KQZ-ja shprehet të mërkurën për referendumin për ndërtimet në parkun “Rinia” dhe në parkun e Liqenit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur sot shqyrtimin e kërkesës për referendum lokal për ndërtimin e një parkimi në parkun “Rinia” dhe të disa godinave në krah të Korpusit Universitar. Anëtarët kanë diskutuar mbi ligjshmërinë e kërkesës, që sipas zv.kryetarit socialist të KQZ-së, Denar Biba “duhet të ketë për bazë një çështje, pra ndërtimin ose jo të parkingut në këtë hapësirë të gjelbërt”. Grupi nismëtar ka bërë pjesë të pyetjes për referendum edhe vendimin e Këshillit Bashkiak nëpërmjet të cilit parashikohet ndërtimi i tij. Sipas Bibës nuk mund të kalohet në referendum duke kërkuar shfuqizimin e një akti të një institucioni. Komisioni nuk mori vendim, pasi në mbledhjen e ardhshme do të shqyrtohen dy pikat e radhës për referendum: atë për këndin e lojrave në parkun e Liqenit dhe ndërtimet në krah të godinës së Universitetit Politeknik.
Add new comment