Reforma në Drejtësi/ PD-ja i drejtohet Venecias me mendimet e ekspertëve të vet

Postuar në 16 Tetor, 2015 10:53

Partia Demokratike ka shpërndarë sot opinionin e ekspertëve të saj për reforën në Drejtësi që burojnë nga ndryshimet në Kushtetutën e Shqipërisë. Materiali, i përgatitur nga Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi, merr në shqyrtim pikat e propozuara nga shumica një për një dhe parashtron vërejtjet e veta, drejtuar këto Komisionit të Venecias dhe selive diplomatike në Tiarnë. Në përgjithësi, PD-ja nuk ka një qasje të ndryshme për nevojën e reformimit të sistemit dhe nëse shihet nga materiali i përgatitur, sugjerimet e saj shpesh kanë natyrë korrigjuese, apo plotësuese që lidhen me procedurën. E cila është Shumë e Rëndësishme.

Ka edhe vërejtje më thelbësore, siç është nevoja për qartësim të të nocioneve “emërim” apo “zgjedhje” për disa nivele të gjyqësorit, ku duhet thënë se ndalet edhe më shumë kritika e saj. P. sh propozimet e shumicës për Gjykatën e Lartë, kriteret e kandidaturave, aboslutizimi i përvojës krahasuar me ato për Gjykatën Kushtetuese kanë një mospërputhje logjike. PD-ja mendon se është e panevojshme krijimi i një Gjykate të Lartë Administrative, përderisa kemi sot një Kolegj Administrativ në Gjykatën e Lartë, sikurse kërkon sqarimin e procedurës për reformimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Mendime shtesë kërkohen – duke iu referuar këtu manhgësive në relacion – edhe për plotësimin e boshllëkut që krijon heqja e disa procedurave mes Kuvendit dhe Presidencës dhe krijimi i organeve të posaçme në gjyqësor. Janë kapur edhe disa kontraditka në draft, të cilat PD-ja i ka renditur si pyetje për Komisionin e Venecias. P.sh një që është edhe shumë thelbësore: “Neni 131 paragrafi 2 (i propozuar) i cili i heq kompetencën Gjykatës Kushtetuese, për të shpallur antikushtetues një ligj të miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës, a bie ndesh me nenin aktual 131 shkronja”a” (“Gjykata Kushtetuese vendos për: a) pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën...”)? 2- Në kushtet kur parashikimi që kufizon kompetencën kontrolluese të Gjykatës Kushtetuese (sipas Neni 131 paragrafi 2 (të propozuar)) nuk ka qenë parashikuar në tekstin origjinar të Kushtetutës (aktual), a është ky parashikim një minim i autoritetit të Gjykatës Kushtetuese?”. Kjo është një pyetje që kërkon një trajtim të kujdesshëm. Po kështu ka disa mbivendosje të cilat do të duhet merrnin përgjigje. P.sh për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorinë PD-ja kërkon sqarime të mëtejshme, për të mos lënë paqartësi. “Ngritja e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion e Prokurorisë, a krijon dualizëm më sistemin e Prokurorisë? A bie ndesh me nenin 148/1 (të propozuar)? 2- A duhet të shtrihet kompetenca e SPAK, tek të gjithë funksionarët shtetërorë dhe jo vetëm tek gjyqtarë dhe prokurorë, apo zyrtarëve të lartë të përcaktuar me ligj?”. Për Byronë Kombëtare të Hetimit kërkohet përcaktim rigoroz i objektit të punës, pasi këtu ekziston rreziku i paralelizmit me Prokurorinë.

Një vëretje tjetër është edhe ajo që i heq të drejtën Kuvendit për vendime që kanë të bëjnë me çështje themelore si ato për ruajtjen e tërësisë tokësore, apo edhe për vendosjen e kalimin e trupave të huaja. Nga një pikëpamje, PD-ja, shfaqet këtu si një aktor që synon të konservojë sa më shumë nga dispozitat e Kushtetutës aktuale, të cilën në fillesë as nuk e njohu. Ndërkohë që ndryshimet e propozuara nga shumica hedhin bazën për institucione të reja, teksa synojnë të zgjerojnë kompetencat faktike të qeverisë, gjyqësorit në vetvete që i jepet një arkitekturë e re e brendshme. Presidenti dhe Kuvendi duket se humbasin disa të drejta që deri më tani u garantonin rol aktiv dhe përcaktues në disa drejtime. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.