Nuk i eci loja me kalendarin 3 javor të Kuvendit. Zyra e Shtypit: Përfshirja e draftit për ndryshimet kushtetuese, ishte gabim teknik
Futja në kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë e draftit për ndryshimet në Kushtetutë në kuadër të reformës në drejtësi, ka qenë një gabim teknik. Ndonëse kalendari u miratua me konsensus dje, në faqen e Kuvendit u publikua një tjetër kalendar, ku figuronte edhe shqyrtimi i draftit në fjalë. Partia Demokratike akuzoi nënkryetaren e Parlamentit, Valentina Leskaj, e cila nuk është prononcuar për këtë problem ende. Gjithsesi, Zyra e Shtypit e Kuvendit të Shqipërisë ka përcjellë sot këtë sqarim:
“Konferenca e Kryetarëve, në mbledhjen e datës 9.6.2016, ka miratuar me mirëkuptim kalendarin 3 javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 13 qershor – 1 korrik 2016. Lidhur me kalendarin e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit dhe përfshirjen apo jo të projektligjit të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, sqarojmë se ka patur keqkuptim nga përfaqësuesit e grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, pasi nuk bëhet fjalë për këtë draft, por për një gabim teknik në zbardhjen dhe hedhjen e materialit në faqe, të të njëjtit projektligj dy herë (Projektligj “Për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr. 8417, datë21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”), i cili do të korrigjohet në vijim nga shërbimet e administratës së Kuvendit”.
Pra rezymeja që na jep Kuvendi i Shqipërisë është: Gabimin e bëmë ne, por Ju u Keqkuptuat.
Add new comment