PD gati të japë votën për ndryshimet në Kushtetutë
“Partia Demokratike do të bashkojë votat me shumicën për të ndryshuar Kushtetutën, vetëm në rast se reforma në drejtësi nuk do të përdoret si karrem për të kontrolluar sistemin”. Kjo është deklarata e kreut të grupit parlamentar demokrat Edi Paloka dhënë për “OraNews”. Sipas tij,
“demokratët do t’i sigurojnë shumicës 93 votat e nevojshme për të ndërhyrë në Kushtetutë, vetëm në rast se reforma në drejtësi nuk do të përdoret për të vënë në kontroll gjyqësorin”. Paloka tha se: “Vullneti ynë është absolut, është shprehur, është konfirmuar për të bërë çdo ndryshim të nevojshëm qoftë dhe në Kushtetutë, por t’i shërbejë reformës në drejtësi jo t’i shërbejë kapjes së drejtësisë nga kjo mazhorancë. Deri më sot nuk kemi gjë tjetër veçse kapje të institucionit të drejtësisë. Nëse do të vazhdohet kështu, sigurisht nuk mund të bashkojmë votat për një synim të tillë”. Sa i takon çështjes së dekriminalizimit të parlamentit, Paloka tha se: “Kemi mungesë të plotë vullneti të paktën nga ana e Ramës lidhur me këtë çështje. Kjo nuk përjashton Metën dhe nëse ky vullnet mungon, të jeni të bindur se asnjë ligj e asnjë reformë nuk e zgjidh atë”.
Add new comment