Intervista/Sistem teknologjik dixhital për gjurmimin e TVSH-së

Postuar në 22 Janar, 2016 18:22
Intervistoi: Teuta Shamku

Zëvendësministrja e Financave Irena Beqiraj ka sqaruar në një intervistë për gazetën Tema iniciativën e qeverisë për të rritur shkallën e administrimit të TVSH-së. Sipas zonjës Beqiraj, administrimi i taksës së TVSH-së nuk do të jepet me koncesion, por është një projekt bashkëpunimi në formën e Partneritit Publik Privat, i cili pritet të minimizojë evazionin fiskal. Beqiraj sqaron se në këtë rast kemi të bëjmë me një platformë teknologjike dixhitale, e cila do të mundësojë raportimin në kohë reale të cdo transaksioni, apo për çdo shitje e blerje. Zëvendësministrja ka sqaruar se biznesi nuk do të ketë asnjë kosto shtesë me këtë PPP, nuk cenohen të dhënat e bizneseve, dhe se e vetmja gjë që duhet të bëjnë të gjithë subjektet është deklarimi i çdo shpenzimi, të pagës reale të punonjësve. Sipas saj kjo platform jo vetëm do të rrisë të ardhurat që do të mblidhen nga TVSH-ja, por edhe nga taksa të tjera si sigurimet shoqërore, tatimi mbi pagat dhe taimi mbi fitimin. Beqiraj thotë se ky nuk është një koncesion dhe se biznesi nuk paguan asnjë kosto shtesë, ndërsa sjell në vëmendje faktin se në koncesionet e bëra vite më parë se: Sicpa, Rapiscan, GFI, imponojnë tarifa mbi biznesin, fitojnë pavarësisht faktit a kanë sjellë të ardhura shtesë apo jo në buxhet, si dhe nuk kanë asnjë matës performace nga e cila të varet përfitimi i tyre. Beqiraj shton me këtë PPP biznesi, i madh apo i vogël, si edhe konsumatori, nuk do të paguajnë asnjë qindarkë më shumë nga sa paguajnë sot.

Znj.Beqiraj, pas iniciativës së qeverisë, të bërë publike nga Ju, lidhur me një sistem të ri për gjurmimin e TVSH-së, pati shumë përshtjellim në publik rreth asaj që do të ndodh. Për të sqaruar më mirë qytetarët a mund të na shpjegoni se me çfarë kemi të bëjmë: me koncesion apo një projekt në formën e Partneritetit Publik- Privat?

-Së pari, faleminderit për mundësinë e komunikimit për të sqaruar edhe një herë iniciativën e fundit të Ministrisë së Financave, e cila konsiston në krijimin e një Partneriteti Publik Privat(PPP). Ky partneritet synon ngritjen dhe operimin e një platforme tekonologjike, e cila do të përmirësojë kapacitetet monitoruese dhe administrative të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimevedhe do të thellojë luftën kundër evazionit fiskal. Pyetja e është shumë e rëndësishme dhe do të përpiqem shkurtimisht të sqaroj ndryshimin midis PPP dhe koncesionit. Partneriteti Publik Privat nënkupton një formë bashkëpunimi afatgjatë, të rregulluar me kontratë, ndërmjet partnerit publik dhe partnerit privat. Koncesion është dhënia e një të drejte ekskluzive të shtetit, për t’u përdorur plotësisht nga operatori privat. Në rastin në fjalë kemi të bëjmë qartësisht me një Partneritet Publik Privat, dhe jo me një Koncesion. Ndërkohë, është për të ardhur keq që një pjesë e medias, por edhe e politikës, me dashje apo nga padituria, i janë referuar rastit në fjalë si koncesion, kur në fakt që nga emri dhe deri tek Termat e Referencës kuptohet qartë se kemi të bëjmë me një Partneritet Publik Privat.

Kjo fomë e re administrimi ka të bëjë me mbledhjen e TVSH-së, apo me sistemin? Kush do ta bëjë mbledhjen e parave ?
-Mbledhja e të ardhurave nuk mund të bëhet nga askush tjetër përveçse nga Administrata Tatimore, e cila ka detyrimin ligjor të kryejë këtë funksion. Ndaj në këtë aspekt, nuk kemi të bëjmë me ndonjë formë të re administrimi, por thjesht synojmë që me ndihmën e një partneri privat, i cili do të zgjidhet me garë të hapur ndërkombëtare, të ndërtojmë një platformë teknologjike (IT) e cila do të ofrojë: informacionin e nevojshëm në kohë reale mbi transaksionet ekonomike që kryhen në vend, lehtësi në analizimin e të dhënave, mundësi në identifikimin e bizneseve që kryejnë evazion, gjurmim të mallrave, si dhe mundësi për kryerjen e shorteut të kuponit tatimor në kohë reale. Pra, po kërkojmë bashkëpunimin e një partneri privat, me eksperiencë ndërkombëtare në këtë fushë, që të investojë në një sistem modern teknologjik, të aftë për t’i ofruar Administratës Tatimore platformën e nevojshme për të luftuar njëherë e mirë evazionin fiskal dhe informalitetin. Dëshiroj ta theksoj edhe njëherë, mbledhja e çdo takse apo tatimi është dhe do të jetë funksion i administratës dhe askujt tjetër.

Pse lindi nevoja për këtë formë Partneriteti Publik – Privat dhe çfarë përfitohet nga kjo PPP?
-Në hapësirën ekonomike shqiptare, kryhen dy lloj transaksionesh. Transaksionet “Biznes me Biznes” që shpesh i quajmë shitje me shumicë dhe transaksionet “Biznes me Individë” ose në gjuhën popullore shitjet me pakicë. Për të gjitha transaksionet e shitjeve me shumicë, Administrata Tatimore është e detyruar të presë datën 10 të çdo muaji, kur biznesi i madh kryen vetdeklarimin e shitjeve dhe te blerjeve, dhe vetëm atëherë mund të analizojë të dhënat, ashtu siç i ka paraqitur biznesi. Ndërkohë, nevojitet një sistem i ri teknologjik, që ndjek në kohë reale transaksionet e shitjeve me shumicë dhe që i jep mundësi Administratës Tatimore të analizojë dhe kontrollojë në çdo moment se çfarë ndodh me biznesin e madh. Nga ana tjetër, sistemi teknologjik (IT) për shitjet me pakicë, edhe pse i ndryshuar në vitin 2010, raporton tek Administrata Tatimore vetëm në fund të ditës, në momentin që biznesi kryen mbylljen manuale të kasës. Edhe në këtë rast, është vënë re se një numër jo i vogël biznesesh shesin produkte dhe shërbime pa kupon tatimor dhe vetëm ne fund të ditës lëshojnë një numër të vogël kuponash që nuk pasqyrojnë realitetin e shitjeve, por thjesht përpiqen të justifikojnë xhiron e ditës. Ndërkohë, Administratës Tatimore i nevojitet një sistem që raporton në kohë reale, siç ndodh në çdo vend të botës. Vetëm kështu, ne do të kemi mundësi të sinjalizohemi në kohë reale nëse një biznes nuk është duke kryer transaksione gjatë ditës së punës dhe në këtë rast Administrata Tatimore mund të kryejë kontrolle për të luftuar evazionin fiskal. Pra, është lehtësisht e kuptueshme që aktualisht kemi raportim në kohë të ndryshme dhe asnjëri prej tyre në kohë reale. Nga ana tjetër, nevojitet një sistem tekonologjik që e ndalon përfundimisht gjenerimin nga sistemi të kuponave jo tatimorë. Pikërisht të atyre faturave që në pamje të parë ngjasojnë me kuponin, por që në fakt janë thjesht një kopje e tij dhe që ndihmojnë biznesin në kryerjen e evazionit fiskal. Po ashtu, sistemi teknologjik modern që ne kërkojmë përmes këtij PPP, do të mundësojë edhe zhvillimin e Shorteut të Kuponit Tatimor, pasi sistemi i ri që ne kërkojmë të ndërtojmë, do të integrojë të gjitha llojet e shitjeve si edhe do të japë informacion në kohë reale.

Çfarë paguan shteti në gjithë këtë proces?
-Forma e Partneritetit Publik Privat të propozuar në studim është modeli më i zakonshëm i PPP “Hartim-Ndërtim-Financim-Operim-Transferim (DBFOT). Ky model kërkon ofrimin e të pestë elementeve nga partneri privat. Partneri privat do të sigurojë burimet financare, do të ndërtojë, mirëmbajë, operojë gjithë projektin për të përmbushur kërkesat e vendosura nga partneri publik. Ky model transferon të gjithë riskun financiar tek partneri privat. Një PPP eficente duhet të strukturohet në mënyrë të tillë që të jetë me përfitime për të dy partnerët: publik dhe privat. Mekanizimi i pagesës është zemra e kontratës së PPP, e cila përkthen në efekt financiar shpërndarjen e riskut dhe përgjegjësive midis partnerëve. Pagesa në këtë rast mbështetet tërësisht në performancë, ku faktori kyç i matjes së saj është çdo rritje shtesë e TVSH-së (së mbledhur) mbi 11% në vit. Thënë ndryshe, Grupi i Studimit të Fizibilitetit të projektit ka bërë një vlerësim se sa është kapaciteti i rritjes vjetore të TVSH- së mbledhur nga Administrata Tatimore pa platformën e ofruar nga partneri privat. Kjo rritje është vlerësuar 11% në vit. Ndërkohë, do të ndahet me partnerin privat çdo rritje vjetore e TVSH-së brendshme, duke filluar nga 11%-21%. Pra, nëse një vit TVSH neto e mbledhur nga Administrata Tatimore rritet me 13% kahasimisht me vitin paraardhës, rritja prej 2% më shumë (diferenca me 11% që merret si rritje e mirëqënë e kapaciteteve të vetë Administratës, pa ndihmën e sistemit tëri) do të ndahet me partnerin privat. E thënë shqip, i gjithë financimi i sistemit tëri do të jetë financim i partnerit privat, ndërkohë që fitimi i këtij partneri do të jetë vetëm mbi rritjen ekstra të mbledhjes së TVSH, kur arrihet një nivel mbi 11% që ofron sistemi aktual.

Ajo që shqetëson qytetarët është frika se mos keqpërdoren paratë e taksapaguesve. Në fakt, a do të paguajnë qytetarët dhe bizneset për këtë PPP?
-Siç mund edhe të kuptohet nga sqarimi i mësipërm kjo PPP nuk imponon asnjë tarifë apo pagesë nga bizneset për partnerin privat. Ndërkohë që partneri privat realizon fitim vetëm nëse sjell të ardhura shtesë për Buxhetin e Shtetit, mbi nivelin 11% . Pra partneri privat fiton, nëse fiton të ardhura shtesë Buxheti i Shtetit. Ndërkohë, e krahasuar me kontratat koncesionare të lidhura nga qeveria e mëparshme, kemi një ndryshim thelbësor të cilin dua ta theksoj. Sicpa, Rapiscan, GFI, imponojnë tarifa mbi biznesin, fitojnë pavarësisht faktit a kanë sjellë të ardhura shtesë apo jo në buxhet, si dhe nuk kanë asnjë matës performace nga e cila të varet përfitimi i tyre. Në rastin në fjalë biznesi, i madh apo i vogël, si edhe konsumatori, nuk do të paguajnë asnjë qindarkë më shumë nga sa paguajnë sot.

A nuk kishte mundësi shteti të investonte vetë në këtë sistem, pa qënë nevoja për të gjetur këtë formë PPP?
-Sigurisht që këto lloj platformash teknologjike janë të kushtueshme. Por nuk është vetëm problemi financiar. Me teknologjinë që avancon çdo ditë, nevojiten ekspertë dhe kapacitete teknike të angazhuara enkas në këtë punë, të aftë të ecin me ritmin e zhvillimit të teknologjisë. Është kjo arsyeja kryesore përse edhe vendet më të zhvilluara si Gjermania, Austria apo Turqia, zgjedhin partneritetin publik privat, sa herë bëhet fjalë për investime në teknologji.

Zonja zëvendësministre një shqetësim i ngritur nga ekspertë por edhe biznese, ka të bëjë me sigurinë e të dhënave në sistem. A do të jenë të sigurta këto të dhëna?
-Sigurisht! Një nga kushtet e Termave të Referencës është siguria e të dhënave, ndërkohë që siguroj që ky komponent do të jetë pjesë e rëndësishme edhe e Termave të Kontratës.

Nga ana ekonomike, çfarë përfiton shteti nga instalimi i një sistemi të tillë teknologjik të gjurmimit të TVSH-së në të gjitha hallkat e saj?
-Një nga objektivat e kësaj qeverie është të luftojë informalitetin dhe evazionin fiskal, i cili pengon zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik si dhe ndikon në ashpërsimin e klimës konkuruese për biznesin. Instalimi i kësaj platforme do të rrisë mundësitë e identifikimit të bizneseve që bëjnë evazion dhe si e tillë, besojmë se do të ulen shumë incentivat për evazion fiskal. Ky sistem jo vetëm që do të ndihmojë Adminstratën të mbledh më shumë TVSH por me rritjen e deklarimit të xhiros, bizneset do të detyrohen të formalizojnë shpenzimet dhe të deklarojnë pagat reale, duke rritur performancën edhe të zërave të tjerë të të ardhurave të mbledhura nga Administrata Tatimore, si: Sigurimet Shoqërore, tatimi mbi pagat dhe Tatim Fitimi.
Ndërkohë, përdorimi i teknologjisë rrit eficencën e Administratës Tatimore duke përmirësuar analizën e riskut, fasiliton biznesin e ndershëm, si dhe ul mundësinë për të të kryer korrupsion nga Administrata. Së fundi, dua të theksoj, që mënyra sesi është hartuar kjo PPP ka pasur në fokus jo vetëm interesin publik, por edhe ofrimin e një formule të re dhe eficente ku performanca e projektit është përcaktuesi i përfitimeve.

Së fundi, është folur këto ditë edhe për një qëndrim të grupit të ekspertëve që kanë shqyrtuar ofertën e pakërkuar dhe sipas një memo të publikuar në shtyp, ekspertët e ministrisë tuaj dhe të Drejtorisë së Tatimeve janë shprehur kundër kësaj PPP. Përse ky ndryshim në qëndrim?
-Këtu kemi të bëjmë sërish me një disinformim, pasi mendimet e disa prej ekspertëve, theksoj mendime të disa ekspertëve dhe jo qëndrime të Ministrisë, kanë të bëjnë me fazën fillestare të një oferte të pakërkuar, e cila ndryshon rrënjësisht në Termat e Referencës nga sistemi që ne kërkojmë sot. Unë dëshiroj të theksoj bindjen e Ministrisë për nevojën e një sistemi tëri teknologjik për të rritur edhe më tej shkallën e luftës kundër evazionit fiskal dhe informalitetit.

"Tema"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.