A u hapën 150 mijë vende pune në 2 vjet? BB konstaton rritje të papunësisë për të rinjtë në 2015
300 mijë vendet e punës në 4 vjet është objektivi i shpallur i mazhorancës për këtë mandat. Kanë kaluar dy vjet dhe Shqipëria ka njohur një valë të madhe emigrimi drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Qeveria prezanton rreth 90 mijë vende pune të hapura dhe të formalizuara në gjysmën e mandatit të saj, por Banka Botërore vlerëson se papunësia tek të rinjtë është rritur me të paktën 1 për qind në vitin 2015.
Sipas saj niveli i papunësisë në tërësi ra nga 17.7% në tremujorin e dytë të 2014 në 17.3% në tremujorin e dytë të 2015, por mes grupmoshës së re, papunësia u shtua nga 33.5% në 34.2%. BB thotë se tregu gjithmonë i dobët i punës kufizon potencialin e ekonomisë shqiptare, duke shtuar se perspektivat e rritjes për Shqipërinë do të varen nga zbatimi i reformës strukturore në energji, menaxhimin financiar të shpenzimeve publike dhe pensionet.
Po ashtu zhvillimet në Greqi mund të kenë ndikime më të mëdha nga sa pritej mbi rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe ndaj prespektivës së uljes së varfërisë, duke patur ulje të remitancave, eksporteve dhe investimeve. Sfida kryesore për Shqipërinë, përfundon raporti i bankës Botërore, është rritja ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, nga njera anë dhe mbrojtja e shtresave të varfëra të shoqërisë
Add new comment