Intervista e Sytarit: Neglizhimi i udhëheqësve fetarë nuk është largpamësi, "Kurbanët" e rremë në dëm të vendit

Postuar në 26 Janar, 2016 10:20

Myftiu i Shkodrës Muhamed Sytari ka folur në një intervistë të gjatë për portalin tesheshi.com ku ka komentuar situatën ekonomike, politike dhe atë të besimit në vend. Sytari është shprehur se ka një politikë që synon ta mbajë shoqërinë të varfër për ta shkëputur atë nga besimi dhe feja.
"Ky mjerim e kjo varfëri është një ndër faktorët kryesorë të çoroditjes morale, intelektuale edhe besimore, që kalojnë shqiptarët. “Varfëria të çon në femohim”, thonë urtësitë e shekujve të vjetër! A ka çoroditje më të madhe se kaq? A nuk e kemi provuar ne shqiptarët se çfarë katastrofe e çoroditjeje sociale ka shkaktuar luftimi dhe denigrimi i fesë tek ne?"-thekson Sytari.
I pyetur se Shqipëria e çoroditur e ka konstatuar edhe kryeministri i vendit që ka përdorur një shprehje të Panajot Gjiknurit, Sytari thotë se krijimi i Zotave të rreme janë të dëmshme për vendin.
"Kataklizma e rrënimit dhe shkatërrimit të institucionit të besimit dhe fesë për dekada në këtë vend, ka lënë pasoja të rënda, që trupëzohen në dëshmitë e shumë “Gjiknurëve”, që kanë dëshmuar e dëshmojnë “kurbane” të pamerituara për “zota” të rremë, në dëm të Njeriut në këtë vend!?"-komenton myftiu i Shkodrës.
Sytari shprehet se mes drejtuesve politikë dhe atyre fetarë në vend ka mungesë komunikimi, duke u bërë thirrje imamëve të njohin fuqinë e tyre që sipas tij është më e madhe se e një kryetari bashkie a kryeministri.
"Mendoj se i pari i vendit, kushdo qoftë ai, duhet të ketë një linjë të vazhdueshme komunikimi dhe këshillimi me drejtuesit kryesorë të komuniteteve fetare. Sikurse jam i bindur se, neglizhimi i tyre nuk është shenjë urtësie, as largpamësi! Hoxha që njeh kufijtë e vet dhe rregullat e urtësisë në shërbimet e tij, është më i madh se një kryetar bashkie, një ministër a kryeministër!"-thekson kryemyftiu i Shkodrës.
Ai thotë se ka një sulm permanent ndaj islamit, por beson se shenjtëria e tij do të triumfojë. "Këta që e sulmojnë Islamin, në fakt, nuk bëjnë asgjë tjetër vetëm se na angazhojnë të punojmë më shumë në drejtim të përhapjes së kësaj drite të pashuar. Na angazhojnë të korrigjojmë gabimet, të mos shkelim mbi besën tonë, mbi rregullat e shenjtëritë, as për injorancën e tyre, as për intrigat, as për meskinitetin, as për rrugëtimin e gabuar! Këta, në fakt, na bindin përherë e më shumë se ky shekull është shekulli i Islamit!"
Sytari flet për dëme të mëdha që i janë bërë vendit me ndërhyrjet nga jashtë dhe aprovimin e politikës, ndonëse tregohet i rezervuar për të përmendur emra.
"Më dëshpëron mashtrimi, me të cilin u përball ky popull pas vitit 1990! Iu lejua shumëkujt të vinte e të ulej këmbëturqisht, si zot shtëpie në këtë vend!? Janë bërë dëme të mëdha, për të cilat rezervohem të flas për momentin"-shprehet ai.
Myftiu i Shkodrës e sheh si tendencë të rrezikshme përpjekjen e Ministrisë së Kulturës dhe Kishës Katolike për të mbajtur ceremoni fetare në xhaminë e kalasë që sipas tij është objekt kulti i fesë islame.
"Ia kam bërë të ditur me shkresa edhe arqipeshkvit edhe ministres së kulturës; objekti në kalanë e Shkodrës është Xhamia e Mehmet Fatihut! Nuk ka asnjë të drejtë morale ministria e kulturës të japë leje për zhvillimin e ceremonive fetare joislame në xhaminë shekullore të kalasë! Nuk e ka këtë të drejtë, përtej justifikimit se ka një ligj! Harmonia ndërfetare është më e vlefshme se krejt ligjet që kthehen në alibi për thyerjen e pasqyrës a prishjen e ekuilibrave!Sikurse nuk ka të drejtë asnjë komunitet fetar joislam të kërkojë zhvillimin e ceremonive fetare në rrënojat e një xhamie shekullore, origjina e së cilës ngelet objekt studimi dhe interpretimi i historisë. Është tejkalim i normave dhe tendencë e rrezikshme!"-thekson Sytari.

Comments

Submitted by RUS HASLIKEJ (not verified) on

Refim i perkryer i zotni Sytarit, ne kete interviste. Me kete paraqitje te nje intelektuali te nivelit te larte, te krijohet nje ndjesi pozitive, duke u krenuar, ne rradhe te pare, me njerez te tille, e mandej si nje klerik i larte i fese myslimane.
Deri me sot, shume rralle, jane bere intervista me klerike myslimane e bektashiane, gje qe duhet te ishte shume me e shpeshte, mbasi edhe mbi 70 % e popullsise eshte e ketije besimi. Eshte bere e behet shume mire qe intervistohen klerike katolike e ortodokse, por, sikur eshte neglizhuar goxha shume, ne drejtim te prezantimit te klerikeve te fese myslimane.
Ne, si popull, ndjehemi mire qe ka djem e vajza te reja, qe kane marre ne dore drejtimin shkencor fetar, me kuture e edukate, dhe te diplomuar ne shkolla te larta, me emer ne boten islamike, duke orientuar dhe propaganduar tek njerezit, islamin real, njerezor, human, paqesor, per respektin e njeriut per njeriun, respektimin e fese se tjetrit, harmonine fetare ne komunitet, etj.
E, per me teper, nuk ka se ku te shkoje , me mire se sa shembulli i vete zotni, Sytarit, ku nena e tije, eshte katolike, dhe baba eshte mysliman. A ka se ku te veje me teper se sa kaq, harmonia fetare ! Dhe djali, eshte myftiu i qytetit te Shkodres, qytetit me te madh fetar mysliman ne shqiperi.
Zotni Sytarit, i uroj shendet e jete, dhe zoti i dhente fuqi i mend, per t'i sherbyer me ndershmeri e devocion, popullit te vet te Shkodres loce, qe e don fort.
Tung.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.