Lustracion me Flamur Nokën nga partia e Gramoz Ruçit
Flamur Noka është bërë papritur protagonisti i madh i politikës së ditës. Rrufepritësja e politikës difensive të Partisë Socialiste, e cila ndonëse në pushtet, vijon të luajë në mbrojtje. Çfarë ka bërë Flamur Noka?
Shtetasi në fjalë, në vitin 1991 ka deponuar para organeve të Sigurimit të Shtetit për atë që kishte ndodhur gjatë ikjes së tij në ish-Jugosllavi, ku është marrë në pyetje nga shërbimet sekrete të kohës. Noka ka rrëfyer atë që ka ndodhur, ofertën që i kanë bërë shërbimet jugosllave dhe mandej është lënë i lirë nga shërbimet shqiptare. Në atë vit, Flamur Noka ka qenë një shtetas çfarëdo dhe dosja e tij ka qenë e adiminstruar tërë kohës nga organet shtetërore shqiptare.
Nëse fryma e kohës së sotme do të ishte vërtet ajo për të bërë shtet, instrumentalizimi i kësaj çështjeje, në kontekstin e ligjit për dekriminalizimin do të ishte e pamundur. Vërtet Flamur Noka, ish-ministër i Brendshëm dhe deputet nuk ka deklaruar për këtë që ka ndodhur dhe me gjasë duhet të penalizohet, por në një shtet serioz e normal, gjëra të tilla DUHET TË NDODHIN. Pra, një shtetas që thirret nga një shërbim i huaj, e ka me detyrim që të raportojë para shërbimeve përkatëse shtetërore, pasi FLITET PËR ÇËSHTJE TË SIGURISË. Nga kjo pikëpamje, ish-Sigurimi i Shtetit ka bërë detyrën dhe shtetasi Flamur Noka, është dëshmuar korrekt me ligjin e kohës. Ai nuk ka nga çdo pikëpamje që e lidh me këtë çështje asnjë njollë penale. Nëse nuk do të kishte folur për atë që i ndodhi në Prizren, atëherë do të kishte një njollë. Njolla e tij është mosraportimi i tanishëm, që tradhëton mentalitetin e përbashkët të shtetit rrumpallë, të cilin kështu e perceptojmë dhe kështu e trajtojmë.
Për këtë aryse, deklarimi i Partisë Socialiste sot, se rasti i Flamur Nokës, është aspekt i rëndë i problemit të kriminalizimit brenda PD-së, është qesharak dhe mjeran. Ndonëse nga pikëpamja proceduriale ai e penalizon me të drejtë Flamur Nokën.
Do të duhet ta nisim nga fillimi. Dosja e Nokës, u publikua nga gazeta “Tema”, drejtuesi i së cilës, Mero Baze, i ka kushtuar dy editoriale. Të parin, e mbyllte me një fjali ku tërhiqte vëmendjen se “PS-ja çuditërisht hesht” dhe në të dytin, i drejtohet Prokurorit të Përgjithshëm.
Sot që flasim, sekretari për Dixhitalizimin në PS, Alfred Peza, e zyrtarizoi rastin “Noka” si pjesë të axhendës politike të partisë së vet kur tha: “Basha nuk vërteton dot asnjë nga akuzat monstruoze që ka bërë për një vit. Jo Lulzim, ata nuk janë fshehur gjëkundi, sepse thjesht nuk ekzistojnë kriminelë në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Dhe tani Lulzim, meqë gënjeshtra jote spektakolare për PS-në, u vërtetua edhe zyrtarisht, merru pak me Flamur Nokën që e ke fshehur nga ligji i dekriminalizimit duke fshehur të dhënat me gjithë ata të tjerët që ligji i nxori nga ferrat e SHQUP-it”.
Nga sa më sipër, të paktën lehtësohemi të gjithë profesionalisht dhe kuptojmë se Kryeministri Edi Rama, ndryshe nga sa thotë dhe shtiret, i lexon gazetat. Madje, me sa shihet, aty bubrron mos gjen edhe ndonjë ide që ta shpëtojë nga sëkëlldia e madhe ku e ka përfshirë aktualiteti politik, që nis nga kryetari i Bashkisë, ecën në Tatime e përfundon te ministri i Brendshëm.
Së dyti, nuk ka një të dhënë, apo një qëndrim, nëse kryeministri ka bërë detyrën, pra nëse ka thirrur shefin e SHISH-it dhe ka kërkuar të dijë më shumë për këtë histori të ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë. Mesa duket kryeministri mjaftohet me informacionet e hapura në media, që kësaj radhe i ka hedhur një salvaxhente për të dalë nga këneta e një grupi burrash me disa emra. Kur je duke bërë shtet, këto lajthitje apo mungesë informacioni janë të pafalshme.
Së treti, tematizimi i rastit “Noka”, vërtet që e vë në siklet PD-në, por ai nuk është i duhuri për të bërë goditjen. Njësoj si në akuzat ndaj Arben Ristanit, të cilin më vonë e votoi vetë për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, aktualisht Noka, nuk akuzohet për asgjë që lidhet me nëntesktin direkt të Dekriminalizimit të Parlamentit dhe institucioneve, pasi procesi u hap për pastrimin e tyre nga persona të përfshirë në aktivitete kriminale. Nga ata persona të cilëve kryeministri u ka besuar vetëm me dëshminë e penalitetit, por që po rezultojnë me jo pak probleme.
Sesa i madh është sikleti për PD-në, kjo provohet nga përdorimi që Sali Berisha i bëri “kartës spanjolle” kundër Edi Ramës. E cila është ende herët për të folur se çfarë do të thotë. Por fakt është se ndërtimi i një ligji të tillë nga PD-ja e zuri atë mat dhe në mënyrë cinike tek emri i Flamur Nokës. Ky është një mësim i mirë për një ligj që nuk ka për të qëndruar gjatë në këmbë, pasi nuk dihet nëse një ankimimin në Gjykatën Kushtetuese mund ta lejojë zbatimin e tij të mëtejshëm apo jo.
Së fundmi, është edhe fakti se të bësh “lustracion” me Flamur Nokën – i cili, si shumë të tjerë në atë sallë, nuk duhet të ishte deputet dhe për këtë ka përgjegjësi PD-ja – në kushtet kur Gramoz Ruçi, vijon të jetë pjesë e vendimmarrjes më të lartë politike, është të tallesh me të gjithë. Jo nga luksi për ta bërë këtë, por nga halli i madh. Dhe kjo e bën këtë proces një shfaqje kllounësh që janë gati të bëjnë gjithçka, vetëm për të konsumuar treditëshin e lajmeve me “Elvis” dhe me “sms kërcënuese”.
Çështja nuk lidhet me konsideratat personale apo individuale për Flamur Nokën, por për një standard politik që pavarësisht se ngrihet mbi një premisë korrekte nga ana ligjore, nuk justifikon propagandimin e tij dhe instrumentalizimin.
Add new comment