Propozimet e ekspertëve për Reformën në Drejtësi: Humbet thelbësisht roli i Presidentit
Bëhen të njohura disa nga propozimet e ekspertëve për reformën në drejtësi, e cila do të duhet të miratohet nga Parlamenti brenda vjeshtës. Ndryshimet janë cilësore dhe prekin disa kompetenca që deri më tani rregulloheshin nga Kushtetuta. Kështu Presidenti i Republikës humbet të drejtat e deritanishme në pushtetin gjyqësor, teksa ai përjashtohet nga e drejta për të emëruar gjyqtarët e Shkallës së Parë dhe të Apelit, duke ju lënë vetëm e drejta per anetarët e Gjykatës së Lartë. Gjithashtu Presidenti kufizohet dhe në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës së Lartë Administrative emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, me mandat 12 vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Gjyqtarët e tjerë emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor”, thuhet në draft. Nuk dihet se për cilën arsye është bërë kjo ndërhyrje, që i jep më shumë kompetenca vetërregulluese gjyqësorit. Nga ana tjetër, Adriatik Llalla, do të largohet nga detyra sapo ky ligj të hyjë në fuqi. “Prokurori i Përgjithshëm qëndron në detyrë deri në emërimin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, sipas këtij ligji. Prokurori i Përgjithshëm në detyrë emërohet gjyqtar në gjykatën e apelit të Tiranës brenda 3 muajve nga data e mbarimit të mandatit. Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga 3/5 e deputetëve, me propozim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe mbi opinionin e Këshillit për Emërimet në Drejtësi për një periudhë 9 vjeçare, pa të drejtë ri-emërimi”, propozojnë ekspertët. Këshulli i Lartë i Drejtësisë riemërohet si Këshill i Lartë i Gjyqësorit që merr tani komeptenca për të propozuar anëtarët e Gjykates së Lartë. Propozohet gjithashtu që “jashtë Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, të ngrihet Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë i cili do të jetë nën varësinë e Parlamentit duke zhbërë dy inspektoriate qe janë aktualisht nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. Sa i përket Presidentit, duhet thënë se figura dhe roli i tij kufizohen shumë me këtë draft, krahas kufizimeve që sjell edhe një logj tjetër si ai “Për Shërbimin e Jashtëm”.
Add new comment