9 maji i harruar
9 maj 1978. Lajmi per vdekjen e ish - kryeministrit italian do të trondiste mbarë opinionin publik.Pas një agonie të gjatë gjendet trupi i pajetë i ish kryeministrit Italian, Aldo Moro. Në të njëjtën ditë në Sicili, më saktë në Cinizi, një provincë në Palermo, do të gjendej i vrarë aktivisti, gazetari Xhuzepe(Pepino) Impastato. I lindur në një familje me gjak “mafiozi”, Pepino zgjodhi një jetë tjetër më të vështirë, më të guximshme,më të drejtë. Një nga zërat e pakët kundwr mafies e mos të harrojmë që në atë periudhë(anni dei piombi)opozita kundër mafies përkthehej në vetwvrasje. Por, i dashur Pepino edhe pse na ndan vetëm kanali i Otrantos, në vendin tim je pothuajse i panjohur. Ne kemi të tjerë shembuj suksesi. Në vendin e shqiponjave, edhe pse duket e çuditshme, shumë nga kolegët tuaj i janë kundërvënë mafies(shtetit). Po po është e vërtetë. Jo për parime e morale, jo për të mirën e medias dhe qytetarëve, por vetëm për tendera, leje pallatesh, për poste që i rrinë ngushtë. Në vendin tim je jashtë mode(këtu çdo gjë bëhet për modë)sepse këtu nuk themi atë që mendojmë. Ndoshta nuk kemi këllqe(edhe pse nami na ka dalë për trima). Madje asnjë gazetar në Shqipëri nuk shkruan, nuk flet për ty. Jo se nuk të njohin, po ti nuk përkthehesh në”pëlqime”(like). S’ke gjoks, vithe, buzë, vetulla. Pse duhet të shkruajmë?
Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto,ti ke denoncuar hapur Mafien. Fenomeni që në Shqipërinë tonë të dashur ka sjellë zhvillim, punësim, mirëqenie. Jo, jo, ne jemi burra të besës, nuk e kafshojmë dorën që na ka dhënë për të ngrënë. Ne kemi zgjedhur të bashkëpunojmë me të. Heshtim dhe vazhdojmë rrugën drejt “suksesit”. Ti i bëre 100 hapat e tua me kokën lart , i vendosur për të çuar deri në fund misionin tënd. Vetëm, por i bindur që e vërteta duhet thënë me çdo kusht. I bëre 100 hapat pa e kthyer një sekondw kokën prapa. Ndërsa ne shikojmë përditë e më tepër persona të medias, njerëz të veshur me pushtet që 100 hapat janë duke i bërë gjithë siklet dhe pse mbathin kostume të kushtueshme apo këpucë me lëkurë gjarpri. Po, po dhe ata po i bëjnë 100 hapat e tyre, por ndryshe nga ti: me bisht ndër shalë.
Add new comment