Raporti i BMI: Shqipëria s’e ngushton dot hendekun, do mbetet në bisht të Europës edhe për 10 vjet
Sipas një raporti të fundit të BMI Research, një kompani e grupit të njohur ndërkombëtar të renditjes, Fitch rating, Shqipëria do të mbetet mes vendeve më të varfëra në Europë gjatë dekadës së ardhshme. Revista Monitor saktëson se normat e ngadalta të rritjes së prodhimit të brendshëm bruto (PBB) do bëjnë që vendi të mos ngushtojë dot hendekun me vendet e BE-së për të kapur nivelin mesatar të zhvillimit. Sipas raportit, mbështetja e tepruar në konsumin privat nuk është optimale, duke pasur parasysh nivelin e dobët të zhvillimit të sektorit të konsumit, që është relativisht i ri, ndërsa progresi i dobët në zbatimin e reformave strukturore do të dëmtojë panoramën afatgjatë ekonomike të vendit. Edhe pse Shqipëria ishte një nga të vetmet vende evropiane që shmangu një recesion gjatë krizës globale ekonomike, dhe ka përmirësuar edhe marrëdhëniet me vendet fqinje duke marrë para një viti statusin kandidat i BE-së, BMI Research mbetet më pak optimiste rreth perspektivave të rritjes.
Çështjet e trashëguara nga epoka komuniste ende vazhdojnë. Korrupsioni mbetet një plagë dhe ndikon mbi atraktivitetin e Shqipërisë si një destinacion për investime. Burokracia e vendit është e lartë, dhe tregu i punës është tepër i varur nga sektori publik për punësim. Administrateve të njëpasnëshme u mungon progresi për të zgjidhur këto probleme dhe kjo nënkupton se administrata aktuale e udhëhequr nga socialistët do të bëjë vetëm hapa në tentativë në zbatimin e reformave strukturore në vitet në vijim. Angazhimi i BE-së për të mos pranuar anëtarë të rinj për pesë vjet, duke filluar nga viti 2015 mund të reduktojë më tej nxitësit për qeverinë për të zbatuar reforma të dhimbshme.
Si rrjedhojë, Shqipëria parashikohet që edhe për 10 vjet do mbetet ndër më të varfërat në Europë.
Add new comment