Po nëse Cani jep dorëheqje, apo deklarohet i pamundur për të vazhduar detyrën?
Kërkesa e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për interpretimin e nenit 98, pika 1 të Kushtetutës për dekretimin e dy ministrave, duket se ka brenda natyrë spekuluese dhe bazohet në sofizëm.
Praktika e këtyre viteve ka forcën e precedentit, të cilën as gjykata nuk mund ta shmangë në argumentimin e vet. Pra si është vepruar këto vite për ushtrimin e kompetencës së emërimit dhe të shkarkimit të ministrave vlen si rregull që shmang "dilemat". Presidenti shprehet qartë se kërkesa e kryeministrit për shkarkimin e dy ministrave ka ardhur në të njëjtën ditë me kërkesën për zëvendësimin e tyre. Edhe gjatë presidencës së Bujar Nishanit dekretimi për të dyja aktet është konsumuar brenda një dite. Presidenti thotë në argumentimin e vet se: “Do të jetë pa kuptim nëse Dekretet për Shkarkimin e Ministrave do të kenë votën kundër të Kuvendit, ndërkohë që Presidenti emëron dy ministra të tjerë referuar propozimit të Kryeministrit. Në rastin konkret, Kuvendi nuk i ka dhënë fuqi Dekreteve të Presidentit për shkarkimin e Ministrave, ndërkohë që Presidenti ka detyrimin kushtetues të shprehet me dekret për emërimin e dy ministrave të tjerë referuar propozimit të Kryeministrit brenda afatit 7 ditor”.
Pra Presidenti e lidh kompetencën e dekretimit, që e ka ekskluzive, me vendimet e paragjykuara të Kuvendit, pavarësisht se Kushtetua ia njeh atij dhe vetëm atij të drejtën e emërimit dhe të shkarkimit formal të ministrave. Pse atëherë Presidenti ka dilemën e një “situate të pakuptimtë”, kur Kushtetuta ka rregulluar vendimmarrjen e shkallëzuar si formë kontrolli? Presidentit i njihet e drejta për dekretim si formë e ushtrimit të pushtetit, jo si shtojcë e Kuvendit, apo e qeverisë. Ndaj konsiderimi i kontekstit ku operon Kuvendi dhe qeveria këtu nuk ka kuptim.
Presidenti i Republikës i cilëson dekretet e veta aktualisht si Pa Fuqi, pra Shkëlqim Cani dhe Arben Ahmetaj janë aktualisht në detyrën e ministrit të Financave dhe të Ekonomisë, pasi gjendja juridike nuk ka ndryshuar. Presidenti pranon sërish se do të jetë i detyruar të shprehet me dy dekrete të tjera 7 ditë nga kërkesa e kryeministrit. Pra në datën 24 shkurt, Bujar Nishani do të duhet të dekretojë emërimin ose jo të Milva Ikonomit dhe Arben Ahmetajt. Me kërkesën e sotme drejtuar Gjykatës Kushtetuese Presidenti mund të mbrohet duke thënë se ai nuk shprehet meqenëse këtë çështje ia ka deleguar Gjykatës Kushtetuese për Interpretim, duke lënë për rrjedhojë Kuvendin e Shqipërisë që të votojë dekretet e shkarkimit, 10 ditë nga kërkesa e kryeministrit. Thënë kjo, brenda datës 27 shkurt, Kuvendi do të duhet të votojë për shkarkimin ose jo të Shkëlqim Canit dhe Arben Ahmetajt. Duke krijuar një situatë ku shkarkohen dy ministra, por nuk emërohen dot dy të tjerë. Këtë na e thotë vetë Presidenti në kërkesën e tij.
Por këtu dalin vetiu dy probleme serioze që e vënë shumë në diskutim seriozitetin e kërkesës: Së pari, e zëmë se Kuvendi do të votojë dekretet për shkarkimin e Canit dhe Ahmetajt; çfarë do të bëjë Presidenti për dekretet e emërimit? Kërkesa për interpretim drejtuar Gjykatës Kushtetuese në thelb është me natyrë të përgjithshme dhe mund të vlejë për çdo rast në të ardhmen, por sapo Kuvendi t’u ketë dhënë fuqi dekreteve të shkarkimit, ai ka hequr shkakun e kërkesës së Bujar Nishanit sot.
Shikoni çfarë thotë vetë Presidenti: “Presidenti nuk ka proceduar me emërimin e dy Ministrave të tjerë, që zëvendësojnë dy Ministrat e shkarkuar. Përsa kohë Dekretet e Presidentit për shkarkimin e dy Ministrave nuk janë shqyrtuar nga Kuvendi, do të thotë që ato kanë ngelur pa fuqi. Do të jetë pa kuptim nëse Dekretet për Shkarkimin e Ministrave do të kenë votën kundër të Kuvendit, ndërkohë që Presidenti emëron dy ministra të tjerë referuar propozimit të Kryeministrit”. Është e vërtetë që presidenti do të mund të mbrohet me “argumentin” se “është ezauruar afati 7 ditor i shprehjes me dekret emërimi”, çka është një precedent shumë i rëndë dhe që e regjistron Bujar Nishanin si nje president që ka hapur dritaren e një krize që do të kërkojë patjetër një kokë.
Por po kaq e vërtetë është edhe se Shkëlqim Cani apo Arben Ahmetaj mund të deklarojnë dorëheqjen dhe pamundësinë e vazhdimit të detyrës, duke imponuar nisjen e procedurës nga e para dhe bërjen nul të detyrimit të Kuvendit për t’u shprehur për dekrete për të cilat ka rënë shkaku i shqyrtimit, ose që pajtohen me rrethanën e re. Çfarë do të bëjë atëherë Presidenti që sot kryen akte të tilla?
Add new comment