Pionierët e rinj të Putinit

Postuar në 09 Nëntor, 2015 16:07
Andrej Gorzewski

"Lëvizja Ruse e Nxënësve“ – kështu quhet organizata rinore shtetërore e sapo krijuar në Rusi. Dita në të cilën Presidenti Vladimir Putin nxori dekretin përkatës, përkon me datën 29 Tetor-in, ditën e përvjetorit të themelimit të Komsomol-it në vitin 1918. Strukturat dhe objektivat e lëvizjes së re të nxënësve ngjajnë me ato të organizatës rinore të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.

Si "dhuratë në ditën e Komsomol-it të Lenin-it“ e cilësoi deputeti dhe këngëtari i njohur Josif Kobson krijimin e lëvizjes së re. Ai shprehet se i është lutur disa herë Presidentit, që të krijojë një organizatë „e cila të kontrollojë dhe edukojë fëmijët tanë“.

Zyrtarisht lëvizja e re e nxënësve ngrihet nga Agjencia Federative për Çështjet e Rinisë. Drejtuesi i saj, Sergej Pospelov, sqaroi në mediat ruse se me dekretin e tij Presidenti mbështet lutjen që i kanë drejtuar atij në Duma, Dhomën e Parë të Parlamentit rus, liderët e grupeve partiake. Qeveria ruse do të krijojë së shpejti një listë me ndërtesa dhe objekte të tjera, të cilat do t'i vihen në dispozicion organizatës së re të rinisë. Ajo do të financohet nga buxheti i shtetit. Ministri i Arsimit, Dmitrij Livanov, tha përpara gazetarëve se lëvizja do të luajë një rol vendimtar në edukimin e nxënësve.

„Vlerat e Rusisë duhet të promovohen“

Sipas dekretit të Putin-it organizata e re do të përmirësoje politikën e shtetit në fushën e arsimimin e brezit të ri si dhe të nxisë formimin e personalitetit, sipas vlerave që e karakterizojnë shoqërinë ruse.

Por në shoqërinë ruse, për sa u përket vlerave, nuk ka aspak konsensus, mendon Irina Prochorowa, kryeredaktore e revistës letrare "Nowoje literaturnoje obosrenije“. Ajo është drejtuese e një emisioni të stacionit televiziv rus RBK, i cili ka për temë sistemin e vlerave në Rusi. Duke qenë se organizata rinore të kujton bashkimet sovjetike, ajo ka shumë kundërshtarë. Organizatat komuniste karakterizoheshin nga një "militarizim i vetëdijes, vëzhgimi dhe mungesa e zhvillimit vetjak të individit“. Mënyrës së jetesës të njerëzve iu ishin vënë kufij shumë të ngushtë asokohe, i thotë gazetarja Deutsche Welle-s.

Një test për shoqërinë

Sipas Prohorovas, organizata e re rinore ndjek politikën e tanishme të udhëheqjes ruse. „Tani që gjërat po shtrëngohen përsëri, duket sikur po bëhen përpjekje reale për të vënë përsëri nën kontroll rininë“, tha ajo dhe shtoi: "Një organizatë e tillë në fakt tregon paaftësinë për të punuar me rininë. “Sipas Prohorovas rinia nuk duhet t'i nënshtrohet një stërvitjeje disiplinore, por duhet të këtë mundësinë të zhvillojë individualitetin e saj.“ Sidoqoftë hapësira për veprimtari politike, kulturore dhe profesionale në shoqëri po bëhet gjithnjë e më e vogël“, thotë me keqardhje ekspertja.

Por Prohorova shton se në Rusi ka edhe përkrahës të lëvizjes së re të nxënësve, të cilët mendojnë se në një organizatë të tillë "të rinjtë të paktën do të edukohen". Ka prindër të cilët, sipas saj, me vetëdije duan të heqin dorë nga edukimi i fëmijëve të tyre. "Kjo është ajo që më mundon më shumë“, tha ajo. Ajo druhet gjithashtu, se në organizatën e re të rinjtë do të "brumosen përsëri ideologjikisht". Prandaj është e bindur se lëvizja e re e nxënësve do të jetë një test i rëndësishëm për shoqërinë ruse. Suksesi do të varet para së gjithash nga vetë njerëzit, sidomos nga prindërit, nëse ata do ta mbështesin organizatën apo do t'i kundërvihen asaj.

"Rusia i rikthehet së kaluarës"

Ndër kundërshtarët e lëvizjes rinore të Putin-it radhitet edhe publicisti dhe shkrimtari i njohur rus Viktor Shenderoviç. Edhe ai thekson, se nuk mund të bëhet fjalë për një sistem vlerash të njësuar brenda shoqërisë ruse. "Tek dhjetëra milionë rusë ekziston nevoja për vlera evropiane. Por kjo kërkesë nuk pranohet. Nga ana tjetër me dhjetëra milionë rusë kanë nevojë për vlerat e kohës sovjetike. Kjo kërkesë përkundrazi përshëndetet“, theksoi Shenderoviç në bisedë me DW-në. Sipas tij kërkesa për organizata të tipit sovjetik përforcohet qëllimisht nga Kremlini.

Organizata e re e rinisë tregon se vendi po i rikthehet së kaluarës, me të gjitha pasojat e saj, shprehet Shenderoviç. Megjithatë ai mendon se në "Lëvizjen Ruse të Nxënësve“ do të përcillet më tepër një lloj „sistemi vlerash putinesk“. "Gjëja e vetme, për të cilën është i aftë Putin-i, është kazermizimi i shoqërisë“, shprehet shkrimtari.

"DW"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.