Azilkërkuesit nuk janë edhe aq shumë. Dhe një pyetje për “Nismën e Berlinit”: Ku ndodhet Ballkani?

Postuar në 21 Gusht, 2015 12:17

Dje u bë publik lajmi se Gjermania pret që në vitin 2015 të ketë një fluks azilkërkuesish prej 800 mijë njerëzish. Kjo përbën 1% të popullsisë gjermane dhe në thelb përfaqëson shifrën më të lartë të kërkesave për një vend të BE-së. Por sipas të dhënave të Eurostat-it, ndonëse situata në Gjermani është e rënduar, vendet e tjera të BE-së, janë larg këtij fluksi, qoftë duke marrë parasysh kërkesat, qoftë miratimin e tyre. Duke patur për kriter përqindjen e kërkesave në Gjermani, paraqitet një grafik shumë “pozitiv” për panoramën e përgjithshme. Vendet e tjera janë shumë larg arritjes së shifrës 1% të popullsisë në kërkesa për azil, çka ndoshta shtron nevojën e një përgjigjeje europiane ndaj dukurisë(http://www.theguardian.com/news/datablog/2015/aug/20/asylum-seekers-eu-c...).

Nisma e Berlinit dhe një vend “jo i veçantë” për Ballkanin

Shqiptarët po shfaqen në statistikat gjermane të azilkërkimit në mënyrë të vazhdueshme. Madje duke përcjellë krahasime me sirianët që vijnë nga lufta. Disa javë më parë në Gjermani u diskutua ideja e shpalljes së vendeve të Ballkanit Perëndimor si vende të sigurta të origjinës, duke eliminuar kështu mundësinë ligjore për azil. Përveç diskutimit nëse një gjë e tillë i përgjigjet realitetit, ka edhe një aspekt të natyrës politike, që e bën jo shumë korrekt këtë sjellje. Një vit e ca më parë, Gjermania, inicioi atë që u quajt Konferenca e Berlinit, e cila kërkon të vendosë bashkëpunimin mes vendeve të rajonit të Ballkanit. Në thelb të nismës qëndron “pajtimi” shqiptaro-serb, i cili po gjen shprehje te takimet mes kryeministrave të Serbisë dhe Shqipërisë. Ka shumë që mendojnë se kjo iniciativë paralelizon integrimin në BE të këtyre vendeve, duke prioritizuar interesat gjermane, por edhe duke i dhënë një rol të ri Gjermanisë në rajon. Burime zyrtare gjermane kanë folur për shqetësimin e Berlinit “nga rreziku i ekstremizimit islamik”, por edhe i shtimit të influencës ruse në Ballkan, çka e kthen rajonin tonë, në zonë me rëndësi strategjike për Gjermaninë. Janë këto arsye që e bëjnë jokorrekte qasjen e Berlinit zyrtar për azilkërkuesit nga Ballkani. Interesi shkon paralel me përgjegjësitë, aq më tepër kur shifrat e Eurostatit flasin për një emergjencë që është vetëm emocionale. Sllovakia pranon azilantë kristianë, kurse Deutsche Welle publikon komentin e Knipp për “presione ndëj shteteve kombëtare në Europë”. Si i tillë problemi do të duhet të vihej në lidhje me të ardhurit përtej kontinentit, e jo me Ballkanin. Por ndoshta qëndrimi i vërtetë nuk ka pse të zyrtarizohet. Ballkani është larg akoma të qenit Europë Juglindore. Kjo është e vërteta e sjelljes që lexohet nga Berlini.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.