Dita e Verës - një vështrim mbi origjinën dhe domethënien e saj*

Postuar në 18 Mars, 2016 22:50
Suzan Mborja

 Sprovë për të shpjeguar me fakte, jo vetëm arkeologjike, përputhjen mes Mitit të Hyjnisë së Natyrës të gdhendur në figurinat e Artemisit tek vendbanimet e helenëve (grekëve të lashtë), të Diana Candavensis tek romakët ose Kultin e Zanës së Çermenikës tek shqiptarët, që festohet ende më 14 mars, me Ditën e Verës,.. si edhe autoktoninë tonë në këto troje…

 Në këtë nën titull të kësaj eseje, për rastin e shqiptarëve, ndryshe nga ai i grekëve dhe romakëve, në vend të fjalës HYJNI,  përpara emrit të Zanës, kam përdorur përcaktorin KULT. Këtë dallim e kam bërë qëllimisht, se mendoj se fjala KULT e përmban në vetvete fjalën HYJNI dhe siç do të mundohem ta shpjegoj më poshtë, Zana jonë e Çermenikës, jo vetëm që e ka trashëguar kultin, por  edhe dëshmohet se është ende e gjallë si një kulturë hyjnore e lashtë, që ka edhe datën e saj të kremtimit, 14 Marsin, “Ditën e Verës”. Gjithashtu, do të mundohen të shpjegoj disa karakteristika të përbashkëta, që vihen re në mënyrë të dallueshme, në mes mitologjisë greke për hyjneshën e tyre të natyrës Artemis-in, ose për Dianën e Kandavëve tek mitologjia romake nga njëra anë, dhe toponimisë dhe sidomos riteve të kremtimit të festës pagane të natyrës tek ne shqiptarët…

Janë kryesisht gjetjet arkeologjike të figurinave skulpturale, dekoreve të vazove ose të monedhave të lashta, të gjitha të krijuara para erës sonë, që dëshmojnë për përfytyrimin e njerëzve për Perëndinë e Natyrës (të florës dhe faunës). Është fjala për figurën e njohur që paraqit një femër me harkun dhe shtizat e gjuetisë në krah. (Megjithëse vërehet edhe një rast ku është paraqitur thjesht në këmbë, pa hark dhe pa shigjetë, si në rastin e statujës së quajtur: Diana e Efesit. Statuja thuhet se është punim i skulptorit Pvasiliadis, e shekullit I p.e.s dhe ndodhet në Muzeun e Efes-it në Turqi.

(http://commons.wikimedia.org/wiki/File:Artemis_Efes_Museum.JPG)

 Më shpesh e gjejmë në variantin që e paraqet me harkun dhe shigjetat në shpinë. Në ndonjë rast me dorën e majtë të saj tek brirët e një kaprolli (ose dhie të egër) pranë këmbës së saj.  

Edhe ne shqiptarët trashëgojmë gjetje konkrete arkeologjike që paraqitin pikërisht në mënyrë të figurshme këtë hyjni pagane të natyrës.

Në muzeun tonë të Tiranës, atje ku ruhen vlerat tona të pasura numizmatike, kemi disa monedha që i përkasin pikërisht përshkrimit të kësaj hyjneshe të natyrës. Në relievet e tyre, dallohet qartësisht figura e kësaj hyjneshe të lashtë, që e paraqesin atë me pamjen e figurinave që përmendëm më lart.

Në lidhje me këtë, studiuesi Gëzim Llojdia na jep këtë informacion me vlerë:  (...Monedhat në Amantia i kanë gjetur me shumicë pas gërmimeve të para në kodrinën që zë syri i diellit dhe deri më vonë. Lidhur me gjetjet e monedhave në këtë qendër ilire informatat më të sakta i sjell Skënder Anamali, por Hasan Ceka ka informacione të vlefshme për ekzistencën e tyre, qarkullimin etj. S. Anamali shkruan pikërisht kështu në botimin ‘Iliria’ të vitit 1972 ose në një periudhë kohore që i përket 35 viteve të mbetura pas. Gjatë kërkimeve të bëra në rrënojat e Plocës janë mbledhur rreth 400 monedha te ndryshme, nga të cilat, pjesa me e madhe janë gjetur nga fshatarët. Klasifikimi i tyre në një katalog ka dhënë mundësi të fitojmë një pamje mbi qarkullimin monetar në Amanti dhe lidhjet e marrëdhëniet, qe ky qytet ka pasur me vende e qytete te ndryshme. Monedhat kapin një periudhë prej 800 vjetësh, duke filluar nga shek. IV p.e.s. deri në shek. IV e.s.

      … 2. Periudha e prerjeve monetare arnante, nga mezi i shek. III p.e.s. deri në shek. I p.e.s.

Kësaj kohe, që i përgjigjet jo vetëm periudhës se prerjeve monetare te Amantisë, por edhe asaj ku qarkullojnë më shumë monedha, i përkasin 31; copë monedha. Vendin e parë në këtë kohë e zënë monedhat e Lidhjes epirote (të formuar pas rënies së mbretërisë) me 141 ekzemplarë. Të gjitha janë prej bronzi me përjashtim Të një monedhe të tipit Zeus-Dione-rrufe. Në bronzet mbizotëron tipi Artemis-majë heshtë, dhe pas tij tipet Zeus-rrufe, Dione-trikëmbësh dhe Heraicli-toputë. Fill pas monedhave epirote vinë ato amante, 91 copë të gjitha prej bronxi; më të shumta ata të tipit Zeus-rrufe e Zeus-Dione-gjarpër, Artemis-flakse dhe më të pakta ato të vonat të tipit Zeus-rrufe me emrin Sostrion. Monedhat e Bylisit fqinj përfaqësohen nga 8 ekzemplarë me tepër të tipit kokë djaloshi-shqipe...)

 

 Si përfundim, për këtë që parashtruam më lart, mendoj se vlen të theksohet që: Arkeologjia, (konkretisht numizmatika)  ka zbuluar objekte (monedha në këtë rast) që na provon se kjo Perëndi pagane e Natyrës, jo vetëm që është njohur mirë në këto troje të banuara nga paraardhësit tanë ilirët, por edhe është skalitur konkretisht në reliev përfytyrimi i tyre për të.

***  

 Le të përpiqemi të bëjmë një vështrim të shpejtë të mitologjisë, një shpjegim gjuhësor dhe të themi diçka për një toponim që mendoj se paraqet interes dhe që më duket se nuk është vështruar me këtë sy më parë:

 

Po t’i referohemi mitologjisë më të përhapur tek grekët për këtë hyjneshë dhe ta tregojmë sa më përmbledhtas atë mund të themi se: “…Nëna e saj (Artemis-it), pas shtatzënisë me Zeusin, për t’iu fshehur dhe larguar syve të gruas së tij të ligjshme Hera-s, për t’iu mbrojtur përndjekjeve të saj, shkoi  për të lindur në një ishull të largët (Ortygia). Atje, me ndihmën e të gjithë hyjnive femra (përjashtuar Hera-s) erdhi në dritë Artemis-i. Që në minutat e para të lindjes së saj, Artemis-i merr iniciativa. Edhe pse akoma foshnjë e porsalindur, ajo ndihmon nënën të lodhur për të lindur fëmijën e dytë, Apolloni-n, vëllain e saj binjak Për këtë arsye, Artemisi konsiderohet edhe si perëndeshë e lindjes.

Në të gjitha këto që përmendëm, vihet re një dashuri dhe adhurim i autorëve të lashtë, për ta paraqitur sa më të hijshme këtë femër. Tek ne shqiptarët, kjo hyjni quhet Zana e Çermenikës. Në shqip grupi i bashkëtingëlloreve “dj” është reflektuar në “z” dhe “Zana” jonë, as më pak e as më shumë, është “Djana” e latinëve. Ajo mbetet një nga figurat më të spikatura të mitologjisë sonë, që ende “jeton” në përfytyrimet e njerëzve duke banuar nëpër male, pyje, lëndina dhe në vende të tjera të peisazhit natyror. Studiues të mirënjohur të mitologjisë shqiptare, duke u mbështetur edhe në mendimin e disa prej gjuhëtarëve albanologë të njohur, si N. Jokli, M. Lamberc, E. Çabej, I. Ajeti etj., kanë nënvizuar se disa nga këto figura, duke përfshirë edhe Zanën, janë me origjinë nga antikiteti i lashtë greko-latin. Figura e Zanës është krahasuar me dy prej hyjneshave më të njohura të mitologjisë greko-romake, përkatësisht e Artemisës dhe Dianës, të cilat, ashtu si dhe Zana e shqiptarëve, jetonin nëpër pyje, në faqe malesh të pashkelura, në shpella, lëndina etj. Pra në vendbanimet e dikurshme të helenëve ajo kryesisht është njohur me emrin Artemis. Në mitologjinë romake ajo njihet me emrin Diana Candavensis. Ndërsa në mitologjinë etruske ajo dëshmohet si hyjnia e Artoumes-it.

Prania e figurës së Zanës është e fiksuar edhe në shumë toponime në malet e Çermenikës dhe pikërisht në Malin e Zgarës, pranë fshatit Kuturman.  Atje gjendet ajo që quhet “Linjat e Zanës”. Toponimi “Linjat e Zanës” është shumë i njohur te banorët e fshatrave Kuturman, Togëz, Dorëz, Gizavesh, Librazhd-Katund etj., dhe të gjithë e thërrasin me këtë emër.  Nazmi Koka (1949-2012), shkruan:  “Në faqen e Malit të Zgarës ndodhet një shkëmb i zi dhe mbi të një pyll i virgjër, prej të cilit rrjedh një ujvarë… (Ky vend) në traditën popullore njihet me emrin “Linja e Zanës”.  Sipas gojëdhënës,  Zana e Çermenikës kishte nderur në faqen e shkëmbit rrobat e saj të bardha, që i kishte larë në ujvarën që rridhte nga Mali i Zgarës.”

Po aty, në Malin e Zgarës ndodhet edhe një tjetër toponim që lidhet me emrin e Zanës së Çermenikës. Pranë një ujëvare është një vend që quhet “Vëndi ku lahen Zanat”.  Banorët e fshatrave përreth Malit të Zgarës besojnë se pranë burimeve të malit të Zgarës, nën ujëvarë, në anë të përroit të Zgarës dhe në zallishtet buzë të lumit të Rrapunit, lahej Zana e Çermenikës.  Këtë emër e ka marrë i gjithë territori nga ujëvara e deri në bashkimin e tij me lumin Shkumbin, pasi mendohej se Zanat laheshin përgjatë gjithë rrjedhës së përroit të ujëvarës, përgjatë lumit të Rrapunit dhe deri në bashkimin e tij me Shkumbinin.

 Ndërsa, rasti i toponimit “Mali i Vashës”, (që ndryshe do të thotë “Mali i Vajzës së virgjër”) që lartësohet buzë Shkumbinit, në të majtë të rrjedhjes së tij, provon se edhe Zana jonë e Çermenikës që sipas përfytyrimit mitik, jetonte dhe kishte një tempull të sajin në atë mal, është pikë për pikë: vajza e Zeusit (Artemisi) që i kërkonte të atit t’i lejonte virgjërinë e përjetshme.  Mendoj se toponimia e Malit të Vashës, është jo vetëm monumenti ynë natyror, por është edhe argumenti më i pa kundërshtueshëm, që provon ekzistencën e një mitologjie prehistorike të lashtë për Zanën e Çermenikës, si hyjni e banorëve ilirë...

 

                                                                           ***

Një sqarim:  Pse Elbasani mbeti qendra e festimit të “Ditës së Verës”?

Kjo ndodhi se pjesa dërmuese e atyre që  u vendosën aty rreth Kalasë fushore të saj, në shekujt XVIII, XIX, zbritën nga malësitë përreth saj, dmth rreth atyre trojeve, ku sipas mitologjisë jetonte Zana e Çermenikës... Ilir Mborja tek gazeta “Shekulli” e datës 14. 03. 2015 shkruan se: “Dita e Verës ishte dita e parë e fillimit të vitit sipas kalendarit të vjetër dhe si e tillë kjo ditë njihej edhe në vende të tjera shumë shekuj para se të lindte krishtërimi. Ajo kremtohej me 1 mars, sipas kalendarit Julian dhe më 14 mars, sipas kalendarit Gregorian. Duke përfillur marsin si muajin e parë të vitit, sot, edhe në shumicën e gjuhëve indoeuropiane, për muajt e tjerë pas gushtit (nga August), sipas kësaj radhe, kemi emërtimet shtator, tetor, nëntor e dhjetor.”

Më poshtë, po aty ai thotë:  “Pjesa e malësisë së Elbasanit, ku bën pjesë edhe Çermenika me pyjet që mendohet se kishte tempullin e saj Zana, apo Shmili (varianti i rrudhur i Shën Mëhillit), Plangarica, Kryezjarr, Gurakuqi, Guraziu, Gurabardhi më tej, flasin për toponime të pastra arbërore. “Mali i Vashës” (varianti më shqip për: “Mali i Vajzës së virgjër”) që lartësohet buzë Shkumbinit, por nga ana tjetër në të majtë të rrjedhjes së tij, bashkë me Gjinarin, Valshin, gjithë Shpatin, Sopotin më tej, flasin për një histori autoktonësh qëndrestarë, që i kanë bërë ballë si rrallëkush të gjitha dyndjeve barbare dhe influencave fetare në shekuj. Banorët e këtyre vendeve zbritën gjatë 100-200 vjetëve të fundit dhe populluan Elbasanin, aty rreth e rreth Kalasë fushore. Gjithashtu, si askund në Botë, të zbriturit nga malet përreth, gjetën aty (në aq pak hapësirë sa rrethonin muret e Kalasë) një mori shkencëtarësh e atdhetarësh të kalibrit të Teodor Haxhifilipit (Dhaskol Todrit), Tush Pinës. Aty jetonte Kostandin Kristoforidhi, Galileu i gjuhësisë shqipe. Brenda asaj kalaje, lindën Xhuvanët e Popat, Theoharët dhe Paparistot. 

 

Po aty në Kala lindën Shuteriqët, Santot dhe Lef Nosi. Aty lindi autori i prozës së parë psikologjike shqiptare Filip Papajani dhe Kostaq Cipoja, gjeniu i shqipes standarde. Është e pamundur t’i përmendësh të gjithë dhe të mos gabosh duke harruar ndonjë nga eruditët që kanë lindur aty në lagjen “Kala”, pëllëmbë e tempull diturie… Aty ngjit e ngjitur me kalajsit e krishteruar ndërkohë, që nën influencën e kishës ortodokse të Shën Mërisë kishin filluar të festonin Krishtlindjet më 25 dhjetor dhe Vitin e Ri më 1 janar, erdhën dhe u vendosën më pas këta malësorë trima dhe të urtë të rrethinave të Elbasanit. Këta sollën me vete edhe atë që e kishin ruajtur me fanatizëm përgjatë shekujve, Ditën e Verës. Kultin e shenjtërisë së Zanës, Perëndisë së Natyrës Arbërore, ata e sollën krejt të pastër aty ku u ngulën në fushat e luginës së Shkumbinit që kish vite që, pas rindërtimit më të fundit të kalasë prej Sulltan Mehmetit II, nga Skampin, thërritej me emrin më të ri Elbasan. Shi për këtë, Elbasani mbeti kryeqendra e kësaj kremteje të madhe mbarë kombëtare dhe krejt autentike. Bashkë me 14 Marsin, të zbriturit nga malësitë përreth qytetit do t’u shtonin banorëve që gjetën në Kala edhe urtësinë dhe atdhedashurinë e heshtur.

 

Këta banorë të rinj, që shpesh në vend të ofiqeve ose profesioneve, mbartnin si mbiemra emrat e katundeve nga vinin, patën intuitën që dëshirën e zjarrtë për dije që flinte në shpirtrat e tyre, t’ua besonin kalajsve më të parë e më të ditur... Nuk kanë të numëruar njerëzit e shquar që linden në odat e elbasanasve që u ngritën rreth Kalasë… Kë të përmendësh më parë? Biçakçinjtë që lindën Aqif Pashën apo Xhanët që lindën Hasanin dhe Hysenin, vëllezërit që sollën abetaret e para në Elbasan dhe u torturuan për vdekje nga turqit? Bahollët apo Çeliramat? Hysen Cekën, mësuesin shëtitës, që me këmbë cep më cep të Shqipërisë përçoi arsimin shqip, apo të birtë e tij, përkthyesin e Schopenhaeur-it, Salimin apo Hasanin, themeluesin e arkeologjisë tonë? Et’hem Haxhiademin apo akademikët Mahir Domi e Qemal Haxhihasani? Isuf Myzyrin apo Mustafa Bodinin? Qemal Stafën apo Qamil Guranjakun? Kë të përmendësh më parë?..”

                                                                              ***

Një nga karakteristikat kryesore të Artemis-it ishte rregulli universal i natyrës.  Kafshët shtëpiake dhe të egra, peshqit në ujërat e zogjve në ajër ishin nën mbrojtjen e saj. Femër aktive, e vrullshme dhe e shkathët, e lirë dhe e shqetësuar, perëndesha harxhonte shumicën e energjive duke u endur nëpër liqene, lumenj, livadhe dhe male, në kërkimin dhe ndjekje të presë së saj, që ishin kafshët kryesisht të egra. Ajo përshkruhet, (ashtu si në shumicën e  skulpturave të gjetura në Greqi, Itali dhe gjer në Azinë e Vogël, apo në brigjet e Afrikës së Veriut) e veshur me një veshje të thjeshtë dhe të lehtë dhe e pajisur me harkun e përshtatshëm, gati për të shigjetuar...

Simbolet e Artemis-it kanë qenë të shumta dhe të ndryshme.

Si perëndeshë dhe mbrojtëse e natyrës, Artemis-i konsiderohet përgjegjëse edhe për bujqësinë dhe për bagëtinë.

Artemis-i gjithashtu kishte një dobësi të veçantë në fëmijët dhe adoleshentët.

    I ati, Zeusi, duke e admiruar atë për këmbënguljen e saj, për shkathtësinë, ushqen një dashuri të madhe dhe i plotëson të gjitha dëshirat asaj. Nga gjërat e para që Artemis-i i kërkon si dhuratë të atit të saj, ishin dëlirësia dhe virgjëria e përjetshme

 

       Artemis ishte një perëndeshë e pamëshirshme i ndaj çdo parregullsie që mund të vinte re. Zemërimi i saj ishte i gatshëm të shpërthente në çdo moment kundër çdokujt që e konsideronte shkelës të rregullave.  Shigjetimi i saj për to ishte fatal kundër kujtdo që linte pas dore parimet dhe adhurimin…”

      Në këtë përshkrim të shpejtë mitologjisë greke për Artemisin, siç mund të vini re, nënvizova këto katër karakteristika të saj:

  1. Rregulli universal i natyrës.
  2. Konsiderimin e saj si perëndeshë e lindjes (pjellorisë).
  3. Virgjëria e përjetshme.
  4. Shigjetimi fatal i saj

***

       Figura  e hyjneshës së Zanës dhe e tempujve të kremtimit për të rreth trevave të malësisë së Elbasanit,.. si edhe ngjashmëria e përpiktë, në mes (4) karakteristikave të mitologjisë greko - romake dhe riteve që ruhen edhe sot në kremtimin e 14 Marsit, Ditës së Verës...

 

       T’i marrim me radhë: Ngjashmëria e përpiktë, në mes (4) karakteristikave të mitologjisë greko - romake dhe riteve që ruhen edhe sot në kremtimin e 14 Marsit, Ditës së Verës...

    Edhe sot (vetëm ne shqiptarët në fakt) e festojnë në tempullin e natyrës, ditën e Zanës së Çermenikës,  çdo 14 mars.

1. Rregulli universal i natyrës

Mbi të gjitha, Dita e Verës është dita e adhurimit për natyrën, riciklimit dhe gjallimit të saj pranveror.

 Hyjni Ceka, studiuesi elbasanas që është marrë gjerësisht me festimet e Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit dhe ka hulumtuar origjinën e lashtë të saj, në librin e tij “Dita e Verës”, Monografi (“Onufri” 2001), shkruan se kjo festë i kushtohej Dianës së Kandavëve, e cila, sipas tij, “tempullin e vet, gjithë motit, e ka pasur në rrethinat e Elbasanit, sepse, qysh hejrit, në këto anë ndodhej ajo faltore e dëgjuar e Zanës së Çermenikës (Djana Kandaviensis). Dhe të gjithë e dinë se Perëndesha Djanë mbahej në kohë të lashta, si hyjneshë e gjuetisë… e pyjeve dhe e gjithë natyrës…”. ( vini re përputhjen me Rregullin universal të natyrës. (1) Ky konkluzion, shkruan Hyjni Ceka, përmbledh mendimet e arkeologut të mirënjohur shqiptar, Hasan Ceka (1900-1998), i cila ka qenë një nga themeluesit dhe dekan i arkeologjisë shqiptare. “Shkencëtarët tanë, shkruan në studimin e tij Hyjni Ceka, shpjegojnë se te Mansi i sotëm kemi Manthion antik, stacionin e famshëm të Egnatias, që priste e përcillte udhëtarë e pelegrinë që vinin në Skampin për t’iu falur Dianës së Kandavëve, si vend ku gjendej edhe tempulli i saj. Ai Rrapi i Mansit, me kroin e pozicionin karakteristik, ma do mendja të ketë shërbyer nëpër vite për të mbledhur fiset e arbërve rreth Hyjneshës Dianë (apo Zanë) të Kandavëve, sikur u kanë pas thënë së lashti çermenikasve”. Edhe studiues të tjerë, të cilët janë marrë me besimet e ilirëve dhe me figurat e tyre mitologjike, kanë shkruar se figura e Zanës së Çermenikës është pasuese e hyjneshës Diana të kandavëve (Diana candaviensis). “Dita e Verës e Elbasanit, vijon në shkrimin e tij Hyjni Ceka,çuditërisht sjell në ditë të sotme traditën e saj të Kandavës Ilire. Ngjyra panairike, pelegrinazhi dhe Rrapi i Mansit, trevë ku zhvillohej kjo festë, tregojnë më së miri për një ceremonial të hershëm, për një religjion, që si kult të vetën pat Zanën e Kandavëve: Diana Candaviensis”. Kandavët, të cilët kishin Dianën si perëndeshën e tyre, ishin banorët e lashtë të krahinës ilire të Kandavisë, në territorin e së cilës ndodhet sot krahina e Çermenikës në rrethin e Librazhdit.

 

         Festa e hyjneshës së natyrës,  Zanës së Çermenikës ose siç quhet ndryshe Dita e Verës, trashëgohet dhe e ruhet ashtu pagane, e virgjër, gjer në ditët tona,  vetëm  nga ne shqiptarët. Në Itali nuk njihet më ndonjë ditë me perëndinë e Dianës së Candaviensis-it. “Ndërsa grekët, që në kohë të Bizantit e kanë shndërruar dhe lidhur plotësisht me fenë këtë ritual pagan”, – thotë një njohës i riteve greke... “Ata e zëvendësuan me “E Hëna e Pastër” dhe bëhet fjalë për një ditë të hëne që bie 40 ditë para Pashkës. Meqë dita e Pashkës është e një e diel e lëvizshme, edhe kjo ditë e hënë mund të bjerë në shkurt ose mars... Pra kësisoj nuk ka lidhje me datën 14 mars. Ajo që gjithashtu, veç arkeologjisë, dëshmon se kjo ditë fetare “E Hëna e Pastër” ka zëvendësuar festën pagane të Ditës së Verës është “verorja” që grekët edhe sot e kësaj dite, ashtu si ne, ua venë fëmijëve dhe të rinjve në fillim të marsit. Janë dy fije leshi, një i kuq dhe një i bardhë, që të gërshetuara u vihen si byzylyk në dorën e majtë. Ato, duke simbolizuar gjakun e kuq dhe moshën e bardhë të rinisë, mbartin bestytninë e mbrojtjes nga “syri i keq”. Ky rit i lashtë është prehistorik shpjegohet vetëm me ardhjen e stinës së pranverës dhe nuk u njoh kurrë nga kishat ortodokse prandaj dhe nuk ka asnjë lidhje fenë...

Dita e Verës ishte dita e parë e fillimit të vitit sipas kalendarit të vjetër dhe si e tillë kjo ditë njihej edhe në vende të tjera shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars, sipas kalendarit Julian dhe më 14 mars, sipas kalendarit Gregorian. Duke përfillur marsin si muajin e parë të vitit, sot, edhe në shumicën e gjuhëve indoeuropiane, për muajt e tjerë pas gushtit (nga August), sipas kësaj radhe, kemi emërtimet shtator, tetor, nëntor e dhjetor.”

Ndërsa prof. Lutfi Alia  kur jep edhe detaje për mbylljen e festimeve të Ditës së Verës tregon se: “Elbasanasit fillojnë t’i heqin veroret, kur shohin dallëndyshen e parë, dhe i hedhin në ferra, që dallëndyshja t’i marrë për të bërë folenë.

 Vajzat dhe djemtë e Malësisë së Shkodrës, i heqin veroret më 20 mars, ditën e ekuinoksit pranveror dhe i vënë nëpër degët e pemëve të kopshteve të shtëpive e presin te vijnë t’i marrin zogjtë.

Në Martanesh, verorja mbahej nga fëmijët deri me 6 maj, ditën e festimit të Shën Gjergjit, kur mblidheshin të gjithë fëmijët dhe i hidhnin në lumin e fshatit, kësisoj uji i merrte dhe i çonte larg të gjitha të këqiat, tersëlliqet dhe sëmundjet.

 Djemtë dhe vajzat e Skraparit, Beratit, Lushnjës dhe Çamërisë, i mbajnë veroret deri me 2o mars, ditën e ekuinoksit pranveror, dhe këtë ditë i heqin dhe i hedhin mbi ferra ose mbi trëndafilat dhe presin të vijnë t’i marrin dallëndyshet, qe t’i përdorin për të ndërtuar folenë.

 Vajzat dhe djemtë e Korçës, Kolonjës dhe Kosturit, veroret i heqin pas një jave dhe i vendosin mbi shkurret e rrugës të fshatit, apo ne degët e pemëve te oborrit dhe prisnin te vinin t’i merrnin zogjtë. Kur zogu i merrte veroren e vajzave te rritura, do te thoshte se vajza do te martohej brenda vitit...”.

 Të gjitha këto shpjegime të hollësishme për “veroren” i solla:

 

       1. Për të treguar shtrirjen e gjerë gjeografike të festimit të ritit të “Ditës së Verës”, si edhe:

 

       2. Për të provuar se ajo është një distiktiv pagan i pjesëmarrësve në festimet e “Ditës së Verës” dhe nuk ka të bëjë absolutisht me festën fetare “E Hëna e Pastër”. Grekët duke e vënë në dorë në fillim të marsit, duket nën ndikimi e arvanitasve të shumtë që e popullojnë atë, dëshmojnë për të vetmen traditë të hyjnisë së natyrës...

 

2. Konsiderimi i saj si perëndeshë e lindjes (pjellorisë):

Faik Konica në gazetën e tij “ALBANIA”, kur flet për “Ditën e Verës” shpjegon dhe është entuziast për emancipimin e gruas shqiptare që reflektonte kremtimi i kësaj feste. Studiuesit e kësaj teme, vërejnë se kulti i Zanës i shërbeu dhe rrezatoi emancipim femrës shqiptare dhe në kohërat më të errëta të obskurantizmit që kanë kaluar shqiptarët. Me anë të këtij kulti, femra shqiptare ka sfiduar “sherihatin”,.. duke mbrojtur lirinë dhe respektin e saj.  Sidomos në Elbasan. Sidomos në atë ditë, sidomos më 14 Mars.

 Në mes dhuratave ushqimore që u jepeshin fëmijëve atë ditë, midis arrave, lajthive, fiqve të thatë, etj, të bie në sy se askund nëpër trevat shqiptare, në mes këtyre dhuratave ushqimore, nuk harrohet asnjëherë që të dhurohen vezët e ziera. Ashtu të bardha, të pa ngjyrosura... Kam përshtypjen se simboli i vezës, ka të bëjë pikërisht me simbolikën e pjellorisë.

 

3. Virgjëria e përjetshme:

 Të bën përshtypje, se kur flitet për këtë mit të lashtë, për këtë hyjni pagane të natyrës, në të gjithë hapësirat që përmendëm (Itali, Afrikë e Veriut,  Shqipëri,  Kosovë, Maqedoni,  Greqi,  Azi e Vogël, Egjipt, në të gjithë brigjet e Mesdheut ku është njohur) të bie në sy një karakteristikë shumë e veçantë e saj. Njerëzit më shumë kanë besuar dhe punuar për tempujt e saj, se sa kanë gdhendur apo pikturuar imazhin e saj. Njerëzit e lashtë duket se më tepër kanë besuar dhe “i janë falur” tempujve të saj se sa statujave të gdhendura. Më shumë se arkeologjia, këtë e dëshmon toponimia (emërtimi i vendeve). Rasti i toponimit “Mali i Vashës”, (që ndryshe do të thotë “Mali i Vajzës së virgjër”) që lartësohet buzë Shkumbinit, në të majtë të rrjedhjes së tij, provon se edhe Zana jonë e Çermenikës që jetonte sipas përfytyrimit mitik në atë mal, është pikë për pikë:  vajza e Zeusit që i kërkonte të atit t’i lejonte virgjërinë e përjetshme. (3.)  Kështu, në Itali, më shumë se figurina të vashës me hark dhe shigjeta, ekzistojnë ende disa tempuj të perëndeshës nën emrin Diana. Ato janë shumë më tepër se gjetjet e tjera arkeologjike me figurën e saj. Në Greqi gjithashtu, adhurohet tempulli i quajtur Artemis Vravrona, që është një nga tempujt e shumtë, por që duket se është edhe më i rëndësishmi i Greqisë së lashtë. Këtu, kulti i kësaj perëndeshe ishte i tillë, sa që krejt zona mori emrin ARTEMIDA e Atikës. Në këtë zonë janë sot Muzeu Arkeologjik i Vravrona-s, ku janë ekspozuar fragmente me temën e tempullit të Artemisit dhe shumë nga gjetjet arkeologjike të rajonit të Mesdheut.

 Dëshmohet gjithashtu se tempujt e Artemis-t, kanë qenë në të gjitha zonat e quajtura Artemisium.  

 Para se të ndalemi tek argumenti 4. që, meqenëse flet për ngjashmërinë midis aftësisë së Shigjetimit fatal të hyjneshës së natyrës në mitologjisë greko - romake dhe hyjneshës sonë ilire-arbërore, Zanës,.. dhe për këtë dua ta le për ta mbyllur në fund,.. po theksoj më parë përfundimet se:

 1. Njerëzit më shumë kanë besuar dhe punuar për tempujt e Hyjneshës së Natyrës, se sa kanë gdhendur apo pikturuar imazhin e saj. Mbase për këtë ka ndikuar veçantësia e kësaj hyjneshe. Simbolizimi i natyrës.

 2. Toponimi “Mali i Vashës”, (që ndryshe do të thotë “Mali i Vajzës së virgjër”) që lartësohet buzë Shkumbinit, në të majtë të rrjedhjes së tij, jo vetëm që është unikal në të gjithë rajonin, por provon se edhe Zana jonë e Çermenikës që jetonte sipas përfytyrimit mitik në atë mal, është pikë për pikë:  vajza e Zeusit që i kërkonte të atit t’i lejonte virgjërinë e përjetshme.

 3. “Dita e Verës” e Elbasanit, sjell në ditë të sotme traditën e saj të Kandavës Ilire. “Verorja”, ngjyra panairike, pelegrinazhi dhe Rrapi i Mansit, (Manthion antik, stacion i famshëm buzë rrugës Egnatia) trevë ku zhvillohej kjo festë, dëshmojnë për një ceremonial të hershëm, për një religjion, që si kult të vetën pat Zanën e Kandavëve:  Diana Candaviensis.

 4. Festa e hyjneshës së natyrës, Zanës së Çermenikës ose siç quhet ndryshe Dita e Verës, trashëgohet dhe ruhet ashtu pagane, e virgjër, gjer në ditët tona, vetëm  nga ne shqiptarët.

4. Shigjetimi fatal:

Argumenti më i çmuar për këtë temë:

 “Të shitoftë Zana!” Këtë shprehe që mund të ta kapë veshi deri në ditët e sotme, sidomos tek shqiptarët e Veriut në këtë formë, dmth: “Të shitoftë Zana!” duhet sqaruar se kjo, s’është gjë tjetër, veçse fraza mallkuese: “Të shigjetoftë Zana!”. Pra, Zana jonë e Çermenikës. Vini re ngjashmërinë me karakteristikat “Zemërimi për ata që shkelnin rregullat dhe parimet”(3.) dhe “Shigjetimi fatal i saj” (4).

    Mendoj, se megjithëse në dukje një gjë e vogël, shpjegimi i kësaj shprehje ka një vlerë të jashtëzakonshme dokumentuese për ekzistencën dhe trashëgiminë gjer në ditët tona të këtij miti të lashtë ilir. Mendoj, se edhe një shtatore sado e madhe e lashtësisë që do të paraqiste Zanën, ashtu duke shigjetuar me harkun e saj, nuk do të kishte kaq vlerë. Prandaj, mbase dhe shpjegimin për këtë, në vend të një gjuhëtari, “ka nxituar” ta bëjë i pari një arkeolog i shquar si Hasan Ceka. Me këtë shpjegim ai na ka dhënë ne shqiptarëve, certifikatën e autoktonisë qysh para erës së re në këto troje, ose e thënë më popullorçe: “Të shitoftë Zana!” dhe toponimia e "Malit të Vashës" është “tapia” e pakundërshtueshme e kombit tonë Iliro – Arbëror.

 PS:  Shënimet me gërma korsive janë të gjitha të referuara nga autorë të tjerë. Ndërsa theksimet dhe nënvizimet janë konkluzione të miat. (S.M)

* Titulli origjinal: Dita e Verës, shprehja: “Të shitoftë Zana!” dhe toponimia e "Malit të Vashës" – “tapia” e autoktonisë së kombit tonë Iliro - Arbëror

Comments

Submitted by Fiori (not verified) on

Nje esse e thelluar historikisht dhe e pikturuar artistikisht,qe i ben nder festes se ciles i kushtohet.Autorja ,nepermjet hulumtimeve na jep nje panorame komplekse te prejardhjes dhe vazhdimesise se saj,gje qe e beri qytetin e Elbasanit ,unik ne festimin e Dites se Veres.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.