Na vjedhin dhe na gënjejnë për çmimin e energjisë*

Postuar në 02 Shtator, 2015 15:18
Ing.Thoma G. Meksi

Humbjet e energjisë janë një fenomen i pashmangshëm i prodhimit transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë. Shkurtimisht: kemi humbje në prodhim nga harxhimet për fushen manjetike në gjeneratorët e prodhimit dhe nga rryma elektrike që qarkullon aty; humbjet reaktive dhe humbjet nëpër transformatorët e fuqishëm ngritës nëpë central. Pastaj kemi humbjet në transmetimin e energjisë, të cilat gjithashtu janë aktive nga kalimi i rrymës nëpër përcjellësa dhe reaktive nga pozicioni i përcjellësve të linjave të Tensionit të Lartë. Në shpërndarje humbjet janë edhe më të madhaja, nëpër përcjellësaa, nëpër transformatorët e shumtë dhe nëpër motorrët e shumtë që janë përdorim, veç popullsisë.
Niveli i humbjeve në vendin tonë është rreth 45%,( kohët e fundit thuhet se janë ulur në 35 %); nga këto rreth 35% në shpërndarje, 5% në transmetim dhe 5% në prodhim. Në Europë mesatarja e humbjeve është nga 12% në 15%, por ka edhe vende që arijnë deri 25%.
Ne prodhojmë çdo vit 4.500 milion kwh dhe me qenë se për arsye të pakuptueshme (?), nuk ndërtojmë burime të reja (kemi 25 vjet pa ndërtuar asnjë central edhe pse kemi rezerva të pashfrytëzuara), kemi nevojë të blejmë edhe 2.000 milion kwh në tregun europian. Pra gjithësej në rrjetin tonë futet 6.500 milion kwh nga te cilat vetem rreth 3.500 milion kwh humbasin. Kjo është një shifër shumë e madhe, afërsisht sa prodhon HC i Fierzës dhe ai i Vaut të Dejës. Pra këta dy hidrocentrale punojnë kot, ose ndryshe: gjithë energjia që ne blejmë rreth 180 milion euro çdo vit ) shkon kot. Ky është një problem që duhet ta shqetësojë vazhdimisht shtetin dhe KESH-in.

Humbjet e energjisë ndahen në dy kategori: në humbje teknike dhe në humbje jo teknike.
Detyra e KESH- it dhe e CEZ- it që ka shpërndarjen (pas një procesi tenderimi dhe kontraktimi jo shumë transparent dhe jo shumë të rregullt, siç rezulton tani), është që këto humbje t’i ulin në maksimum, pasi siç është e kuptushme influencojnë direkt në koston e energjisë, pra edhe në çmimin e saj.
Humbjet në prodhimin e energjisë siç thamë kanë të bëjnë me zgjedhjen e drejtë të tipit të gjeneratorëve dhe të turbinave, impianteve ndihmës të mbrojtjes dhe automatikës. Prandaj ka vend për përpjekje për të ulur humbjet. Këto janë humbje teknike. Por janë edhe përdorimi i energjisë e derivacionit dhe filtrimeve, ngrohja e ambjenteve, ndriçimi etj.. E njëjta gjë mund të thuhet për TEC- et ku ka më shumë pompa uji, vaji etj.. Por a punohet në këtëdrejtim? Unë mund të them se punohet pak ose fare. Pajisjet janë të vjetra dhe harxhimet vetiake janë shumë të mëdha. Ka vend për punë të organizuar.
Humbjet në transmetim janë gjithashtu të rëndësishme, por janë kryesisht humbje teknike. Mund të përmendim këtu humbjet në përcjellësa që mund të pakësohen duke rritur seksionin, humbjet reaktive nga vendosja e përcjellësve dhe humbjet nga zgjedhja dhe regjimi i punës së transformatorëve të mëdhenj të fuqisë - dhe sigurisht edhe nevojat vetiake të nënstacioneve. Këtu humbjet mund të ulen mjaft duke zgjedhur jo vetëm seksionet e përcjellësve, por edhe me unazat dhe regjimin e punës së linjave etj.. Duhet të kemi parasysh se ne e prodhojmë energjinë në veri dhe e transportojmë në qendër e në jug të vendit.

Humbjet në shpërndarje janë po ato si në transmetim, por shtohen edhe humbjet në kosumatorë; zgjedhja dhe vendosja pa kriter e transformatorëve të vegjël, mungesa e unazave dhe zgjedhja e vendosja pa kritere e motorrëve, pompave etj., efekti i faktorit të fuqisë, kosinus fi siç i thonë që s’merret fare parasysh, ndriçimi pa kriter etj., që influencojnë shumë në humbjet teknike.
Në të gjitha këto që përmenda dhe të tjera, natyrisht nuk punohet fare për uljen e tyre. Mirëpo kjo është një fushë e rëndësishme për të ulur humbjet dhe është një nga detyrat themelore të KESH-it edhe CEZ-it që të jenë rentable. Rritja e çmimit për të mbuluar këto humbje është rruga më e shkurtër dhe më e lehtë për të rritur fitimet, por jo më e drejta, sidomos për ne qytetarët që paguajmë rregullisht.
Por le t’i kthehemi humbjeve. Mbetet pjesa më e diskutushme e tyre ato që quhen humbjet jo teknike. Me pa të drejtë këtu futen vetëm humbjet nga vjedhjet e energjisë, prandaj dhe kjo i faturohet pa të drejtë konsuumatorëve. Humbjet jo teknike, duke iu referuar edhe raportit të fundit të ERE-s për energjinë vijnë nga shumë faktor : po përmend humbjet nga lidhjet e paligjshme të energjisë, humbjet nga energjia e pa matur, sepse mungojnë kontatorët (sahatet e matjes) dhe këtu një pjesë i faturohet aforfe, kurse një pjesë nuk faturohet fare. Kemi afro 20 vjet që çdo vit instalohen sahate dhe akoma paska konsumatorë pa sahate; numri i përgjithshëm i konsumatorëve është rreth 800.000 në të gjithë vendin dhe akoma si kemi pajisur të gjithë me sahate. Apo nuk duam t’i pajisim?!

Kemi edhe humbjet nga funksionimi i parregull,t ose nga defektet në kontatorët. Asnjë nuk i mirëmban ato mesa duket. Është edhe një kategori që ka të bëjë me korrupsionin e shënuesve të harxhimit të energjisë, sidomos për kosumatorë të fuqishëm që paguajnë nën dorë për të patur fatura të vogla.
Siç shihet, të gjitha këto janë humbje të kontrollueshme dhe të korrigjueshme, por punohet dobët dhe pa përgjegjësi e kontroll.
Detyra e OSHEE-së është të ulë humbjet, por nga ana tjetër kjo kërkon rritjen e çmimit se kemi humbje. Këto të dyja nuk shkojnë, bile ka një paradoks : ne duhet t’i kërkojmë llogari OSHEE-së pse nuk i ul humbjet? Na kërkon para për t’i kompensuar se nuk ka realizuar fitimet. Që kjo është detyrë e vështirë, kjo është e qartë, por duhet punuar shumë, jo vetëm me gjoba dhe polici.
Por kur të ulen humbjet, sa do të bëhet çmimi? (duhet të ulet shumë se humbjet do ulen edhe ato shumë)
Unë prandaj e shtrova që në fillim kshtu problemin, sepse ka diçka qënuk kuptohet dhe nuk shkon në gjithë këtë çështje të madhe.
A e dine zotërinjtë e KESH-it dhe të ERE-s se kostoja e prodhimit të energjisë në vitet 1990 ka qenë 0.12 lekë dhe tani nuk është veçse 2 lekë? A ka një studim shkencor për çmimin e energiisë, apo vetëm pazare me vlera të hedhura për diskutim? Këtu mund të hapim një temë që nuk mbaron kaq shpejt. Më përpara ekzistonte një Institut i Studimeve Ekonomike, i cili në bashkëpunim me Institutin e madh e të lavdishëm të studimeve elektroenergjetike, paraqiste për miratim në Këshillin e Ministrave çdo pesë vjet çmimin e energjisë, i cili përcaktohet nga një sërë faktorësh që përbëjnë një temë të gjate të diskutimeve në rrethet shkencore. Sot nuk kemi asnjë institut. ERE është një grup prej 5 komisionerësh, shumica pa eksperiencë në fushën e energjisë, që caktojnë nuk e di sesi, çmimin që përcakton gjithë politikat ekonomike dhe sociale të shtetit tonë. A është e drejtë kjo? Kjo nuk bëhet me diskutime në disa televizione private e gazeta partiake. Prandaj ndoshta çekët patën guxim të kenë pretendime. Kjo do një këshill shkencor të zgjeruar, me specialistë nga të gjitha fushat e ekonomisë dhe energjetikës, një studim disa vjeçar etj..

Pse nuk merren parasysh studimet e kryera nga kompanitë e huaja të famshme, e prestigjoze, siç janë “Decon”, “Lamayer”, “London Economics”, “Electroconsult”etj., për këtë problem? Janë harxhuar kohë dhe disa miliona dollarë qysh prej shumë vjetësh dhe asnjë njeri nuk i zbaton.
Për ta përfunduar (artikullin jo çështjen), mendoj se duhet menduar e duhen planifikuar plane të hollësishme e të gjera shumëvjeçare, për të gjetur zgjidhjen e këtij problemi, e jo ti’ biem shkurt në kurriz të konsumatorëve të rregullt, e të varfër që mbrojtjen e shikojnë, për fat të keq, tek ata që nuk mendojnë kaq shumë dhe nuk e ndjejnë detyrë të tyren zgjidhjen e duhur dhe të drejtë.

* Titulli është i redaksisë

Materiali është dërguar në formën e një komenti mbi një shkrim të publikuar sot që trajton këtë temë. Meqenëse paraqet interes publik, trajtim të një specialisti dhe merr në pikëpyetje gjendjen e tanisnme, përmes analizave krahasuese e teknike, menduam ta nxjerrim më vete si opinion. Falënderojmë autorin - Ish Drejtor i Përgjithshëm i KESH (1991-1992) - për këtë material.

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Pa i hequr asnje presje shkrimit, me duket se titullin ia keni vene jo korrekt. Humbjet ne rrjet nuk jane vjedhje direkte e popullates. Popullata paguan, kur paguan sigurisht, ate qe defton sahati. Eshte e vertete qe humbjet indirekt mund te sjellin rritjen artificiale te cmimit, por nuk besoj se kjo mund te cilesohet si vjedhje.

Submitted by Thoma Meksi (not verified) on

Te faleminderit i dashur, me gjith qe titulli s'esht i imi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.