Shënim: Korrupsioni – Çështja Jonë

Postuar në 17 Nëntor, 2015 21:37

Sot dita politike u hap me një “desantim” të  befasishëm të kryeministrit në Drejtorinë e Doganave, i cili zgjati 7 minuta kohë dhe u shoqërua me shkarkimin e tre drejtorëve. Arsyet siç u thanë janë performanca e munguar dhe rezultatet e dobëta. Natyrisht ky still alla Mehmet Shehu nuk është shumë i përshtatshëm, pasi më mirë një ndërhyrje shoqëruar me një analizë që pasqyron edhe reflektim, sesa një sosje durimi që afirmohet me kësi lloj urdhërash. Megjithatë ky tashmë është fakt i cili ndoshta, por ndoshta është një lëshim “për impulse të reja” që po i bëhet aleatit në qeverisje. Apo edhe një kthesë në ndryshimin e disa gjërave në administratë. Drejtorët e shkarkuar ikën për paaftësi në detyrë dhe kjo nuk është ndonjë çudi. Por episodi tërheq vëmendjen për diçka tjetër. Ndërkohë që kryeministri shfryn ndaj atyre që nuk bëjnë punën, e bën këtë në distancë të madhe informacioni me publikun, madje duke dalë në kontradiktë me veten. Kryeministri, njësoj si parardhësi i vet, nuk pranon të ndajë me opinionin përgjegjësitë e dështimeve, të cilat përpiqet që t’i menaxhojë si një mjek i repartit të traumatologjisë. Vetëm dy ditë më parë i njëjti kryeministër deklaroi sukses në aksionin kundër informalitetit, që sipas tij solli uljen e taksave të biznesit të vogël. Befas në dogana rezulton se situata qenka për ibret. Kjo sjellje e dyfishtë në raport me opinionin publik nuk ka asgjë pozitive: fundja kur ministrat përfliten për lloj-lloj tenderash e aferash e qeveria mjaftohet me një përgënjeshtrim tek “transparenca.al”, kjo thjesht sa nxit edhe më shumë mendimin se korrupsioni në këtë qeveri po trajtohet si çështje e brendshme e saj.

Momenti i dytë është edhe më implikues. Po të kujtojmë pranverën e këtij viti na vjen në mend një diskutim i Edi Ramës me strukturat e PS-së në Shkodër, ku ai pranoi se njihte  faktin e disa drejtorëve problematikë në bashki të ndryshme: “Jam i vetëdijshëm që në në çdo qark, çdo rreth, në çdo bashki ka drejtorë që po na nxjerrin bojën”, tha kryeministri në një diskutim që u regjistrua pa dijeninë e tij(http://www.gazetadita.al/berisha-publikon-videon-e-plote-per-ramen-ne-cdo-bashki-ka-drejtore-qe-po-na-nxjerrin-bojen/_. Me “drejtorë që po na nxjerrin bojën”, është e qartë se nuk kuptohen drejtorë si këta të doganave, largimi i të cilëve zyrtarisht ka si motiv paaftësinë. Por kuptohen zyrtarë me imazh të njollosur nga akte korruptive, për të cilat i njëjti kryeministër kërkon publikisht fakte dhe prova për to, teksa në mbledhje të mbyllura me të vetët, hap kartat dhe i njeh si të mirëqena. E përforcon këtë sjellje shumë problematike qëndrimi i Edi Ramës për ata që sot disa ambasadorë i quajën hapur: Deputetë kriminelë. I pyetur për këtë gjë, kryeministri ka thënë se “në momentin e kandidimit, asnjë prej tyre nuk ka kryer veprat për të cilat sot akuzohen”. Po a mund të besohet kjo vallë? Vështirë, edhe pse për disa raste pranohet që nuk ka dijeni. Mirëpo dy rastet e mësipërme që na i shërben vetë zotëria, na japin të drejtën që të mendojmë se kryeministri është realitivisht i informuar për zullumet që ndodhin në Shqipëri nga disa prej njerëzve të vet. Madje edhe nga ata që i ka zgjedhur me dorën e tij, e që së fundmi po japin dorëheqje të “papritura”. Dukuria që përfaqësohet në të trija këto raste është në thellësi, pasi përndryshe nuk do të flitej as për dekriminalizim dhe as për korrupsion “në të gjitha degët e qeverisjes”. Si vallë do ta luftojë qeveria këtë gangrenë?

 Këtu vjen në vështrim e shumëpërfolura reformë në Drejtësi, që parathuhet se do bëjë çudira, duke zbuluar edhe njëherë demagogjinë. Pse demagogjinë? Sepse me faktet që disponon, kryeministri ka patur në dorë dhe ka patur mundësinë të bëjë ndryshimin në Shqipëri: drejtorët që po u nxjerrin bojën socialistëve nuk mundet ta kalojnë me një “vërejtje në kartën e regjistrimit”. Ata janë kategori për në Prokurori, aty ku edhe “transparenca.al”, por ajo e vërteta, mund të jepte një ndihmesë shumë të madhe. Kjo do të provonte një vullnet ndryshe, një gatishmëri për të kuruar disa plagë si dhe do të vinte në provë sistemin e drejtësisë. I cili duhet thënë se në kushtet kur nuk ka asnjë ndërhyrje dhe lexon se politika nuk interferon për çështje që kanë sfond politik, e ka më të lehtë të zbatojë ligjin. Jo se kjo e bën më të mirë, por e vendos në kushte detyruese. Vetëm atëherë mund të thuhej se koha për një reformë të thellë jo vetëm ka ardhur, por kjo është rruga që ka mbetur për të sjellë sadopak në binarët e ligjit këtë vend. E kundërta po ndodh: politika edhe njëherë po i mbron të korruptuarit e vet, kriminelët e vet, për të kaluar në etapën e reformimit të Drejtësisë, që në çdo rast është e mirëpritur, por nuk është ilaçi magjik.

Edhe nga perspektiva e sistemit që mendojmë se duhet të kemi kërkohet tjetër qasje: njerëzit votojnë qeverinë, pra një vullnet dhe program i cili duhet të dëshmohet se po vihet në jetë. Nëse ky vullnet has në pengesa strukturore, atëherë ndërhyrja është e mundshme dhe e dëshirueshme. Njerëzit votuan për tjetër gjë dhe tjetër sjellje në vitin 2013, të paktën një pjesë e tyre. Por ajo nuk po duket në asnjë sektor dhe nga asnjë përfaqësues. Është kjo arsyeja që jo rrallë, kur ambasadorë të caktuar flasin me emra e mbiemra, për deputetë kriminelë e ministra të korruptuar, politika hesht, për ta bërë Reformën në Drejtësi të duket si një çështje ndikimi në gjyqësor dhe pse jo, edhe një alibi të fundit për një klasë drejtuese të diskredituar. Ndonëse ajo është e nevojshme. / s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.