Rrëzohet kërkesa e Frrokut për mbyllje të hetimeve, Gjykata e Lartë shtyn afatin
Gjykata e Lartë i dha të drejtë sot Prokurorisë që të hetojë edhe për 3 muaj të tjerë dosjen e deputetit Mark Frroku. Kjo kërkesë e organit të akuzës ishte kundërshtuar nga avokatët e Frrokut, të cilët nga ana tjetër kërkojnë rishikimin e masës së tij të sigurisë.
Por pavarësisht se deputeti i PKD-së po qëndron prej 6 muajsh në paraburgim, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë rrëzoi sot kërkesën e Frrokut, duke i dhënë të drejtë Prokurorisë që të hetojë deri në fund të këtij vitit deputetin e akuzuar nga shteti belg për vrasjen e një bashkëkombasi të tij.
Sipas përfaqësuesve të organit të akuzës, në tre muajt e ardhshëm pritet që të mbërrijnë përgjigjet e tre leter-porosive të dërguara prej tyre në Itali, Greqi dhe Hollandë lidhur me të kaluarën e Frrokut. Përveç përgjigjeve të letër-porosive, në pyetje pritet që të merren dhe personat që kanë asistuar në ceremoninë fetare të faljes mes familjeve Frroku dhe asaj të viktimës, Aleksandër Kurtit. Ndërkohë që sot u pranua kërkesa e Prokurorisë për shtyrje të afatit të hetimeve ndaj deputetit Frroku, të hënën e ardhsme pritet që Gjykata e Lartë të shprehet për kërkesën e bërë nga avokati mbrojtes i Frrokut për zëvendësimin e masës së sigurisë. Gjate seancës, por edhe jashtë saj, deputeti Mark Frroku ka deklaruar se po i shkatërrohet jeta, familja e biznesi.
Add new comment