Çfarë do të thotë të ofrosh sot anëtarësimin në PS?

Postuar në 13 Dhjetor, 2015 20:01

Me afrimin e Kongresit të Partisë Socialiste kryetari i saj, Edi Rama, po përsërit si tezë kryesore të vetën, shtimin e numrit të anëtarësisë së saj. Edi Rama është që në këtë moment kryetari i vjetër dhe i ri i PS-së, pasi askush nuk e sfidon atë në garën për drejtim. Ndaj diskutimi duhet shtruar për “degët” e pemës politike socialiste. Apeli për anëtarësime vjen në një kohë kur kjo parti është në pushtet, por në “ndryshim” nga partitë e tjera, po synon që ta ndryshojë modelin e “rekrutimit” duke hequr dorë nga raporti ofertë kërkesë në punësimin e militantëve. Dhe duke ofruar përfaqësim dhe pjesëmarrje brenda një çatie që e sugjeron veten si “pasuri të shqiptarëve”. “Ne kemi vënë një objektiv, që të jemi 150 mijë shqiptarë dhe shqiptare të të gjitha moshave, të të gjitha territoreve, brenda apo jashtë Shqipërisë, që në 25 vjetorin e Partisë Socialiste të numërohemi si anëtarë dhe anëtare të Partisë Socialiste.
Por ky nuk është një objektiv numerik. Nuk është thjesht tek numri, por tek përbërja, tek struktura sociale, tek fuqia reflektuese e shoqërisë që duhet të ketë Partia Socialiste. Kjo do të thotë që organizatat socialiste nuk mund të jenë askund organizata familjare, një familje një organizatë, organizata të një fisi, organizata të një pallati, organizata të bëra me tre veta, që e mbajnë peng prej vitesh e vitesh të tëra atë strukturë që është struktura bazë e komunikimit dhe e ndërveprimit të Partisë Socialiste me komunitetin në një qendër votimi”, tha sot në Sarandë Edi Rama.

Teorikisht qasja duket e drejtë: përfshirja e të gjitha shtresave sociale presupozon tematizim në nivel politik të problemeve që hasen në raport me shtetin dhe politikat shtetërore. Por nga ana tjetër ky diskutim sugjeron se problemi i reflektimit dhe i disbalancimit për të cilin flet kryeministri, qëndron Poshtë. Dhe se duke rijetëzuar strukturat arkaike socialiste do të rritet presioni pozitiv ndaj qendrës. Në fakt përvoja e ristrukturimit të PS-së që nga viti 2005 e mbrapa na dëshmon të kundërtën. PS-ja ishte një parti me jetë institucionale vitale, me debate që kishin diçka pozitive, me thyesa sociale dhe decentralizim të konsiderueshëm që rregullohej në përcaktimin me konsensus relativ të kandidatëve për çdo zgjedhje. Pa folur këtu për fushtatat e zgjedhjeve në parti që ishin shumë më të hapura sesa sot, apo konsultimet e vendimeve të rëndësishme të qeverisë me Kryesinë dhe Komitetin e Përgjithshëm Drejtuese.
E kundërta ndodhi pas vitit 2005: një proces defaktorizimi i socialistit të bazës, një përjashtim i tij prej diskutimit dhe ngritja e kryetarëve të pushtetit vendor në pole politike vendore. Ndryshe: nga solidariteti dhe kohezioni në emër të një tradite dhe angazhimi, u kalua në hierarkitë e caktuara nga paraja. Listat e mbyllura për kandidatët dhe vënia në funksionim e këshillave private të Edi Ramës ëzhtë një realitet që finalizoi përjashtimin e njerëzve nga vendimmarrja, që neutralizoi funksionimin e strukturave, që e tjetërsoi PS-në për të sjellë në kupolë vetëm miqtë e kryetarit. Kjo është një e vërtetë që e dinë shumë mirë të gjithë, aq sa nga viti 2005 e deri në vitin 2013, jo rrallë takoje deputetë që realisht nuk dinin asgjë për vendimet që pritej të merreshin.
Sot, në rolin e Haxhi Pishmanit dhe të atij që ka hallin se po administron një strukturë të mbyllur dhe inerte, Edi Rama fton shqiptarët që të aderojnë në PS për ta shkallmuar arkaizmin nga i cili ai përfitoi dhe e ndërtoi. Sot kryetari flet për përfaqësim dhe reflektim ndërkohë që një nga kritikat kryesore që i adresohen qeverisjes së tij janë pikiërisht mungesa e reflektimit, e analizës dhe e përfaqësimit. T’u thuash sot njerëzve se “nuk duhet ta shikojnë punën në shtet si qëllim të angazhimit partiak” kërkohet minimalisht që ta kesh zgjidhur problemin ekonomik që deklaron se e trashëguam nga Sali Berisha. Të kesh krijuar një klimë tjetër, mundësi potenciale, kontekstin e të cilave e ka gjeneruar PS-ja si model në një qeverisje ndryshe. Më tej angazhimi vjen si kërkesë e shoqërisë, që e sheh vërtet partinë si rrugë për përmirësimin e gjërave. Përndryshe kjo fushatë e fundit që u propozon shqiptarëve anëtarësime, të kujton atë lojën e universiteteve private(disa prej tyre) që ofronin arsimim me standarde, por në fakt jepnin vetëm diploma. Edi Rama dhe enturazhi i tij është sot problemi në qeverisje i Shqipërisë, por është edhe problemi madhor i një partie si PS-ja dhe këtë nuk mundet ta fshehë me demagogji hartimesh.
s.z

Comments

Submitted by Ndoc DUDASI (not verified) on

Nga parti socialiste, po kethehet ne parti socramkociste. Dhe fundi, dihet, I SHPEJTE. Iku edhe kjo parti, si puna e PD. Cera e una volta, do te themi pas dy apo tre vjetve, edhe per PS. Tung.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.