Pse Erion Veliaj është kundër tramit të Tiranës
Bashkia e Tiranës i është futur me mish e me shpirt konçesioneve për parkimet publike dhe bulevardit të ri, siç është shprehur kryetari i saj Erion Veliaj, por nuk ka në plan të çojë më tej një projekt të Lulzim Bashës për tramin e Tiranës që do të modernizonte transportin publik në kryeqytet. Nënkryetari i Bashkisë, Arbjan Mazniku, ka deklaruar se Bashkia e ka të pamundur të realizojë projektin e tramit në Tiranë si alternativë për shmangien e trafikut për shkak të kostos së lartë. “Në secilën prej modeleve të tramit që ne kemi parë deri tani, në secilin prej studimeve të bëra, qoftë studimin e famshëm francez, qoftë studime alternative, çështja e tramit është akoma jo-vizibël nga pikëvështrimi i ekonomisë, mundësisë ekonomike që qyteti ka. Projekti i famshëm i tramit kërkon një investim prej 170 milionë eurosh. Duke pasur parasysh që buxheti i Bashkisë së Tiranës ishte në nivelin e 55 milionë dollarë në vit, pra ishte më shumë se trefishi I buxhetit të bashkisë , vetëm për një linjë të tramit dhe për më shumë kërkonte që ne si bashki të vendosnim në mënyrë të vijueshme, çdo vit 3 apo 4 milionë dollarë si subvencion për këtë linjë. E paarsyeshme dhe e pamundur për bashkinë”,- deklaroi Mazniku për Televizionin Publik Shqiptar.
Add new comment