Kompanitë publike në borxhe sa 19% e PBB-së
Qeveria ka hyrë garant për borxhet që kanë marrë ndërmarrjet në pronësi të saj të tilla ( KESH, OSHEE, ujësjellës etj), por nuk ka asnjë raport mbi financat e korporatave publike, vlerëson Fondi Monetar Ndërkombëtar në një raport të fundit për Transparencën Fiskale.
Bilancet dhe pasqyrat financiare të korporatave të veçanta publike, si edhe të kompanive të tjera aksionare, janë botuar përgjithësisht tek Qendra Kombëtare e Regjistrimit.
Pronësia e 255 korporatave publike është shpërndarë ndërmjet ministrive të ndryshme dhe pushtetit vendor. Ministria e Ekonomisë është përgjegjëse për administrimin e pronës publike, por kjo nuk përgatit pasqyrat financiare të konsoliduara të korporatave publike dhe për pasojë nuk dihet se sa është i ekspozuar portofoli i qeverisë ndaj kompanive publike, vëren FMN. Sipas Monitor borxhi i ndermarrjeve publike llogaritet ne 19% të PBB-së.
“Korporatat publike kanë krijuar rreziqe të mëdha fiskale. Edhe pse sektori është më i vogël se në shumë vende të avancuara evropiane, qeverisja dhe përformanca financiare e kompanive është e dobët. Ata operojnë sipas ligjit tregtar, por disa, veçanërisht ato të energjise elektrike dhe sektorët e ujësjellësit janë me humbje dhe i janë drejtuar buxhetit të shtetit duke marrë financime të tërthorta nga buxheti” konstaton FMN.
Sektori i energjisë elektrike ende është në telashe të mëdha pas privatizimit të dështuar. FMN vlerëson se sektori pritet të ketë nevojë për mbështetje buxhetore deri në vitin 2019.
Add new comment