Kanceri: a duhet të hamë më sallam?

Postuar në 04 Nëntor, 2015 14:01

Zemërim në mediat sociale, tituj bombastikë në shtyp: Masa e gjerë me sa duket e ka të vështirë ta pranojë atë që shpalli Organizata Botërore e Shëndetit. Por kjo nuk i ndryshon dot faktet: kremviçet, mishi i thatë dhe produkte të tjera të mishit janë kancerogjene.

Agjencia Ndërkombëtare për Studimin e Kancerit, IARC në Lion, pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka analizuar të gjitha studimet dhe të dhënat e publikuara lidhur me këtë çështje dhe ka arritur në përfundimin se produktet e mishit janë "kancerogjene“ dhe „shkaktojnë kancerin e zorrës së trashë“. Kjo vlen „me gjasa“ edhe për mishin e kuq në përgjithësi, pra edhe për biftekun dhe roston e viçit – por në këtë rast të dhënat ishin më pak të sigurta, prandaj këtu IARC-ja hëpërhë shprehet me kujdes.

„Shkenca nuk ka emocione“

Në ditët pas lajmit të WHO-së shumë gazeta lokale u hodhën në kundërsulm me raportime kundërshtuese. U cituan shitës mishi, të cilët bënë me dije, se mishi i tyre vjen nga lopë organike dhe se për këtë arsye ai është shumë i shëndetshëm. Ekspertët e WHO-së u etiketuan si fanatikë të shëndetit. Dhe sërish qarkulloi historia se njeriu mund të zhvillohej kaq shumë, vetëm pasi ai, ndryshe nga shumë lloje majmunësh, ha mish – çka është e vërtetë, siç e vërtetojnë biologët e evolucionit. Por edhe nëse mishi ka qenë i rëndësishëm në historinë e zhvillimit të njerëzimit, ai mund të jetë kancerogjen. Dikur njerëzit nuk rriteshin aq shumë në moshë, sa kanceri të luante ndonjë rol në jetën e tyre. Kjo është një çështje e ditëve të sotme.

Për epidemiologët si Rudolf Kaaks të Qendrës Gjermane për Studimin e Kancerit, lajmi i WHO-së nuk është asgjë e re: „Dihet prej kohësh se ata që hanë më shumë mish të kuq dhe produkte mishi, kanë një rrezik më të lartë për të zhvilluar sëmundjen e kancerit“, i tha ai DW-së.

Elio Riboli, drejtor i Fakultetit të Shëndetit Publik në Imperial College London, bën të qartë se IARC-ja nuk ka për qëllim të damkosë ushqime të caktuara: „Shkenca nuk ka emocione“, thekson ai në intervistën për DW-në. Nëse IARC thotë se mishi ështe kancerogjen, atëherë vetëm sepse këtë e thonë të dhënat shkencore. „Drama ndodh“, thotë ai, „ngase shkencëtarët kanë deklaruar si kancerogjene diçka që eshtë pjesë e pandarë e jetës sonë.“

Përgjigjja ultimative

Agjencia Ndërkombëtare për Studimin e Kancerit publikon që nga viti 1973 të ashtuquajturat monografi, vlerësime mbi rreziqet e kancerit, të cilat për shembull i sjell një substancë, një stil jetese apo një proces industrial.

Shkencëtarë nga e gjithë bota mblidhen së bashku për të shqyrtuar dhe analizuar literaturën shkencore. Në fund ata marrin një vendim: A e mbështesin të dhënat e deritanishme hipotezën se një substancë apo mënyrë sjelljeje shkakton kancer - apo jo?

Për Pearce, kritika që i bëhet vlerësimit të IARC-së, nuk është aspak e padëgjuar: „Diçka e tillë ndodh sa herë që IARC-ja nxjerr një monografi – e njëjta gjë edhe kur bëhej fjalë për duhanpirjen, asbestin apo edhe shumë tema të tjera.“Unë kam qenë pjesë e shumë komiteteve në mbarë botën dhe punoj që prej 35 vitesh në fushën e studimeve të kancerit“, tregon Neil Pearce, profesor i Epidemiologjisë dhe Biostatistikës në Shkollën e Lartë të Higjenës dhe Mjekësisë Tropikale të Londrës. "Nëse do të dish përgjigjen ultimative lidhur me një çështje, atëherë duhet të shkosh në programin e monografive të IARC-së".

Sa i madh është rreziku? Shumë gazeta janë të mendimit: po aq i rrezikshëm sa pirja e duhanit. Gjithsesi, pirja e duhanit dhe produket e mishit janë klasifikuar të dyja në Kategorinë 1 nga IARC.

Çështja vendimtare

"Çdo porcion prej 50 gramësh produkti mishi, që hamë çdo ditë, e rrit rrezikun e kancerit me 18 përqind“, shkruan IARC-ja në njoftimin e saj për shtyp. Me sa duket, jo çdokush e kupton, se çfarë do të thotë kjo.

Vetëm në një letër shoqëruese me pyetje dhe përgigje – të cilën, me sa duket, shumica nuk e kanë lexuar – IARC-ja e sqaron njoftimin e saj të shtypit: „Rreth 34.000 të vdekur nga kanceri vijnë për shkak të ushqyerjes me produkte mishi.“Sa më shumë produkte mishi të hamë, aq më i madh është rreziku i kancerit", thotë Kurt Straif, drejtuesi i programit të monografive pranë IARC-së, në intervistën për DW-n. „Por megjithatë, në ketë rast rreziku në krahasim me faktorët e tjerë të rrezikut ështe relativisht i vogël.“

Elio Riboli e mbështet këtë me numra: "Nëse gjatë gjithë jetës ke pirë një pako cigare në ditë, rreziku për t'u sëmurur nga kanceri në mushkëri, është 4000 përqind më i lartë.“ Me fjalë të tjera: Duhanpirësit duhet të shqetësohen urgjentisht për të tjera gjëra dhe jo për sallamin në mëngjes.

Fakti që IARC-ja i ka vendosur duhanpirjen dhe sallamet në të njëjtën kategori, nuk do të thotë se të dyja kanë të njëjtën rrezikshmëri. Kjo do të thotë vetëm se në të dyja rastet të dhënat janë të pakundërshtueshme. Mishi i kuq, në të kundërt, është vendosur në kategorinë 2A – në këtë rast IARC-ja nuk është 100% e sigurt.

A mund të vazhdojmë të hamë sallame?

Të gjithë ekspertët e shëndetit, që pyetëm – Rudolf Kaaks, Neil Pearce dhe Elio Riboli – pranojnë se do të vazhdojnë të hanë mish të thatë, sallam dhe produkte të tjera mishi.

Por – edhe këtu ata janë të një mendjeje – mbase nuk është ide e mirë, që t'i hamë çdo ditë dhe në sasi të mëdha produktet e mishit. Një ushqyerje e barazpeshuar ështe gjithmonë mënyra më e shëndetshme. Dhe ky është lajmi thelbësor që donte të na jepte Organizata Botërore e Ushqimit.

"DW"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.