Mosbindja civile sapo ka nisur
Partia Demokratike deklaron se do të vijojë protestat. Një ditë pas protestës së 8 dhjetorit, kryetari I saj, Lulzim Basha, ka dalë në një komunikim për mediat ku ka bërë të ditur se kundërvënia ndaj qeverisë do të vijojë. “Vërshimi i shqiptarëve ishte mesazh i qartë i mbështetjes për PD-në dhe për planin e saj për largimin e krizës politike dhe ekonomike që ka pushtuar vendin.Qytetarët dhe biznesi kërkojnë zgjidhje. Dje në shesh ishin të dhunuarit, të cilëve u janë prishur shtëpitë dhe bizneset; ishin studentët, të cilët përjetuan mashtrimin e qeverisë që premtoi akses në arsim, por mbylli dyert e universiteteve, duke kaluar ligjin klientelist për arsimin e lartë; ishin të përndjekurit, të cilët u riposhtëruan nga Edi Rama, i cili ringriti simbole të diktaturës; ishin pronarët, të cilët nuk pranojnë dot kurrë ligjin e ri të shpronësimit; pensionistët, të cilët nuk shohin rritje pensionesh prej dy vitesh; të papunët, të cilëve u janë shtuar radhët nga tkurrja e ekonomisë; ishin socialistët e zhgënjyer nga fakti që familjen e tyre politike e kanë në dorë një grusht kriminelësh; ishte një popull i tërë dhe i falenderoj nga zemra. Protestat do të vazhdojnë pa pushim. Mosbindja civile sapo ka nisur”, tha Basha. Lidhur me gjobën e Bashkisë, Lulzim Basha deklaroi se: “Bashkisë do i çojmë një kastravec 163 milimetra”.
Add new comment