Në shtator do ndodhin "të gjitha". Llalla paralajmëron arrestime të zyrtarëve të lartë

Postuar në 11 Shtator, 2015 17:29

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, paralajmëroi arrestime të zyrtarëve të lartë në muajin shtator. Gjatë një takimi qe mbajti me Njësinë Antikorrupsion kreu i prokurorisë konfirmoi atë çka kishte thënë pak kohë më parë se do të përmbyllte hetimet dhe do të çonte në gjykatë zyrtarë të lartë të akuzuar për korrupsion apo dhe të përfshirë në aktivitete kriminale. Gjatë takimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Llalla prezantoi prokurorët e rinj të njësisë antikorrupsion. Llalla u kërkoi prokurorëve që të finalizojnë procedimet e deritanishme të korrupsionit dhe hetimit pasuror, si edhe vijojnë menjëherë me rastet që kanë nisur ose janë referuar kohët e fundit”. Aktualisht, Njësia antikorrupsion, përbëhet nga 5 prokurorë dhe numëron rreth 400 raste, mbi të cilat po kryhen veprimet procedurale sa i përket hetimeve pasurore për persona dhe grupe të strukturuara kriminale, si edhe për raste të dyshuara korrupsioni në nivele të larta drejtuese. Po ashtu, në mbështetje të kësaj njësie, tashmë do të jetë i atashuar edhe një ekspert i misionit OPDAT të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Llalla u ka kërkuar prokurorëve ta ndjejnë veten të privilegjuar për detyrën që u është dhënë, pasi kjo detyrë ka një rëndësi mjaft delikate. “Përfshirja e prokurorëve në këtë njësi është një vlerësim, por më shumë është një përgjegjësi e madhe, së pari para opinionit publik, për të dëshmuar gjithnjë e më shumë forcën e ligjit përballë zyrtarëve të ndryshëm në niveleve të larta drejtuese, të dyshuar si të përfshirë në veprime korruptive, si edhe grupeve kriminale, të fuqizuara financiarisht”, ka deklaruar Llalla.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.