Pse ministri Cani mbron koncesionin e skanimit në dogana?

Postuar në 28 Tetor, 2015 21:23

Denoncimet e dikurshme të opozitës socialiste dhe kryesisht ato me karakter ekonomik tani janë kthyer vetëm në çështje letrash. Kjo për meritë të ministrave që vazhdojnë traditën e kopsitjes për miliona dollarë konçesione të dhëna që fshehin pas pikëpyetje të mëdha. Qeveria e re nuk është se u ka dhënë përgjigje kontratave që vetë i quajti korruptive, madje në ndonjë rast i ka shtuar pikëpyetjet.

Kontrata konçesionare e qeverisë Berisha me “Rapiscan System” ishte një nga ato marrëveshje që u denoncua ashpër nga opozita socialiste e asaj kohe, e cila paralajmëroi deri  anullim të saj madje përballje në arbitrazh me kompaninë.

Ujërat rrodhën shpejt dhe pas dy vitesh në pushtet qeveria e majtë bëri dy modifikime të kontratës me argumentin se marrëveshja ishte e kopsitur dhe se nga arbitrazhi mund të dilte e humbur. 

Por edhe pse shumica e majtë miratoi në parlament kontratën e rishikuar nga ministri Financave, Shkëlqim Cani, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe vijon të këmbëngulë në kërkesën e tij për t’u hetuar kalimi për 490 lekë i 49 për qind të aksioneve të Rapiscan, kompanisë ICMS përmes një barre siguruese nga Banka Kombëtare Tregtare me garaci të qeverisë.

Aktori kryesor në këtë histori duket se është ministri Shkëlqim Cani, i cili ka marrë përsipër si kostot financiare ashtu edhe ato politike të rimiratimit të marraveshjes. Rapiscan do të vazhdojë të ketë monopolin e shërbimit të skanimeve në doga, por tani me një tarifë më të ulët nga 39 euro në 22 euro, ç’ka i heq buxhetit të shtetit rreth 100 milionë euro.

Ministri Cani po ashtu është ai që ka mbrojtur publikisht marrëveshjen e mirëkuptimit mes qeverisë dhe “Rapiscan System”, duke dhënë përkufizime që shkojnë në drejtim të kundërt me atë që propozon kolegu i tij Braçe. “Sot ne po diskutojmë për një përmirësim marraveshje që është nënshkruar në qeverinë e kaluar dhe në kuvendin e kaluar. Kuptohet që në komisionet parlamentare ne kemi diskutuar për çështje teknike, argument, histori”-ka deklarur Cani në parlament. Pra ministri e quan një përmirësim atë që është riparë në kontratën me Rapiscan dhe të shkuarën opozitare të denoncimit të marraveshjes një histori dhe argumente teknike.

Shqetësimi është se  kompania ICMS ka blerë 49% të aksioneve të këtij koncesioni, që kushtonte 316 milionë dollarë, për vetëm 490 lekë. Nga dokumentet e QKR-së rezulton se, aksioneri i vetëm i ICMS është një mjek. Pra qeveria i pranon faktet, por thotë se është e pafuqishme për të vepruar sepse sipas ministrit Cani kontrata e qeverisë Berisha ishte e kopsitur juridikisht. Po si mund të quhet i kopsitur juridikisht një transksion miliona dollarësh me 490 lekë? Me këtë vlerë qeveria do ta kishte shumë të lehtë përballjen në arbitrazh, mjafton t’I ofronte kompanisë Rapiscan diçka më shumë se 490 lekët e vlerës së aksioneve të shitura ICMC. Ç’rol ka në këtë rikopsitje të marrëveshjes ministri i Financave Shkëlqim Cani që edhe në të shkuarën ka treguar se është një ministër që nuk i ka kompleks lobimet? Të kujtojmë që në diskutimet për  buxhetin ai kërkoi ulje të akcizës për pijet energjike si Redbull, çka u pranua mandej nga kompania austriake që u mbrojt me argumentin që  “ne luftojme për interesat tona”. Po ministri për çfarë interesash lufton?

Çështja e Rapiscan është marrëveshja e dytë që qeveria shqiptare ka zgjidhur me mirëkuptim duke shmangur arbitrazhin ndërkombëtar. Në rastin e parë, atë të marrëveshjes me CEZ Sh.a Kontrolli i Lartë i Shtetit ndërmorri një auditim për mënyrën si u kryen negociatat  dhe gjeti në shpërdorim detyre ministrin e Energjisë dhe Avokaten e  Shtetit, ndërsa në çështjen Rapiscan, nuk ka asnjë hetim apo auditim qoftë nga KLSH për këtë rinegocim apo dhe nga Drejtoria e Tatimeve dhe Ministria e Financave për mënyrën se si u krye kalimi i 49 për qind të aksioneve një firme fantazmë me kapital 490 lekë. Bizneset vazhdojnë të ankohen e megjithatë mararveshja vazhdon të mbrohet me fanatizëm nga Ministri i Financave që e korrigjoi dy herë dhe e çoi për firmë në parlament, duke ndjekur këshillën e blerë për 500 mijë euro nga zyra ligjore e bashkëshortes së kryeministrit Tony Blair. Puna të vazhdojë me letra të kopsitura dhe mesa duket vetë ministri Cani këtë vazhdon të besojë për firmën që ka hedhur në rinegocimin e marrëveshjes me Rapiscan System, e cila çuditërisht ka pranuar shumë kollaj të ndryshojë termat dhe tarifat (pazarin) e marrëveshjes.

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.