Sulmet e kordinuara të PD ndaj Ahmetajt
Në dy deklarata të Partisë Demokratike u sulmua ashpër ish-ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Kryetari i Partisë Demokratike në një deklaratë të shpërndarë për mediat shprehet se emërimin i Ahmetajt në Ministrinë e Financave është arsyeja që mazhoranca kërcënon me shkarkim Presidentin e Republikës. Basha e ka lidhur emërimin e Ahmetajt me konçesionin e TVSH-së duke përmendur si ndërlidhës të këtij emërimi vëllain e kryeministrit Olsi Rama.
"Presidenti i vendit nën paralajmërim, sepse ka vonuar dekretimin e zgrapësit Ahmetaj, çarter-kleptokrati që duhet sa më shpejt të nisë punën për koncesionin e TVSH për Olsin. Këto janë standardet e këtij kryeministri që po kërkon me forcë një fund si të 20 shkurtit."-thuhet në deklaratën e Bashës.
Më herët në një dalje nga selia e Partisë Demokratike, deputeti Sherefedin Shehu, duke iu referuar akuzave për udhëtime me çarter të Arben Ahmetajt deklaroi se "asnjë qytetar i vendit nuk mund të pranojë të ketë Ministër të Financave një hajdut të këtyre përmasave, prandaj kërkohet që më pare ai duhet të japë llogari për pazaret e tij.
"Cili koncesion është dhënë, ose cila pasuri e vendit është falur pas këtyre fluturimeve çarter të Ahmetajt. A kanë lidhje këto çartera me landfillin e Elbasanit, me aferën Skavica apo me koncesionin e TVSH-së?"- theksoi Shehu në deklaratën e tij. Përshkallëzimi i këtyre sulmeve ndaj Ahmetajt vjen një ditë pas reagimit të ashpër në parlament të ish-kryeministrit Berisha, qëndrim që ngre pikëpyetje edhe mbi mosdekretimin e presidentit Nishani të emërimit të Ahmetajt si Ministër i Financave.
Add new comment