2015 – $5,971,478). Burimet aktuale të mjeteve monetare nuk do të jenë të mjaftueshme për të vazhduar aktivitetet e eksplorimit dhe zhvillimit. Këto kushte tregojnë ekzistencën e pasigurive materiale që mund të hedhin dyshime mbi aftësinë e kompanisë për të vazhduar në vijimësi. Operacionet e vazhdueshme janë të varura në aftësinë për të marrë fonde të mjaftueshme për të financuar operacionet ekzistuese, dhe të arrijnë operacionet e ardhshme me fitim në Argjentinë dhe Itali. Kompania mund të jetë e detyruar të kufizojë ose pezullojë aktivitetin e planifikuar.” Pak ditë më parë kryeministri tha në Berat se qeveria ka rinegociuar në favor të saj kontratën me “Shell” për bllokun 4 në Berat, dhe se qeveria nuk është e kompleksuar nga kompanitë me flamur të huaj. Nëse qeveria nuk është e kompleksuar ndaj kompanive të huaja duhet të sqarojë se mbi çfarë garancish ka operuar për të shpallur fituese një kompani me bilanc negativ siç tregojnë pasqyrat e saj financiare.
Add new comment