Më të penalizuarit nga bankat
Shqiptarët janë shumë të ekspozuar dhe të penalizuar nga politikat që ndjekin bankat për kredidhënien. Një raport i Autoritetit të Konkurencës sjell në vëmendje se diferenca mes normës së interesit të kreidve dhe atyre të depozitave është më e larta në rajon dhe arrin në 7.3%. Lindita Lati, drejtues e Autoritetit të Konkurencës thotë në një prononcim për “Vizion Plus” se kjo situatë vjen si pasojë e mungesës së konkurencës në treg, ndërkohë që ekspertë si Adrian Civici shtojnë se në një vend si Shqipëria me politika fiskale që ndryshojnë shpesh, masat siguruese të bankave janë një garanci që nuk mund të shmanget. Por duke u nisur nga ajo që thotë Lati, në rastin e Shqipërisë nuk kemi të bëjmë me politika që synojnë garancinë, por me situatë oligopol që ka mbyllur konkurencën. “Kemi parë efektet që ka patur te kushtet e kredidhënies fenomeni i sigurimit të kredisë. Bankat kanë orientuar klientët në një shoqëri sigurimi dhe në këtë shoqëri sigurimi kanë vazhduar gjatë gjithë kohës dhe vetë banka bënte risigurimin e kredisë për çdo vit. Pra pa marrë në konsideratë klientin që firmoste kushtet e kredisë. Pra është një kosto e shtuar në kredinë e konsumatorit. Në këtë moment ne menduam të shohim sesi funksinojnë të gjithë instrumentet të cilat facilitojnë një treg bankar konkurues në atë nivel që të ulë kostot e konsumatorit”, tha Lati. Ajo ka bërë të ditur se është hapur një hetim, ndërkohë që edhe Banka e Shqipërisë si autoriteti rregullues në treg, pranon se “politika e saj monetare, nuk është reflektuar ne masën e duhur tek kredia, por vetëm tek depozitat”. Çfarë i pengon atëherë bankat që të lëvrojnë para për kreditimin duke lehtësuar kushtet dhe duke dhënë kështu mbështetje reale për ekonominë? Ndoshta problemi është shumë i thellë dhe lidhet me brishtësinë e situatës në Shqipëri, por edhe situata kur roli i një banke qendrore as që ndihet, nuk mund të vazhdojë.
Add new comment