Po del shkurti/Basha bën gazetarin me tituj sensacionalë: “Do përballemi në Kuvend...me emërimin e Arben Ahmetajt”. Kush është rekruti i së enjtes?
Lulzim Basha, që ka dy vjet në detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike, ka folur sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar për ndryshimet e fundit në qeveri. Opozita parlamentare, është ndër të tjera edhe një mundësi transparence, informimi e publikut, pasi me statusin dhe të drejtat që ka, ajo ka mundësi të informohet mbi disa zhvillime, për të cilat opinioni nuk mundet dhe detyrohet mandej t’u besojë spekulimeve mediatike, apo lajmeve gazetareske, që jo rrallë çalojnë. Por sot Basha ka vendosur që njëfarësoj të bëjë edhe vetë gazetarin e politikës, duke marrë në mirëbesim lajmet e mediave dhe duke paralajmëruar se aksioni politik i radhës, nga opozita, do të bazohet pikërisht mbi to.
Në një shfaqje disi të tepërt solidariteti etik me ministrin e hequr të Financave, Shkëlqim Cani, Basha u ofroi shqiptarëve këtë analizë: “Karshillëku ndaj mesazheve të Sekretarit Kerri shënoi kulmin me emërimin e Ministrit të ri të Financave, Ahmetaj, me rekordet më korruptive që ka ky ministër. Ahmetaj – i denoncuar publikisht nga opozita për korrupsionin me Landfilin e Elbasanin, ku vidhen 10 mijë euro në ditë nga taksapaguesit apo për aferën e Skavicës – është dëshmia se cili është standardi i artë i Edi Ramës. Shkarkimi poshtërues i Shkëlqim Canit dhe emërimi i Ahmetajt është bërë sepse ai nuk pranoi t’i hapë rrugë konçensionit të TVSH-së, korrupsionit dhe ky emërim është një sulm, një ofensivë e re më e babëtizuara që Rama ka bërë; është reduktimi brutal i qeverisjes në një synim të vetëm: Të bëjnë pare! Është lufta e re që Rama u bën zgjedhjeve të lira duke i blerë me para të pista, se ai e di se elektorati është në hemoragji të vazhdueshme; është lufta e re që Rama u shpall shqiptarëve. Kështu e lexojnë njerëzit, mesazhin e tij. Por, ne do të përgjigjemi: Do të përballemi në Kuvend me këtë emërim që do të hyjë në rekordet e errëta të historisë. Do të udhëheqim revoltën dhe shpresën e shqiptarëve. Do të nderojmë mesazhet e Kerrit”.
Pra njerëzit kanë lexuar mediat dhe kanë bërë të vetin një iks analizë. Kaq mjafton dhe opozita do ta riprodhojë analizën në seancë plenare. Dikush mund të shpresojë se kjo që bubullin nga selia e PD-së është parathënia e revolucionit demokratik, por do të ishte e dobishme që pamfleti të lexohej në kontekst dhe të mbante për kriter të vërtetën e këtyre deklaratave. Në dhjetor Lulzim Basha u premtoi shqiptarëve se do të bënte namin në janar ndaj Edi Ramës dhe 40 hajdutëve të tij; ai foli madje për “arrestim publik të të korruptuarve”(http://www.mapo.al/2015/12/basha-sjam-partizan-i-anarkise-ja-aksioni-yne-ne-janar). E megjithatë asgjë nuk ndodhi. Po del shkurti dhe për çdo javë po provohet se axhenda e PD-së është e varfëruar dhe më keq, strategjia e kryetarit të saj, është t’u vendosë tituj bombastikë fjalimeve të veta. Mbetet për t’u zbuluar ditën e enjte se kush do të jetë rekruti kryesor në fushëbetejë.
Add new comment